Në një thirrje e publikuar nga Citizens Channel përmes mekanizmit ECR (Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar), qytetarët dërguan fotografi dhe video nga rreth 30 zona turistike që përfshijnë parqe natyrore, plazhe, pyje apo site arkeologjike, ku tregohet se turizmi në Shqipëri për fat të keq ende vijon të bashkëjetojë me ndotjen.
Materialet e dërguara përfshinë atraksione natyrore nga veriu në jug të vendit, si liqeni i Komanit, plazhi i Zvërnecit, Durrësit, Palasës e Sarandës, Parku Kombëtar i Lurës, Dajtit të ndotura nga mbetjet plastike apo derdhja e ujërave të zeza dhe mbetjeve plastike.
90% e mbetjeve në Koman vijnë nga lumi i Valbonës. E njëjta situatë paraqitet edhe në Parkun Kombëtar të Thethit ku shtigjet më të frekuentuar nga turistët si ai që të dërgon te Syri i Kaltër janë edhe më të ndoturit.
Konsideruar si lumi më i ndotur në Evropë, Ishmi përshkon Shqipërinë Qendrore dhe çdo vit derdh në detin Adriatik 733.000 kilogram mbetje, duke e kthyer këtë rrjedhë në një shqetësim ndërkombëtar.
Gjatësia e shtratit të tij është 79.2 km dhe formohet nga bashkimi i ujërave të lumit të Tiranës, lumit të Tërkuzës, lumit të Zezës dhe atë të Gjolës, për t’u derdhur në gjirin e Rodonit.
Rreth basenit të Ishmit banojnë rreth 30% e shqiptarëve. Inxhinieri Lulzim Bauman ka punuar një manual praktik për eliminimin e mbetjeve përgjatë këtij baseni.
Ajo çka vihet re në evidentimin e rasteve në manual është se Bashkia e Tiranës ka kontributin më të lartë në ndotjen e lumit, e ndjekur më pas nga Bashkia e Vorës edhe e Kamzës.
Ndër burimet kryesore të ndotjes përmendim: detergjentët larës, ujërat e zeza, ujërat industriale dhe mbetjet e ngurta.
Metalet toksike që derdhen në basenin e Ishmit tejkalojnë vlerat standarde të Bashkimit Evropian shumë herë, si për shembull niveli i kadmiumit është 102 herë më shumë se standardi i BE-së, ndërsa niveli i plumbit, 87 herë më shumë se niveli standard i BE-së.
Shpesh herë grupe aktivistësh dhe studentësh janë organizuar në aksione vullnetare për pastrimin e segmenteve të ndryshme të këtij lumi, si në iniciativën e organizuar nga River CleanUp.
Prej vitesh Parku Kombëtar i Lurës është dëmtuar nga prerja masive e pyjeve, ndërsa së fundmi rrezikohet nga ndërtimi i HEC-eve “Borje-Lurë” pranë zonës së liqeneve si dhe HEC-eve Sekë dhe Zais në anën tjetër të parkut në zonën e Zall Gjoçaj.
Lura, e njohur për 12 liqenet e saj akullnajore është shpallur zonë e mbrojtur, kategori e II-të, me anë të një Vendimi të Këshillit të Ministrave në vitin 1996. Në vitin 2018, sipas një Vendimi të Këshillit të Ministrave, Zall-Gjoçaj u bashkua me Lurën, për të formuar kështu “Parkun Kombëtar Lurë – Mali i Dejës”.
Vendimi nr 10 i datës i datës 3 tetor 2018 i Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT), me drejtues Kryeministrin Edi Rama, miratoi lejen e ndërtimit për HEC-in “Borie-Lurë 1”. Në po të njëjtën ditë, KKT miratoi lejet për hecet në lumenjtë Urakë dhe Flim në Zall Gjocaj (Pjesë e Parkut Kombëtar Lurë- Mali i Dejës), çka ka bërë që banorët të nisin rezistencën disa mujore në terren.
E njëjta situatë paraqitet dhe në jug të vendit, Zvërneci i Vlorës edhe pse është bërë pjesë e programit “100 fshatrat” nuk ka asnjë shenjë të rilindjes rurale.
Në fshat ashtu si në zonën e pyllit të Sodës dhe plazhet përreth, në mungesë të kontenitorëve, gjen kudo grumbuj mbetjesh të hedhura aty nga vizitorët dhe vetë bizneset që shfrytëzojnë bregdetin.
Edhe pse në nenin 67, në ligjin për “Menaxhimin e integruar të burimeve ujore” ndalohet shkarkimi i ujërave të zeza në det, situata vijon e tillë në shumë nga plazhet në vend.
Shqipëria ka shpenzuar 91.3 milionë euro dhe 547 milionë lekë nga viti 2014 deri në vitin 2021 për ndërtimin e 14 impianteve të përpunimit të ujërave të zeza. Pavarësisht investimit kolosal bregdeti shqiptar edhe gjatë këtij sezoni turistik është ndotur nga ujërat e përdorura.
Sa i përket menaxhimit të mbetjeve urbane, Shqipëria shpenzoi rreth 12 milionë euro për programin e menaxhimit të mbetjeve urbane vetëm në katër muajt e parë të vitit 2021. Pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve shkuan për inceneratorët e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, projekte këto të përfolura shpesh si të përfshirë në afera korruptive dhe klientelizëm. Ndërsa edhe ky sezon që shkoi, i gjeti zonat turistike nën emergjencë mjedisore./ Citizens Channel