Gotulla mund të ishte një destinacion turistik. E ka marrë këtë emërtim, për shkak se kështu përshkruhet ndryshe në gjuhën shqipe, perimetri i një gjiri pranë grykës së një lumi. Por kjo zonë e bekuar nga distanca e afërt me vijën bregdetare, njëherazi është e mallkuar nga vërshimet e mbetjeve që sillen gjatë rrugëtimit të lumit Ishëm, njohur ndryshe si Lumi i Tiranës. Derisa derdhet në Adriatik, lumi degëzohet duke marrë përpara por edhe duke lënë gjurmë inertesh, plehrash e mbeturinash që janë kthyer në një tmerr dhe që përditë e më tepër janë një betejë e humbur. Gati 40 kilometra nga Tirana, Gotulla e Kurbinit gjendet pranë grykëderdhjes së lumit Ishëm. Pirgjet me plehra janë kthyer në pamjen e pandryshueshme të zonës.
Vetëm 1 kilometër nga grykëderdhja, ngrihet ndërtesa e impiantit të pastrimit të Ishmit që nëpërmjet barrierave duhet të ndalonte depërtimin e mbetjeve të të gjitha natyrave. Për të mbërritur atje, rruga është e vështirë. Menjëherë pasi lë aksin kryesor dhe merr krahun drejt fshatit Gotull, aty fillon së bashku me rrugën me kalldrëm dhe vështirësia që vende-vende kthehet në një “mision” lutjesh për të mos ngecur midis gropave. I njëjti test vazhdon derisa mbërrihet pranë impiantit që u ndërtua 4 vite më parë. Porta është e mbyllur, ndërsa era e rëndë e lumit prej ndotjes nuk të lejon të qëndrosh shumë gjatë aty. Fshati i Gotullës duket si i shkretuar, shumë banorë ose janë shpërngulur drejt qytetit ose kanë emigruar. Si banorë të fshatit janë vetëm mosha e tretë.
Megjithatë përtej rrëfimeve të banorëve negociatat për ta zgjidhur situatën nisën pesë vite më parë. Impianti u pa si çelësi që duhet të hapte valën e pastrimit. Në vitin 2017, gjatë inaugurimit të tij, ministri i turizmit dhe mjedisit të asaj kohe, Blendi Klosi, e cilësonte si një investim të madh.
Nga të dhënat e Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, ky projekt rezulton se së bashku me rikualifikimin e vijës bregdetare të Gotullës kushtoi 202 milionë lekë.
ACQJ u interesua edhe për shpenzimet që janë kryer nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për mirëmbajtjen e këtij impianti, por që prej datës 28 shtator e deri tani nuk ka pasur asnjë përgjigje për këtë çështje.
Sipas një auditi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ky investim është rritur artificialisht me 8.2 milionë lekë.
Çfarë ndodhi pas ndërtimit të impiantit?
Sistemi i mbledhjes dhe kapjes së mbetjeve pluskuese në grykëderdhjen e Ishmit është i përbërë nga 3 barriera. Barriera e parë është e përbërë nga kavo çeliku, e cila duhet të kapë mbetjet e rënda – trungje pemësh, ndonjë kafshë të ngordhur që mund të sjellë lumi ose degë të ndryshme, kurse barriera e dytë dhe e tretë – të përbëra prej materiali pneumatik, shërbejnë për kapjen e mbetjeve pluskuese.
Nga monitorimi i bërë në vendngjarje nga “Sinjalizo”, mbas denoncimit të disa banorëve pranë platformës, rezulton se ky impiant ka dalë pothuajse jashtë funksionit. Vetëm dy barrierat e para funksionojnë, ndërsa barriera e tretë ka dalë jashtë funksionit së bashku me transporterin, ku ka filluar të mbijnë shkurret dhe ferrat.
Dicka e tillë e konstatuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, u pranua pas studimit të masterplanit të përpiluar shtatorin e 2020. Që impianti ishte hequr nga shanset për të shpëtuar Gotullën pranohet vetëm me një frazë, por pas të cilës nuk ka asnjë plan konkret se si do veprohet në vazhdim.
Ndërsa sipas ekspertit për Menaxhimin e Mbeturinave edhe Ekonominë Qarkore, Lulzim Baumann i cili ka trajtuar çështjen e lumit të Ishmit, kjo nuk ishte një zgjidhje e duhur edhe e saktë. Gjithë problematika që nënvizon eksperti lidhet me raportin e zhdrejtë midis sasive të mëdha të mbeturinave që derdhen në det dhe kapaciteteve të impiantit që me pak fjalë konsiderohet prej tij si “dështim”.
Zgjidhja e ndotjes së lumit të Ishmit, duhet të jetë aty ku fillon lumi, jo në grykëderdhje të saj, pasi është e pamundur që ta rregullosh vetëm me dy barriera, ndërsa vë theksin edhe tek ujërat e zeza. Gjithë zgjidhja sipas kryeplakut të Gotullës duhet të nisë së pari me identifikimin e vendeve të ndotura e më pas minimizimin e prurjeve përgjatë shtratit të lumit.
Nga ana tjetër, sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), 370 mijë banorë ose 13.1 % e popullatës në Shqipëri nuk mbulohen me shërbime komunitare për menaxhimin e mbetjeve urbane.
Edhe kur këto shërbime ekzistojnë, mbetjet shpesh depozitohen në vendgrumbullime të pamenaxhuara afër shtretërve të lumenjve.
Mosfunksionimin e këtyre barrierave e faktojnë edhe fushatat e kryera nga organizata “Enforce – Engineers for Climate and Environment”, për pastrimin e grykëderdhjes së lumit të Ishmit, ku vetëm në fushatën e kryer në majin e këtij viti, ata arritën të mblidhnin një sasi të madhe mbeturinash, jo vetëm në grykëderdhjen e lumit, por edhe në vijën bregdetare të Gotullës.
Nga një vëzhgim i bërë nga “Sinjalizo”, një organizatë ndërkombëtare e quajtur “The Ocean Clean Up”, që merret me monitorimin për ndotjen e lumenjve në të gjithë botën e liston lumin e Ishmit si lumin e tretë më të ndotur në Europë. Përpara këtij lumi renditen vetëm dy lumenj në Turqi, të cilët edhe për nga madhësia dhe gjatësia janë disa herë me të mëdhenj se Ishmi. Sipas kësaj organizate nga lumi i Ishmit depozitohen në detin Adriatik, 503.600 kg mbeturina në vit.
Ky monitorim i cili mat në kohë reale derdhjen e mbeturinave në dete nga lumenjtë e ndryshëm tregon edhe njëherë se barrierat e vendosura në vitin 2017, nuk e kanë kapacitetin për të përballuar një peshë kaq të madhe të mbeturinave.
ACQJ kontaktoi me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për ti kërkuar një reagim për mosfunksionimin e impiantit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk pati asnjë koment.
Gjithashtu “SINJALIZO” kontaktoi edhe me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për ti pyetur në lidhje me vendosjen e masave administrative për ndotjen, por nuk patëm asnjë reagim./ ACQJ