Politik-bërja dhe vendimmarrja mjedisore është në një fazë të rëndësishme për shkak të momentit të dialogut politik të Shqipërisë për integrimin e saj në BE (përafrimit të politikave mjedisore sipas acquis mjedisore/kapitullit 27).
Nisur nga kjo, roli i organizatave të shoqërisë civile është katalizator dhe i domosdoshëm për orientimin e politikave mjedisore vendase drejt modeleve të BE-së dhe nxitjen e pjesëmarrjes dhe transparencës së këtyre proceseve. Për të rritur pjesëmarrjen dhe efektivitetin e ndërveprimit midis organizatave të shoqërisë civile dhe strukturave vendimmarrëse përgjegjëse për politikat mjedisore dhe energjetike, vigjilimi dhe pjesëmarrja e zëshme është e nevojshme.
Qendra EDEN, në datat 7 dhe 11 Tetor, organizoi dy trajnime për ngritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile (OSHC-ve) mbi vigjilencën mjedisore me synim forcimin e rolit dhe pozicionit të OSHC-ve në procesin e anëtarësimit të vendit në BE, fokusuar tek politikat mjedisore. Në këtë program trajnimi përfituan më shumë se +15 Organizata të Shoqërisë Civile mjedisore, por jo vetëm.
Përgjatë këtij trajnimi, përfaqësuesit e OSHC-ve u njohën me praktikën e vigjilencës mjedisore, hapat kryesorë në fillimin e një fushate vigjiluese, historikun e vigjilencës mjedisore në vend dhe rajon, raste të mundshme aktuale që mund të merren në vigjilim nga OSHC-të mjedisore. Ne vijim, pjesëmarrësit ndërvepruan për të ndërtuar plane për fushata vigjiluese mjedisore, duke e kombinuar me eksperiencën e tyre të mëparshme me njohuritë dhe aftësitë e përfituara përgjatë trajnimit.
Programi për ngritjen e kapaciteteve të OSHC në vigjilencën mjedisore vjen si pjesë e projektit “Fuqizimi i aktivizimit dhe kontributit të Organizatave të Shoqërisë Civile në integrimin e Shqipërisë në BE“, në zbatim nga Qendra mjedisore EDEN dhe EDMI, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit IPA 2017.