Bilanci i dëmeve në nivel qarku që përfshin krahas Gjirokastrës edhe 6 bashki të tjera Përmetin, Tepelenën, Këlcyrën, Memaliajn, Dropullin dhe Libohovën është edhe më i madh. Gjatë muajve korrik dhe gusht, por edhe në shtator, zonat më të prekura nga zjarret në Bashkinë Gjirokastër ishin “Asim Zeneli” , “Arshi Lengo”, Krina në njësinë Administrative “Antigone” si dhe disa zona në Dropull, Përmet, Memaliaj dhe Këlcyrë. Banorët pësuan krahas dëmeve në pemëtari dhe vreshtari edhe dëme në bazën ushqimore të bagëtive dhe në disa objekte, kryesisht stalla blegtorale.
“Dëmi i zjarreve të këtij viti ishte kolosal për Qarkun e Gjirokastrës”, thotë Inxhinieri pyjor Kleanthi Mandi, “pasi jeta e njerëzve të humbur nga zjarret nuk kthehet më dhe këto sipërfaqe do të duan vite të ripërtërihen”.
Sipas tij strukturat e 7 bashkive të Qarkut duhet të bëjnë evidentimin e plotë të dëmeve dhe të parashikojnë mundësitë për rikuperimin e sipërfaqeve. “Bashkitë”, thotë zoti Mandi, “kanë mangësi të theksuara me profesionistë të fushës por inventarizimi dëmeve është mjaft i rëndësishëm për të parë situatën reale dhe ndërtuar masa mbrojtëse për vitin tjetër”.
Qarku i Gjirokastrës, përbën rreth 6% të fondit pyjor kombëtar dhe specialistët e pyjeve vlerësojnë se dëmet e fundit nga zjarret sidomos në sipërfaqet pyjore shtojnë efektet e dëmeve që janë shkaktuara në këto vite sidomos nga prerjet pa kriter.
Shërbimet zjarrfikëse dhe përballimi i zjarreve
Për periudhën Janar – Tetor 2021 Shërbimi zjarrfikës në Bashkinë Gjirokastër ka përballuar 125 zjarre, ndërsa ndërhyrje shpëtim janë shënuar 48 dhe numri i përgjithshëm i këtyre operacioneve është 173, thotë Drejtori i Repartit të Zjarrfikësve Pëllumb Shalari.
Drejtuesi i Repartit të Zjarrfikësve Pëllumb Shalari tregon se po kryhet analiza e plotë e sezonit të zjarreve dhe mbi bazë të saj do të ndërtohet plani veprimit për verën e vitit tjetër, kur shënohet edhe numri më i madh i zjarreve sidomos në pyje dhe kullota.
“Shërbimi zjarrfikës i Gjirokastrës ka nevojë për shtimin dhe modernizmin e mjeteve të ndërhyrjes pasi në gjithë historinë e aktivitetit të tij ka vetëm mjete të dhuruara dhe asnjë mjet të ri”, shprehet Shalari.
Në këtë shërbim operojnë 4 mjete të viteve 1980-1990 dhe 20 efektivë. Shërbimet e tjera të bashkive më të vogla si Dropulli, Libohova dhe Memaliaj kanë nga një mjet në dispozicion për fikjen e zjarreve dhe 14 efektivë.
Dy bashkitë e tjera, Përmet dhe Tepelenë shpeshherë ndihmohen në operacione nga zjarrfikëset e Gjirokastrës për shkak të mjeteve të kufizuara dhe të vjetruara që kanë në dispozicion. Një problem madhor është edhe mungesa e rrjeteve të furnizimit me ujë që në shumicën e fshatrave të qarkut ato mungojnë. Sipas Shërbimit Zjarrfikës Gjirokastër, 5 persona janë kallëzuar për ndjekje penale për zjarr vënie në këtë bashki gjatë këtij viti.
Dëmet nga zjarret 2 të arrestuar, 9 të proceduar në gjendje të lire, 1 çështje në gjykatë.
Raportet zyrtare të viteve të shkuara flasin se në Prefekturën e Gjirokastrës rreth 90% e zjarreve në pyje dhe kullota janë të qëllimshme dhe shkaktohen nga barinjtë.
Inxhinieri i Pyjeve Kleanthi Mandi thotë se edhe këtë vit ka ndodhur e njëjta gjë. Arsyeja e vënies së zjarreve nga barinjtë sipas tij është djegia për ripërtëritjen e kullotave që bëhet në shkelje të ligjit dhe që më pas kthehet në pasoja katastrofike pasi zjarret në të shumtën e herës dalin jashtë kontrollit.
“Fuqia ndëshkuese për zjarret duhet të rritet pasi deri tani është mjaftuar vetëm me atë që shkruhet në kontratë që nëse ka zjarr në sipërfaqen që ai merr me qera nuk e përfiton më të drejtën e lidhjes së kontratës për sezonin tjetër”, tha zoti Mandi.
Zëdhënësja e Policisë së Gjirokastrës Oltiana Nano tha se mbi bazë të hetimeve të Policisë së Gjirokastrës për periudhën Janar-Shtator 2021, për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”, janë arrestuar 2 shtetas dhe 9 shtetas të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lire.
Ndërsa sipas Gjykatës së Faktit të Gjirokastrës gjatë këtij viti në këtë gjykatë nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor për autorë për të akuzuar për zjarr vënie të qëllimshme të kryer gjatë vitit 2021. Sipas burimeve të gjykatës i vetmi vendim gjyqësor lidhet me një rast të vitit të mëparshëm lidhur me një person të akuzuar për nenin 151 të Kodit penal, “shkatërrim i pronës me zjarr”, i cili në përfundim të gjykimit është shpallur i pafajshëm./ Citizens Channel