Patos: I vihet flaka fushës së mbetjeve

Prej dy ditësh, fushës së mbetjeve të këtij qyteti i është vënë flaka, dhe tymi toksik është shpërndarë duke ndotur të gjithë zonën. Syri Tv ka kontaktuar me Bashkinë e Patosit, ku ashtu siç pritej, është konfirmuar që zgjidhja do të vij nga inceneratorët e Klodian Zotos dhe rritja e taksave për qytetarët.

By admin

Qyteti i Patosit  është përfshirë nga flakët dhe tymi toksik ka mbuluar të gjithë zonën duke rrezikuar rëndë jetën e qytetarëve.

Tymi i dalë prej zjarrit ka ndotur atmosferën e fshatrave Belinë, Sheqishte, Verbas, Frashër dhe Zharrëz pasi ndodhen brenda perimetrit e pranë kësaj fushe mbetjesh në Marinzë.

Qani Rredhi, specialist mjedisi dhe banor i zonës ka pohuar se ndotja është alarmante, ndërsa ka kërkuar nga autoritetet marrjen e masave të menjëhershme.

Por siç dyshohej, zjarri i vendosur në fushën e mbetjeve ka qenë i qëllimshëm, e kjo konfirmohet edhe nga Bashkia Patos, që bën me dije se kanë nisur negociatat me kompaninë e Klodian Zotos për dërgimin e mbetjeve në incinerator.

Syri Tv ka kontaktuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Patos Shkëlqim Beqiraj, i cili ka konfirmuar se janë në negociata me Kompaninë Integreated të Zotos për menaxhimin e mbetjeve të Patosit.

Por kjo marrëveshje pritet të rëndojë xhepat e qytetarëve të Patosit, pasi tarifat e inceneratorit janë tepër të larta. Por sipas sekretarit të përgjithshëm të bashkisë së Patosit, ky qytet ka taksat më të ulëta në vend për pastrimin, duke paralajmëruar kështu edhe rritje të taksave.

Prej muajve të verës, të gjitha qytetet e qarkut të Fierit nuk kanë gjetur qetësi nga ndotja toksike. Në muajin gusht, qyteti i Fierit për disa ditë me radhë u mbulua nga tymi i djegies së mbetjeve, e Bashkia ndërhyri vetëm pas reagimeve të forta në opinionin publik./ Syri.net