Gjirokastër, mjedis i pastër prioritet i buxhetit lokal 2022

Investimet për një mjedis të pastër, në funksion edhe të zhvillimit të turizmit, është prioriteti…

By admin

Investimet për një mjedis të pastër, në funksion edhe të zhvillimit të turizmit, është prioriteti i Bashkisë Gjirokastër në buxhetin lokal për vitin 2022. Projektbuxheti për vitin e ardhshëm po diskutohet me grupet e interesit dhe komunitetin në dëgjesat publike që zhvillohen në qytet dhe njësitë administrative. Sipas kryetarit të Bashkisë, Flamur Golemi, kryefjala e buxhetit lokal 2022 është mirëmenaxhimin i mbetjeve urbane dhe mbrojtja e mjedisit. “Përgjatë projektbuxhetit që po diskutojmë në dëgjesat publike, kemi parashikuar investime në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, përmirësim të infrastrukturës teknike për depozitimin dhe transportimin e mbetjeve, rritje të numrit të kontejnerëve dhe koshave si në lagjet e qytetit ashtu dhe në fshatra”, shprehet kryebashkiaku Golemi. Në bashkëpunim me komunitetin synohet që investime të tilla të shërbejnë për një mjedis të pastër, i cili do të ishte një pikë e fortë për zhvillimin e turizmit në tërësi dhe aq më tepër të turizmit kulturor dhe agroturizmit në zonën e Gjirokastër. Aktualisht në Gjirokastër strukturat e institucioneve publike, pushtetit vendor si dhe komunitetit janë bërë pjesë e nismës kombëtare për pastrimin e mjedisit. Shqetësim në këtë drejtim është depozitimi i mbetjeve urbane në mjediset publike, shtretërit e përrenjve, etj. duke shkaktuar ndotjen e mjedisit.