Banorët e Grizës, Zharrëzës dhe Frashërit “bashkëjetojnë” me ujërat e zeza

Banorët e fshatrave Grizë, Zharrëz dhe Frashër në Patos janë të detyruar që të bashkëjetojnë…

By admin

Banorët e fshatrave Grizë, Zharrëz dhe Frashër në Patos janë të detyruar që të bashkëjetojnë me ujërat e zeza. Pavarësisht premtimit të kryebashkiakes, Rajmonda Balilaj që në vitin 2015 për zgjidhjen e problemit, situata vijon të mbetet e njëjtë. Faktoje ishte në këto fshatra, ku konstatuan se rrjetit kanalizimeve për ujërat e zeza nuk ekziston.

Kryebashkiakja e Patosit, Rajmonda Balilaj deklaroi në një intervistë për BIRN në 2015-n se do të ndërhyhej në rrjetin e ujërave të zeza edhe në fshatrat, Grizë, Zharrëz dhe Frashër.

“Do të ndërhyjmë edhe në rrjetin e ujërave të zeza në Grizë, Zharrëz dhe Frashër”, ishte ky zotimi i kryebashkiakes.

Mirëpo, situata nuk ka ndryshuar edhe 6 vite pas kësaj deklarate. Gjatë verifikimit që Faktoje bëri në shtator në Patos,  pamë se situata vijon të jetë shumë shqetësuese. Ujërat e zeza derdheshin në sipërfaqe të rrugëve në të tri fshatrat, ndërsa banorët shprehen se e kanë ngritur shpeshherë si shqetësim pranë Bashkisë, por nuk kanë marrë asnjë zgjidhje.

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Patos për të mësuar se çfarë po bëhet me rrjetin e kanalizimeve në këto fshatra. Në përgjigjen që morëm theksohej: “Projekti për ndërhyrjen në rrjetin e ujërave të zeza në Grizë, Zharrëz dhe Frashër është hartuar dhe ndërkohë është aplikuar për të përfituar financim pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit”.

 Situata me ujërat e zeza në fshatin Grizë të Patosit ishte vërtetë alarmante.

Banorët duket se ishin dorëzuar dhe e kishin humbur shpresën se një ditë do mund të jetonin normalisht, pa erën mbytëse dhe infeksionet që vijnë nga kanalet.

“Jeta jonë kjo është, mes infeksioneve dhe mbetjeve. Kemi hallin e fëmijëve, se ne po plakemi dita-ditës”, tha një 60-vjeçare për Faktoje.

Në Zharrëz ka një kanal të madh të ujërave të zeza, që çdo ditë po kthehet në një makth për banorët.

“Në verë nuk rrihet këtu, mban erë vendi. Duhen rregulluar sa më parë. Nuk kemi kanalizime në lagje”, tha një banor rreth 50 vjeç për Faktoje.

Në Zharrëz ka një kanal të madh të ujërave të zeza, që çdo ditë po kthehet në një makth për banorët.

“Në verë nuk rrihet këtu, mban erë vendi. Duhen rregulluar sa më parë. Nuk kemi kanalizime në lagje”, tha një banor rreth të 40-ve.

Edhe për banorët e Frashërit, ujërat e zeza janë një problem i madh. Ata shprehen për Faktoje se kanë kërkuar zgjidhje në bashki, po kjo e fundit ende nuk ka ardhur dhe atyre nuk u mbetet veçse të bashkëjetojnë me mbetjet dhe erën e keqe.

“Bashkia erdhi para dy vitesh, hoqi barishtet dhe asgjë tjetër. Është shqetësim për ne, gjithë ujërat e zeza na kalojnë para shtëpisë. Burim infeksionesh, kemi shkuar ne Bashki, se di se çfarë do të bëjnë ata”- u shpreh i shqetësuar një banor i Frashërit për Faktoje.

Edhe në 27 nëntor të vitit 2020, Faktoje ngriti këtë problem për banorët e fshatrave në Patosit, mirëpo duket se thirrjet kanë rënë në vesh të shurdhër.

Rreth një vit më parë, Faktoje pyeti zyrtarisht edhe Bashkinë Patos nëse ishte kryer ndërhyrja e premtuar në rrjetin e ujërave, por në përgjigje konfirmohej se ishte e vështirë kryerja e saj.

Nga vëzhgimi i Faktoje në terren dhe përgjigjia e Bashkisë Patos, këtë premtim do ta kategorizojmë TË PAMBAJTUR./ Faktoje.al