Pamjet në terren dëshmojnë një zjarr thuajse të fikur mbi grumbuj plehrash të shpërndara, pak metra larg Vjosës. Teksa hyn lehtësisht në vendgrumbullimin afër shtëpive të banuara, mund të vësh re “kategorizime” mbetjesh duke filluar nga organe kafshësh, plastikë, xham dhe inerte, të shpërndara nëpër territor. “U telendisëm, jo ne po gjithë qyteti… ditë për ditë venë ia vënë vetë zjarrin, se nuk bie zjarri vetë. Është turp i madh që të marrësh mbeturinat edhe ditë për ditë dhe t’i hedhësh në Vjosë”.
“Pse nuk i shohin ata që këto venë në Vjosë?!”, – ngre më tej pyetjen Besniku.
Besnikun dhe familjarët e tij i mban shpresa se do të investohet në zgjidhjen e problemit, pasi vendgrumbullimi i mbetjeve shtrihet pak metra larg lumit Vjosa. Ata e dinë që Vjosa tashmë është bërë çështje ndërkombëtare.
Me nostalgji Besniku kujton një kohë kur nga lumi gëzonte e gjithë Tepelena.
“E di si e kemi pasur këtë lumin ne? Tepelena, gjithë Tepelena vinte dhe rrinte në zall. Kënaqeshim! Këta e qelbën! Ku të vemi në lumë ne?!”
I moshuari rrëfen se është i gatshëm të dhurojë një pjesë të pensionit të tij prej 20.000 lekësh, vetëm e vetëm që të rregullohet situata e mbetjeve pak metra larg shtëpisë së tij.
Të tjerë banorë, tregojnë se janë të detyruar të kyçen brenda sa herë mbeturinave i vihet zjarri. Këtë problem ata e pohojnë prej 30 vitesh.
“Kur e kthen tymin era andej, shyqyr o zot. E ktheu era këtej, e kemi ne, mjerë ne! Dhe më e keqja është kur s’fryn erë, se vjen një gjendje të fjetur ajo, të bllokon”, – pohon një grua rreth të 50-tat e cila nuk dëshiron të identifikohet.
Në pritje të landfillit në Bajkaj…
Qarku i Gjirokastrës ka shtatë bashki dhe prodhon në vit një sasi prej 62 ton mbetjesh. Momentalisht, sa i përket Bashkisë së Tepelenës, mbetjet grumbullohen dhe hidhen në Majkosh. Përveç djegies, një mënyrë tjetër për të larguar nga “sytë” mbetjet është groposja e tyre.
Të pezmatuar, banorët shpjegojnë ciklin përmes të cilit kalon mbledhja e mbetjeve: “Merr këtu, hidh në kazan, merr nga kazani, derdh aty, ndiz me zjarr”.
“S’është zgjidhje!”, – pohon zoti Besnik, i cili ndjehet më keq se të ishte i dënuar në shtëpinë e tij. “Kur fryn era, mbyll derën edhe futu brenda, rri si dënuar”.
“Jo jo”,- kundërshton më pas ai veten, “të dënuarve u kanë lënë ajrim”, – përfundon ai.
Aleksandër Toti nga Bashkia Tepelenë shprehet i vetëdijshëm për problemin në fjalë, megjithatë tregon se Bashkia nuk arrin dot të mbulojë me shërbim të mbledhjes së mbeturinave në të gjithë zonën.
Sa i përket mbetjeve që mbulohen me shërbim nga Bashkia Tepelenë, ai pohon se ato hidhen po në Majkosh.
“Shërbimi kryesisht është e përqendruar në qytet dhe në zona që janë të arritshme me rrugë të asfaltuara”, – shprehet Toti. Ai shpjegon se situata mund të marrë zgjidhje me ndërtimin e landfillit të Bajkaj, i cili pritet të ndërtohet dhe të vihet në funksion pasi të hapet rruga Kardhiq-Delvinë.
Të njëjtën gjë pohon dhe Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro. Në një vizitë të kryer në Bajkaj një muaj më parë, Kumbaro tha se pas përfundimit të punimeve, shtatë Bashkitë e Gjirokastrës do t’i dërgojnë mbetjet urbane në landfill.
Punimet për ndërtimin e këtij landfilli kanë nisur në vitin 2015. Ishte vetë Kryeministri Edi Rama që vizitoi në terren ecurinë e punimeve, të cilat, ende pas gjashtë vitesh, nuk kanë përfunduar.
Edhe më herët, Citizens Channel ka raportuar rreth ndotjes dhe keqmenaxhimit të mbetjeve në qarkun e Gjirokastrës. Përfaqësues të Bashkisë pohuan se nuk kanë kapacitete financiare për të mbuluar këtë shërbim që rëndon cilësinë e jetës së banorëve./ Citizens Chanel