Zhurmat janë një problem i madh për qytetarët, por që për shkak të neglizhencës së institucioneve, qytetarët janë të detyruar të bashkëjetojnë me ndotjen akustike.
Ekspertët tregojnë se pasojat që sjell zhurma janë po ashtu të pa trajtuara dhe të lëna në harresë, ndërsa publiku ka pak informacion mbi këtë problem.
Lëvizja Ecovolis dhe instituti CoPlan organizuan sot një tryezë diskutimi, ku paraqitën të dhëna mbi nivelin e zhurmave në Tiranë, si edhe një nismë që synon përmirësimin e situatës.
Të dhënat zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) tregojnë se ndotja akustike urbane në kryeqytet arrin vlerën 70dB ditën dhe 57dB natën, rreth 20dB më e lartë se standardi i BE për nivelin kufi të ndotjes akustike.
Shkëlqim Mema, ekspert i ndotjes akustike theksoi se është shumë problematike fakti që nuk ka një autoritet për zhurmat. Po ashtu ai tha se është problem fakti që personat që merren me këto çështje nuk kanë njohuritë e duhura. Mema tha se një ekspert i ndotjes akustike duhet të ketë njohuri në fizikë.
Shqipëria ka një ligj ekzistues për zhurmat, i cili është miratuar në vitin 2007.
Ligji ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe të mjedisit nga zhurmat, “duke përcaktuar mënyrën e shmangies dhe masat për parandalimin, reduktimin dhe zhdukjen e efekteve të dëmshme të ekspozimit ndaj tyre, përfshirë bezdinë nga zhurma”.
Mema u shpreh gjatë diskutimit, teksa foli mbi këtë ligj se: “Unë kam qenë një nga autorët dhe janë bërë shumë ndryshime që në atë kohë, jo shumë të përshtatshme, dhe ato që janë bërë nuk kanë janë bërë për tu realizuar”.
Stabilizimi i kuadrit ligjor, duke i vënë theksin vlerësimit teknik, mbledhja e informacionit, ekspozimi i tij dhe vlërësimi i perceptimit të publikut, janë disa nga pikat që eksperti Mema i vlerëson si të rëndësishme.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (MTM) duke mos miratuar një sërë udhëzimesh, ka dështuar të plotësojë kuadrin ligjor mbi zhurmat mjedisore me akte nënligjore.
Në faqen e MTM-së mund të gjesh disa udhëzime dhe VKM në lidhje me zhurmat, por të cilat sipas ekspertëve të pranishëm në diskutim nuk kanë gjetur ndonjë zbatim në terren, duke parë problemet që ka sot me ndotjen akustike.
Nga e gjithë panorama, vihet re se ka një neglizhencë nga ana e qeverisë dhe institucioneve për ndotjen akustike. Që nga miratimi i ligjit në 2007 nuk ka pasur më pas ndonjë studim për të parë ndikimin e tij.
Në vitin 2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) bëri një auditim, pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Bashkisë Tiranë.
Auditimi nxori në pah shumë parregullësi:
Këshilli Teknik për Zhurmat nuk është ngritur dhe nuk ka funksionuar asnjëherë.
Bashkia Tiranë nuk ka miratuar Planin Vendor të Veprimit për zhurmat.
Ministri i MTM në bashkëpunim me ministrin që mbulon rregullimin e territorit, nuk kanë miratuar udhëzimin për kërkesat dhe rregullat për reduktimin e zhurmave në mjedis, që në procesin e hartimit të palneve të territorit.
Bashkia Tiranë nuk ka realizuar hartëzimin e zhurmave për qytetin e Tiranës.
Orari i punimeve në lejet e ndërtimit që Bashkia e Tiranës miraton, nuk është i përcaktuar.
Bashkia Tiranë nuk ka vendosur kritere për përdorimin e materialeve të izolimit akustik në lejet e ndërtimit.
ISHP nuk ka asnjë metodologji/manual/udhëzim për të vlerësuar barrën mjedisore të zhurmave
Në Vendimin e Kryetarit të KLSH-së për auditimin e performancës “Ndotja akustike” janë dhënë 39 rekomandime për organet e qeverisjes qendrore dhe vendore të cilat synojnë reduktimin e problemeve të ngritura në auditim dhe përmirësimin në tërësi të situatës aktuale lidhur me zhurmat mjedisore dhe efekteve negative që ato japin në shëndetin e popullatës.
Dy vite pas këtij auditimi, institucionet nuk kanë marrë ende ndonjë nismë konkrete për zgjidhjen e këtij problemi. Bashkia Tiranë ka deklaruar se ka nisur punën për hartimin e një plani i cili synon rregullimin e ndotjes akustike./ Citizens Channel