Më 4 automjete zjarrfikëse që u përkasin tri dekadave më parë, për të cilat dokumentacioni tregon se janë vit prodhim nga 1984 e në vijim, Bashkia e Gjirokastrës kishte planifikuar ta përballonte me sukses emergjencën nga zjarret e shkaktuara gjatë verës. Por llogaritë ishin bërë gabim.
Në krye të disa orëve, disa fshatra dhanë alarmin dhe kur strukturat vendore e humbën fillin, të çoroditur, ushtarë të Forcave të Armatosura shpërndaheshin me shërbime urgjente sa në malet e Vlorës e sa në Gjirokastër.
Rajoni po kalonte po ashtu ditë të vështira të ndezura nga temperaturat e larta, por autoritetet vendore të gjendura ngushtë deklaruan se helikopterët e dërguar nga partnerët si mbështetje do ta normalizonin gjendjen.
Në Gjirokastër, numri i zjarrfikësve të strukturave vendore rezultoi i paktë për të përballuar vatrat në qytet dhe në pyje. Aq më tepër që prej trupës prej 33 zjarrfikësish, vetëm për dhjetë prej tyre ekzistonin uniformat zjarrduruese. Vetëm brenda një dite gjatë fillim gushtit, 700 hektarë u pushtuan nga flakët në këtë zonë, ndërkohë që bilanci u bë tragjik edhe me jetë njerëzish.
Në kulmin e verës, qytetarë të shumtë në vend përjetuan frikën e tërbimit të zjarreve që zgjatën me javë dhe që kanosnin dhe kërcënonin në varësi të drejtimit të erës.
Nga katër bashkitë që kaluan emergjencën e zjarreve gjatë verës dhe konkretisht Gjirokastër, Vlorë, Kukës dhe Selenicë, asnjë prej tyre nuk ka ende një bilanc se sa është dëmi ekonomik i shkaktuar nga shkrumbimi i të mbjellave, djegia e bagëtive dhe në pyje.
Nga të dhënat e siguruara nga “Sinjalizo”, raportohet se në Gjirokastër, zjarret dogjën një hapësirë prej 1172.7 hektarësh përgjatë muajve janar – shtator. Në Kukës flakët zotëruan 2043 ha, nga të cilët 1086.3 ha në pyje dhe 957 ha në kullotë, por fatmirësisht nuk pati dëme në jetë njerëzish. Ndërkohë në Vlorë zjarri përshkroi 455 ha, nga të cilat 100 ha ishin pronë e banorëve të këtyre fshatrave. Por flakët ishin kërcënuese për ditë të tëra në zonën e Mbrojtur Sazan-Karaburun, ku në mbyllje të emergjencës u tha se 4800 ha u përfshinë nga flakët.
Përse çdo vit përsëritet historia?
Në Korrik të 2020, Ministrja e Mbrojtjes e kohës, Olta Xhaçka ceremoninë e dhurimit të 1250 uniformave, e shoqëroi me konsideratën se miratimi i ligjit për mbrojtjen civile ishte një revolucion.
Qasja për të patur një agjenci të emergjencave civile nisi në 2017, atëherë kur qeveria kaloi Njësinë e Emergjencës Civile nga Ministria e Brendshme, në Ministrinë e Mbrojtjes. Por investigimi i ACQJ tregon se përpos ndryshimit të zyrave pranë Ministrisë së Mbrojtjes duke e emëruar si Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, transformimi mbetet vetëm në letra. Në inventarin e saj të mjeteve kjo agjenci zotëron vetëm tre automjete për mbështetje të transportit të stafit, që ende nuk është plotësuar.
“Struktura organike e AKMC është plotësuar në masën 55 % ( nga 106 funksione, janë plotësuar 59 pozicione të lira)”, shprehet zyrtarisht AKMC për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore. Vonesat e rekrutimeve shpjegohen me kufizimet e masave anti-COVID (distancimin social).
“Procesi i plotësimit organik është i lidhur ngushtësisht me procesin e funksionalizimit (krijimit të mjediseve dhe sigurimit të pajisjeve të punës) i cili është ende në vijim. Gjithashtu, procedurat e rekrutimit kërkojnë 30-45 ditë kohë për t’u realizuar”, thotë ndër të tjera AKMC për “Sinjalizo”. E ndërsa kryeministria ka nxjerrë 3 urdhëra për hartimin e planeve të emergjencave dhe dokumentet e parandalimit të rriskut, ende nuk është bërë asgjë për vlerësimin e riskut të fatkeqësive.
