Punonjës dhe paijse të rënda të kompanisë “Bio-Product” tentuan të hynin në pyllin “Plepat e Brukës” për të nisur punimet për ndërtimin e një biznesi agroturizëm, i cili përfshin edhe një thertore në brendësi të tij.
Dhjetëra banorë ndaluan punëtorët duke qëndruar në rrugë përgjatë gjithë ditës.
Dëshira Tatoshi, një nga banoret protestuese u shpreh për Citizens Channel se tanimë zgjimi nga zhurmat e makinerive është kthyer në një rutinë.
Kryeplaku i fshatit, Dashamir Gjokmeli tregon se e gjithë procedura nga kompania dhe bashkia për lejimin e ndërtimit në tokën poshtë shtëpive të tyre është kryer pa konsultim me banorët e këtij fshati.
Afër mesditës pranë banorëve dhe punëtorëve të kompanisë që hidhnin dhe prisnin fjalë u paraqitën edhe avokatët e kompanisë “Bio-Products”. Ata e konsideruan një veprim të ligjshëm të gjithë procedurën, për aq kohë sa zotëronin të gjitha lejen e nevojshme.
Sipas tij pas daljes së vendimit të Apelit, shoqëria ka aplikuar sërish për leje pranë Bashkisë Kamëz duke e marrë atë.
Banorët e Laknasit janë njohur me vendimin për të ndërtuar në “Plepat e Brukës” vetëm përmes tabelës së vendosur për nisjen e punimeve dy vite më herët.
Pa asnjë konsultim publik nga bashkia Kamëz dhe asnjë informacion edhe kur tentuan t’i drejtohen këtij institucioni me këtë kërkesë.
Banorët iu drejtuan më vonë Gjykatës Administrative për të kërkuar pezullimin e punimeve. Gjykata pranoi kërkesën e banorëve duke pezulluar punimet. Por për shkak të ankimimit nga kompania në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit e konsideroi të gabuar vendimin e Gjykatës Administrative duke rrëzuar masë ne sigurisë.
Referuar lejes së dhënë nga Bashkia Kamëz toka në të cilën pritet të ndërtohet thertorja dhe agroturizmi konsiderohet si zallishte. Mirëpo banorët, të cilët janë kujdesur për 30 vite për “Plepat e Brukës”, duke i mbjellë vetë pemët në tokën publike, insistojnë se kjo tokë është një pyll.
Për këtë arsye, në Gjykatën Administrative vijon ende çështja për përcaktimin e tokës, nëse është zall/zallishte apo pyll.
Në seancën e datës 20 shtator ekspertët e ngarkuar me punën në terren nga gjykata për të identifikuar drurët dhe numrin e tyre nuk e kishin kryer punën, duke u gjobitur kështu me një shifër prej 100 mijë lekësh.
Sipas banorëve ekspertët mjedisorë tanimë kanë shkuar në terren, dhe kanë numëruar 1810 pemë, gjë që i jep karakteristikat e një pylli. Në datë 20 tetor gjykata vendos bazuar në akt-ekspertizën e ekspertëve mjedisorë.
Dorina Asllani, avokate e banorëve u shpreh më herët për Citizens Channel se firma nuk ka më një leje pasi që ajo e mëparshmja ka përfunduar, bashkë me afatin e vlerësimit të ndikimit në mjedis.
Sipas përgjigjes së kërkesës drejtuar Agjencisë Kombëtare të Mjedisit “…në rast se ky objekt nuk është ndërtuar, afati i vlefshmërisë së vendimit ka përfunduar më datë 13.02.2021”./Erisa Kryeziu