Kalendari Mjedisor

Lufta për të ruajtur pyllin e Rrajcës në Parkun Shebenik – Jabllanicë nga prerja e paligjshme e pyjeve

 Personat problematikë që i “sulen” malit në zonën e Bardhaj, në Rrajcë, pjesë e Parkut Kombëtar të Shebenik – Jabllanicës duket se kanë marrë një lloj pauze nga prerja e pyjeve, çka i ka mundësuar grupit të punës në Administratën e Zonave të Mbrojtura (AdZM) në Elbasan të kenë një lloj frymëmarrjeje.

By admin

 Personat problematikë që i “sulen” malit në zonën e Bardhaj, në Rrajcë, pjesë e Parkut Kombëtar të Shebenik – Jabllanicës duket se kanë marrë një lloj pauze nga prerja e pyjeve, çka i ka mundësuar grupit të punës në Administratën e Zonave të Mbrojtura (AdZM) në Elbasan të kenë një lloj frymëmarrjeje.

Me një ton humoristik, ata shprehen se kanë informata që individët që prisnin pemë në zonën e Bardhaj mund të kenë ikur në emigracion në Gjermani, megjithëse lehtësimi duket i përkohshëm, pasi punonjësit e zonave të mbrojtura shprehen se mund të kenë raste të tjera të ngjashme, ndaj nuk duhet ulur vigjilenca.

Ligji nr. 5/2016 “Për shpalljen e moratoriumit të pyjeve në Republikën e Shqipërisë” ka si objekt ndalimin e veprimtarisë shfrytëzuese të lëndës drusore në fondin pyjor publik/privat për një periudhë 10-vjeçare si dhe ndalimin e tregtimit të produkteve drusore. Megjithatë, në praktikë ky ligj has vështirësi në realizim.

Gjatë viteve 2019-2020, Xhek Nezha, specialist menaxhimi në AdZM-në Elbasan, informon se ka plotësuar vetë plot 17 proces-verbale për prerje të paligjshme të pyjeve në Rrajcë, zonën e përdorimit tradicionale të parkut, që më pas tregtohen në zonat përreth. Ai kujton netët e shpeshta të aksionit, të cilat ishin të përsëritura, pavarësisht denoncimeve.

Pjesa qendrore e pyllit të vjetër të Rrajcës është pjesë e trashëgimisë natyrore të UNECO-s prej vitit 2017. Në atë zonë, pohojnë specialistët, nuk ka prerje të pemëve.

Të dhënat e nxjerra nga INSTAT tregojnë se tregtia e produkteve të drurit vijon, ndonëse moratoriumi i pyjeve ka si qëllim të ndalojë shfrytëzimin e lëndës drusore si dhe tregtimin e tij.

Përgjatë viteve 2016-2019, INSTAT raporton se janë shfrytëzuar 34,472 metër kub trupa pemësh, ku pjesa më e madhe e tyre kanë shkuar për dru zjarri dhe materiale ndërtimi. Konkretisht, 3.145.712 metër kub pemë janë përdorur për dru zjarri dhe 7086 metër kub për materiale ndërtimi. Pjesa tjetër ka shkuar për shtylla miniere dhe qymyr druri.

Ligji 5/2016 ka si qëllim të ndalojë eksportin e drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, drurëve të zjarrit si dhe qymyrit të drurit.

Raporti i përpiluar nga vetë Ministria e Mjedisit, ne bashkëpunim me Ambasadën Zviceriane, “Mbi politikat e sektorit te pyjeve në Shqipëri ” tregon se eksporti i lëndës drusore gjatë viteve 2016-2017 ka qenë në raport shumë më të lartë së importi i tij. Eksporti i druve të zjarrit është 53 mijë ton më shumë së importi. Gjatë 2016 – 2017, Shqipëria ka eksportuar 59,781  ton dru zjarri, ndërkohë që ka importuar 6,683 ton.

Në total, duke përfshirë dhe lëndë drusore të përpunuar, lëndë drusore të sharruar, trupa pemësh, mbetje drusore dhe qymyr druri, Shqipëria për vitin 2016-2017 ka eksportuar 173,388 ton lëndë drusore.

DËSHTIMI PËR TË RESPEKTUAR LIGJIN BËN QË VEPRA E PRERJES SË PALIGJSHME TË PYJEVE TË PËRSËRITEN

Tek shfaq telefonin të mbushur plot me pamje të kapjes së individëve që presin paligjshmërisht pyjet për qëllime tregtare, Nezha shprehet se shumë prej fotove të pemëve të prera i ka fshirë, pikërisht prej ndjesisë së keqe që i shkaktojnë.

