Ndërprerja e reshjeve të shiut prej mbrëmjes së të dielës ka bërë që niveli i lumit Vjosa të bjerë mëngjesin e të hënës. Megjithatë, korrespondenti i Panorama bën me dije se dhjetëra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë.
Moti i keq me reshje të dendura shiu bëri që në fundjavë lumi i Vjosës të dalë prej shtratit të saj.
Sot, uji është tërhequr nga banesat, duke lënë pas baltë dhe llum. Nga raportimet zyrtare mësohet se niveli i lumit Vjosë ka shkuar në 6.3 metra.
Banorët e zonave të prekura kanë apeluar për ndihmë pasi dëmet që u janë shkaktuar nga përmbytja janë të shumta.
“Unë bëj thirrje kush të më ndihmojë, kush e dëgjon, qeveria tek ajo mbështetemi, edhe bizneset të na ndihmojnë. Emergjencat kanë qenë, kur erdhi uji nuk futej këmbë robi. Shyqyr që doli dielli që të ngrohemi, por çfarë do të bëjmë natën. Fëmijët i kemi të larguar, gjithsekush punon për vete, nuk di çfarë të bëj gruan e kam me problem shëndetësore”, tha një banor.