Në kuadër të projektit ndërkufitar “KAPËRCIM I GJELBËR– Drejt ekonomisë së gjelbër vendore përmes investimeve inteligjente” u zhvillua trajnimi vijues në Has, fizikisht dhe online në datat: 9, 10 dhe 17 dhjetor 2021.
“Ndikimi i ekonomisë se gjelbër në rritjen e ekonomisë” që solli bashkë mbi 25 pjesëmarrës. Trajnimi bashkoi përfaqësues nga dy bashkitë Has dhe Klinë, punonjës të administratës, nisma ekonomike lokale, të rinjtë etj. Trajnimi synoi të rriste kapacitetet e pjesëmarrësve mbi ndikimin e ekonomisë se gjelbër në rritjen e ekonomisë vendore dhe ndërkufitare. Nëpërmjet hapave të këshilluar secila bashki mund të ndjek një plan konkret për planifikimin e zhvillimit të gjelbër. Në trajnim u prezantuan hapat këshillues që të dyja bashkitë mund të përzgjedhin për hartimin e planeve, strategjive për zhvillimin e ekonomisë lokale duke u bazuar në konceptet e ekonomisë së gjelbër.
Trajnimi u shoqërua me diskutime dhe me shembuj konkret duke u bazuar në hapat e këshilluara që ndiqen për një planifikim të zhvillimit të gjelbër: që nga diagnoza e situatës, analiza e palëve të interesit, vlerësimi i mundësive, krijimi i programit të mundshëm dhe ofrimi i rekomandimeve. Pjesëmarrësit patën mundësi që të njiheshin me realitetet e të dy bashkive për të mësuar më shumë rreth mundësive që ofron secila prej tyre. Investimet konkrete që kanë ndodhur në Bashkinë Has dhe në Komunën Klinë ishin rastet më të mira që pjesëmarrësit të vinin në praktikë pjesën teorike të trajnimit dhe për të kuptuar përfitimet ekonomike që vijnë nga investimet inteligjente, që çojnë drejt ekonomisë së gjelbër. Në Bashkinë Has është ndryshuar ndriçimi i jashtëm rrugor me llamba LED efiçiente që kursejnë energjinë dhe në komunën Klinë është zhvilluar investim me panele diellore për të përdorur burimet e ripërtëritshme dhe për të gjeneruar energji. Bujqësia ishte një nga sektorët që u trajtua më shumë nga pjesëmarrësit si një sektor që identifikohet si i rëndësishëm për ta patur në vëmendje për zhvillimin e gjelbër dhe se nevojat që ka ky sektor janë të mëdha. Bashkitë kanë buxhet të vogël, por nëpërmjet investimeve inteligjente sektori mund të ketë një perspektivë të re. Sugjerime dhe komente praktike pasuan në lidhje me sektorin e bujqësisë që është një sektor i rëndësishëm për të dyja bashkitë. Dita e fundit e trajnimit u zhvillua një javë pas dy ditëve intensive për të lënë kohë në asimilimin e informacionit dhe për të zhvilluar secili pjesëmarrës një punë në nivel më personal, dhe u zhvillua një diskutim me pjesëmarrësit sesi ndodh zbatimi i hapave konkret në terren edhe te rëndësia që ka monitorimi i punës së ndjekur dhe në analizën e gjithë procesit duke nxjerrë mësime.
Pjesëmarrësit në fund të trajnimit u shprehën: “Trajnimi ishte shumë i vlefshëm në lidhje me mjedisin dhe përditësimi i zhvillimeve në nivel lokal me specialistë të zonës” “Çfarë mësuam ishte rëndësia që investimet të kenë gjithmonë në konsideratë aspektin e mirëmbajtjes dhe kostos” “Njohja më konkretisht e investimeve në Has dhe në Klinë ishte shumë interesante për zhvillimin ndërkufitar”
Trajnimi do të pasohet me një manual udhëzues me një përshkrim të tërësisë së hapave të këshilluara për planifikim të gjelbër, manuali do ndahet me pjesëmarrësit dhe do jetë publik për ti ardhur në ndihmë jo vetëm bashkive në Shqipëri dhe Komunave në Kosovë, por dhe nismave ekonomike dhe bizneseve lokale
Ky është trajnimi i katërt, nga pesë trajnimet për zhvillimin e kapaciteteve, në kuadër të projektit ndërkufitar të financuar nga Bashkimi Evropian – IPA II “KAPËRCIM I GJELBËR– Drejt ekonomisë së gjelbër vendore përmes investimeve inteligjente”. Projekt zbatohet nga Balkan Green Foundation në Kosovë dhe Qendra mjedisore EDEN në Shqipëri me partnerët e saj në pushtetin lokal Komuna e Klinës dhe Bashkia e Hasit. / EDEN Center