Lajmërimet që në pyll po priten pemë bëhet përmes rojeve mjedisore që e ruajnë pyllin në bazë ditore.

Specialisti Xhek Nezha shprehet se shpesh duhet të manovrojnë dhe të gjejnë metodika të reja në mënyrë që t’i kapin në flagrancë prerësit e pyjeve, pasi edhe ata marrin sinjalizimet e tyre se punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura kanë dalë në terren.

Nezha kujton se shpesh u duhet të ecin në këmbë, pasi ata ua njohin mjetet e punës dhe ato personale. 

Në rastet kur ata kapin autorë duke prerë pyje, situata vijon kështu: kryhen materiale filmike me video dhe foto, plotësohet proces-verbali dhe më pas çështja delegohet te Policia e Shtetit.

Prokuroria është hallka e fundit që merr vendim rreth çështjes në fjalë përpara se të dërgojë shkelësit e ligjit përpara drejtësisë. Pavarësisht konstatimeve dhe referimit te Policia e Shtetit, Xhek Nezha pohon se rastet kanë qenë vazhdimisht të përsëritura nga persona të njëjtë.

Kodi penal, në nenin 205 thekson se prerja e paligjshme e pyjeve apo dëmtimi i saj, kur nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim të gjer në një vit.

Të dhënat për 9-mujorin e vitit 2020 tregojnë se janë regjistruar 129 procedime penale për prerje të paligjshme të pyjeve, ku 20 prej tyre kanë filluar proces të rregullt gjyqësor, ndërsa 80 prej tyre jo.

Prerja e pemëve pa leje, kur është kundërvajtje administrative dënohet me gjobë nga 5000 deri 10.000 lekë sipas ligjit 57/2020 “Për pyjet”.

PEMËT E PRERA SHKOJNË PËR KONSUM TË FAMILJEVE QË ENDE NGROHEN ME DRU ZJARRI

Me dru zjarri ngrohen edhe familje në fshatin Bardhaj, të cilët ngarkojnë mushkat ditëve më pak të ftohta të vitit, në mënyrë që të përballojnë acarin e dimrit. Por me ta, Administrata e Zonave të Mbrojtura ka gjetur një kombinim, i cili nuk dëmton pyllin, e njëkohësisht nuk u mohon banorëve materialin parësor që ata kanë nevojë për t’i mbijetuar dimrit.

E banuar kryesisht nga tre fise të mëdha, familjarë të fisit Vlashi dhe Bogdani pohojnë se fillimisht njoftojnë inspektorin e pyjeve dhe më pas rrugëtojnë dy orë për të shkuar dhe ngarkuar mushkën me drurët që janë të rrëzuar apo dëmtuar në zonën e përdorimit tradicionale të Parkut Kombëtar.

Sasia e nevojshme e drurëve për të përballuar dimrin ndikohet nga vështirësia e dimrit.

Problematikën e shtuar me prerjen e pyjeve në zonën tradicionale të Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë gjatë vitit 2020 e pohon edhe specialisti Xhek Nezha.

Sipas të dhënave të publikuara nga Global Forest Watch, nga viti 2016 deri në 2020, Bashkia e Librazhdit ka humbur 421 hektarë pyje. Humbja më e madhe shënohet gjatë vitit 2020, me 110 hektarë pyje të humbura. Humbja e pyjeve nuk shkaktohet vetëm nga prerja, por edhe nga zjarret apo faktorët atmosferikë.

Inxhinieri pyjor i AdZM-së Elbasan, Bajram Kullolli, shprehet se zjarret e vazhdueshme, kanë shkaktuar dëme të mëdha të cilat ende nuk janë rikuperuar.

Ka pasur disa zjarre 2011-2013 dhe 2016, ka pasur ndikim jashtëzakonisht të keq por nuk ka arritur ta shkretojë të gjithë hapësirën dhe kanë mbetur drurë të vjetër. Vitin e kaluar ka pasur një purifikim të pyjeve të ahut.

Kullolli përfundon se mund të ishte investuar në aspekte si heqja e barërave, punimin e lehtë të tokës, ose në mbjelljen e farave të bredhit, të pishës së zezë në zonat e dëmtuara nga zjarret, por kjo nuk ka qenë e mundur nga Administrata e Zonave të Mbrojtura, pasi kërkon shumë shpenzime.

Edhe këtë verë, u raportuan për tre ditë radhazi vatra aktive zjarri në Rrajcë. Prej datës 17 deri në 19 gusht, Ministria e Mbrojtjes njoftoi vatra aktive zjarri në malin e Rrajcës, por u shmang rreziku i djegies së pyjeve në Parkun Kombëtar Shebenik – Jabllanicë./ Nga Entenela Ndrevataj