Prej ditësh kjo problematikë është raportuar në media, se si subjektet ndërtimore pasi shembin objektet e vjetra, mbetjet e gjeneruara prej tyre, hidhen anësh Shkumbinit.
Policia e Elbasanit, në një deklaratë për mediat njofton se ka evidentuar disa raste të ndotjes së mjedisit dhe ua ka adresuar bashkive përkatëse, me qëllim marrjen e masave për heqjen e tyre.
Policia ka njoftuar se “Pas referimit të rastit nga Komisariati i Policisë Peqin, për ndotjen në luginën e lumit Shkumbin, prej disa ditësh bashkia e Peqinit vijon punën për pastrimin e mbeturinave të hedhura e grumbulluara prej vitesh në këtë luginë”.
Për më tepër Policia e Peqinit në bashkëpunim me bashkinë e këtij qyteti, ka filluar prej disa ditësh një aksion pastrimi, por nuk ka asnjë deklaratë nëse janë identifikuar autorët përgjegjës të kësaj katastrofe mjedisore dhe nëse do të vendosen përballë përgjegjësisë.
Top Channel ka treguar se si inertet dhe mbetjet urbane kanë pushtuar urën dhe aksin rrugor në daljen perëndimore të qytetit të Peqinit.
Edhe lugina e lumit Shkumbin duket se përdoret nga subjekte të ndryshme apo qytetarë për grumbullimin e masiveve të mëdha me inerte. Në 7 bashkitë e qarkut e Elbasanit, sipas inspektoratit të mjedisit, janë të përcaktuara vendet e inerteve, e megjithatë, pavarësisht sanksioneve subjektet nuk respektojnë ligjin.
Për të shkarkuar inertet në Elbasan kamionëve nuk u duhet të qarkullojnë natën, krimi mjedisor ndodh në mesditë. Në shumë raste kamionët në këtë zonë nuk shkarkojnë vetëm inertet, por edhe mbetjet urbane, për këtë arsye ky landfill ilegal qelbet në erë ngordhësirash.
Sipas planit kombëtar të menaxhimit të mbetjeve, të gjitha mbetjet e ngurta duhet të depozitohen në një vend të përcaktuar nga rajoni ose pushteti lokal, më pas vjen procesi i përpunimit të tyre.