“Përveç Planit Kombëtar të Emergjencave Civile dhe planeve të harmonizuara në nivel qarku dhe lokal, aktualisht janë në proces hartimi dokumentet strategjikë, si Plani Kombëtar i Emergjencave Civile, Vlerësimi i Riskut nga Fatkeqësitë, Strategjia Kombëtare”, shprehet AKMC, që pretendon të kapë standardet e Mbrojtjes Civile Evropianë, pavarësisht se edhe në zjarret e verës 2021 u pa se reagimi dhe ndërhyrjet ishin të improvizuara deri aty sa forcat e armatosura ndërhynë duke shuar zjarret me shkarpa e dhe.
Kjo situatë e reagimit të ngadaltë, që detyroi kreun e KLSH Arben Shehu ti bënte thirrje publike kreut të emergjencave të kthehej në detyrë, solli një auditim për të cilin gjetjet do të bëhen të ditura në fund të vitit. E gjitha kjo erdhi mbasi në zonën e Karaburunit, vatrat e flakëve po përparonin, por ndërhyrja nuk dukej askund. Autoritetet u zgjuan me vonesë.
Agjencia që nuk koordinon, mjetet jashtë funksionit
AKMC aktualisht është në rolin e autoritetit koordinues dhe nuk zotëron asnjë mjet ajror apo tokësor për ndërhyrje në situatë emergjente. Sipas ligjit 45/2019 ekzistojnë institucionet dhe strukturat vendore të mbrojtjes civile të cilat kanë përgjegjësi në parandalimin dhe ndërhyrjen në rast fatkeqësish si dhe vlerësim risku. Këto institucione vendore nisin prej Prefektit të Qarkut, Komisioni i mbrojtjes Civile në nivel qarku dhe bashkie, Bashkitë dhe strukturat e decentralizuara të institucioneve dhe të strukturave qendrore të mbrojtjes civile. Por kapacitetet teknike mungojnë edhe në nivele lokale, mbasi këto struktura vendore nuk kanë kapacitetet e duhura.
Edhe pse nga të dhënat që i përkasin 2020, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin, përshkruan se zotëron 150 automjete zjarrfikëse dhe 1250 punonjës, nuk ka asnjë fakt se si paraqitet realisht në terren gjendja e tyre dhe a janë apo jo të gjitha mjetet funksionale.
Shërbimi Zjarrfikës
Megjithatë, Bashkia e Kukësit përmend se Drejtoria e Shërbimit Zjarrfikës të Kukësit me një total numri punonjësish prej 41 zjarrfikësish, 5 prej të cilëve në rol administrate dhe 36 në rol operativ, ka në inventar 3 automjete me një kapacitet prej 8000 L ujë, por të tre këto automjete janë jashtë kushteve teknike, pra jo funksionale. Gjithashtu kjo Bashki zotëron edhe dy automjete, një prej tyre e instaluar në tunelin “Thirrë- Kalimash” dhe një tjetër në stacionin e Kukësit. Të dyja këto mjete kanë një kapacitet prej 4000 L ujë. E gjithë kjo infrastrukturë konsiderohet e pamjaftueshme për të mbajtur nën kontroll terrenin malor të Kukësit, edhe pse përmenden si pajisje edhe moto-sharra, guri-freksibël, barabanë- rrymë, kazma, lopata, vare, sëpata, dhe çanta shpine me kapacitet 20L ujë.
Të dhënat janë pesimiste edhe për bashkinë e Vlorës që u dorëzua për neutralizimin e zjarreve. Numërohet një mjet zjarrfikës vit prodhimi 2012 dhe tre mjete Iveco. Me 30 zjarrfikës në staf edhe ata nuk janë të pajisur të gjithë me veshjet zjarrduruese që u përkasin disa viteve më parë.
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore pyeti Ministrinë e Mbrojtjes në lidhje me angazhimin e flotës ajrore të këtij institucioni në situatën e emergjencës së krijuar nga zjarret. Por që prej datës 28/09/2021 në të gjitha kanalet e komunikimit, prej e-mailit zyrtar, telefonatave e deri te zyra e marrëdhënieve për mediat, nuk pati asnjë përgjigje deri në momentet e botimit të këtij artikulli./ ACQJ.al