Shirat e rrëmbyeshëm sjellin përmbytjet e para në Shkodër, qindra hektarë nën ujë

Në lidhje me situatën e krijuar ka folur edhe administratori i Njësisë Ana e Malit…

By admin

Zona e nën Shkodrës ka shënuar përmbytjet e para si pasojë e reshjeve të shumta të shiut që kanë përfshirë qarkun në 24 orët e fundit. Kështu, në fushën e Goricës janë rreth 200 ha tokë nën ujë për shkak të përroit kufitar me Malin e Zi, në të cilin nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje gjatë viteve të fundit.

Në lidhje me situatën e krijuar ka folur edhe administratori i Njësisë Ana e Malit në Bashkinë Shkodër, Arben Ceni.

Në një prononcim për ‘Fax News’, Ceni shprehet se zona e Obotit ka problem vetëm me mire menaxhimin e kaskadës së Drinit, teksa solli në vëmendje një tjetër problematikë, atë që banorët ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet e tyre për dy përmbytjet e fundit.

“Pas shirave të fuqishëm dy ditët e fundit, gjendja e zonës duket normale, por përveç fshatit Muriçan ku ka një përmbytje të rreth 200 hektarëve tokë dhe kjo si pasojë e përroit ndërkufitar. Këtë problem e kemi ngritur dhe herë të tjera dhe nuk është vënë dorë.

A është bërë ndonjë ndërhyrje?

Pavarësisht se Bashkia Shkodër ka bërë hapjen e kanaleve kulluese vitin që shkoi, këto prurje të mëdha dhe përroi, kuotat e ujit rriten dita ditës dhe jemi afër një përmbytje të madhe. Situata është e qartë, zona e Obotit është normal, mund të kemi ndonjë problem vetëm me kaskadën e Drinit.

Gjithashtu Ceni u bën thirrje autoriteteve “Sytë i kemi te kaskada, duhet menaxhuar mirë sepse  përmbytja mund të bëhet akoma më e madhe nëse shteti shqiptar nuk ndërhyn.

Po punojmë për hapjen e një kanali kryesor, por banorët kanë ende frikë se dora e shtetit nuk shihet. Ata akoma nuk kanë marrë dëmshpërblimet e përmbytjeve të para, presin në mëshirë të fatit-përfundon  Ceni./ Dosja.al