Fillimisht protestuesit firmosën një peticion që do t’i dërgohet qeverisë shqiptare dhe Ambasadës së SHBA-së në Tiranë kundër ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës.
“Më një tetor në Skavicë erdhi ministrja Balluku, e shoqëruar me ambasadoren amerikane Kim. Thanë që jemi në fazën e studimit. Si mund të jemi në fazën e studimit kur aty kanë nis punimet?”, – tha Nazmi Drizi, një nga organizatorët e protestës, si edhe kryetar i shoqatës “Drini i Zi”.
Zenel Hoxha, një aktivist që jeton në Angli prej 28 vitesh, tha se ky vendim është arbitrar duke shkelur të gjitha normat e demokracisë.
“Nuk mund të bëhet biznes në kurriz të Dibrës”, – theksoi Hoxha.
Historiani Haki Përnezha shtoi se ky projekt që publikohet fshehurazi nga shteti jonë, vetëm nëpërmjet televizionit, duke injoruar 32 mijë banorë dhe 16 mijë familje, është i patolerueshëm.
“Ndërtimi i këtij hidrocentrali është më shumë i dëmshëm sesa i dobishëm. Niveli i të ardhurave të bizneseve përreth këtu, do të ulet, për shkak të largimit të popullatës”, – pohoi Përnezha.
Bashkim Mashkulli, kryetari i këshillit të komunës së Dibrës së Madhe, deklaroi se dëmi që do t’i sjellë Skavica Dibrës është i paimagjinueshëm.
“Do të thotë të dënosh me vdekje 33 fshatra”, – tha ai.
Bashkim Mashkulli solli në kujtesë rastin e Dibrës së madhe ku janë ngritur tre hidrocentale.
“E dini sa është fitimi i Dibrës së Madhe? Zero, asnjë lekë. Dhe ju nuk do të fitoni asnjë lekë”, – përfundoi Mashkulli duke ju drejtuar protestuesve.
Organizatori Nazmi Drizi paralajmëroi se protestat nuk do të ndalen duke arritur edhe në mosbindje civile.
“Shpëtimi i Shqipërisë, fundosja e Dibrës”
“Skavica që ka filluar tani nga puna dhe që do të ndërtohet brenda këtij mandati me ndihmën e zotit, do na japë mundësi të ruajmë rezerva”, – tha kryeministri Edi Rama gjatë një fjalimi rreth krizës së energjisë muajin e kaluar.
Historia me projektimin e hidrocentralit Skavica daton që në vitet 1970, pasi u konceptua si një digë që do të shërbente si rezervuar për ujin e Drinit të Zi.
Në vitin 2000 projekti iu dha me koncesion një kompanie italiane, por nuk u materializua kurrë.
Në vitin 2009 qeveria hapi një ankand për të tërhequr oferta për ndërtimin e hidrocentralit, i cili rezultoi sërish pa sukses.
Më 23 shjetor 2015 qeveria shqiptare i akordoi nje bonus për hidrocentralin një kompanie turke, bashkim dy kompanish (“Suzer Group” dhe “Nurol Holding”), vendim i cili u shoqërua me denoncime për klientelizëm, pasi nuk u publikua as në faqen zyrtare të kryeministrisë.
Më 5 korrik 2021 u nënshkrua kontrata midis Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare dhe kompanisë amerikane Bechtel, e shpallur fituese pa garë.
Qeveria shqiptare ka tentuar disa herë pa sukses në të shkuarën të anashkalojë ligjin e prokurimit publik apo atë për partneritetin publik-privat me qëllim që të paracaktojë një fitues të një projekti pa garë.
Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë që qytetarët e Dibrës organizojnë protesta. Më dhjetor te 2020 Policia e Dibrës ka gjobitur me nga 5 milionë lekë të reja dy organizatorët e protestës kundër ndërtimit të HEC-it të Skavicës, konkretisht Nazmi Drizin, kryetari i shoqatës “Drini i Zi” dhe Ali Hoxha president i së njëjtës shoqatë./ Citizens Channel