Tubat e ujësjellësit që rrezikojnë kanionin dhe burimin e Sinecit

I cilësuar si “syri i kaltër” i Beratit, burimi dhe kanioni i Sinecit është zonë…

By admin

I cilësuar si “syri i kaltër” i Beratit, burimi dhe kanioni i Sinecit është zonë e mbrojtur me vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2002. Në vitet e fundit ky burim është shndërruar në një atraksion turistik. Por e gjithë zona e mbrojtur, kanioni dhe peizazhi i tij përreth që sot tërheq turistë, rrezikon që të shkatërrohet për shkak të një projekti të bashkisë Kuçovë për të ndërtuar aty një ujësjellës për të furnizuar me ujë shtatë fshatrat e njësisë administrative Lumas.

Kjo situatë ka shkaktuar edhe protesta të vazhdueshme prej gati 5 muajsh të banorëve të Lumasit, që kanë dalë kundër projektit të këtij ujësjellësi. Për banorët, ujësjellësi do shkatërronte çdo mundësi për pritjen e turistëve dhe shkatërrim të bujqësisë, pasi uji që përdorin për vaditje do futej në tuba. Për këtë komunitet, zbatimi i projektit për ujësjellësin është i padobishëm dhe dëmton perspektivën turistike të zonës. Ata ngrenë shqetësimin për mungesën e transparencës në procesin e konsultimit publik.

Për disa javë me radhë në këtë fshat u zhvilluan disa protesta, përplasje me policinë dhe disa banorë zhvilluan grevë urie. Kjo e fundit u ndërpre vetëm pas vendimit të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, për të pezulluar punimet.

Vlerat natyrore dhe turistike të sinecit

Parku i Sinecit ndodhet në pjesën më të madhe të tij brenda territorit të bashkisë së Gramsh dhe vetëm në një pjesë të vogël i takon bashkisë Kuçovë. Ai përfaqëson një kanion me përmasa të mëdha të formuar nga formacionet gëlqerore dhe veprimtaria e vazhdueshme karstike dhe gërryese e përroit të Saraselit. Kanioni llogaritet të jetë 300 metra i thellë në pikë maksimale, me shpate të thepisura në disa pjesë të tij. Burimi, kanioni bashkë me përroin e Saraselit çmohen për vlerat shkencore, ekologjike dhe turistike.

Kanioni i Sinecit

Sipas bashkisë Kuçovë dhe kompanisë Salillari punimet e zhvilluara deri në këto momente për të ndërtuar ujësjellësin për 7 fshatrat e Lumasit nuk kanë prekur zonën e mbrojtur. Banorët dhe avokati i tyre përfaqësues pretendon të kundërtën. Sipas avokatit Arben Llangozi, punimet janë zhvilluar brenda zonës së mbrojtur dhe në perimetrin rreth saj që quhet zonë buferike dhe ku nuk duhet të ketë ndërtime pa aprovimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

“Në projektin për ujësjellësin gënjehet dhe thuhet se Sineci nuk është e përfshirë në zonat e mbrojtura. Por për këtë nuk ka nevojë që unë të them gjë, por e rrëzon ky vendim i vitit 2022. Në projekt thuhet se jeta e banorëve nuk do të cenohet, kur në fakt ndodh e kundërta, pasi jeta e banorëve cenohet 100%. Po punohet në zonë të mbrojtur. Punimet duhet të bëhen në një distancë 19 metra jashtë zonës së mbrojtur. Punimet ligji thotë se nuk duhen bërë as në zonën buferike dhe jo vetëm brenda zonës së mbrojtur. Ligji thotë se duhet marrë leja e ujit dhe ata nuk e kanë marrë lejen e ujit deri në këtë moment, pra edhe në këtë pikë janë në shkelje të ligjit”, u shpreh Arben Llangozi për ACQJ. Siç paraqitet në këtë hartë të siguruar nga ACQJ, depo e planifikuar për ujësjellësin është brenda zonës buferike që rrethon zonën e mbrojtur. Ky konstatim rezulton edhe në inspektimin që bëri Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, dega Elbasan, e cila në përfundim urdhëroi pezulllimin e punimeve për shkak se janë zhvilluar punime në një zonë të mbrojtur.

Vendimi i AKZM Elbasan

ACQJ iu drejtua Kompanisë Salillari për një reagim në lidhje me zbatimin e projektit dhe ndikimin që ai do të ketë në zonë e mbrojtur dhe jetën e banorëve, por ndaj kërkesës sonë për informacion nuk pati asnjë përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.  Në vitin 2016 bashkia e Kuçovës, në masterplanin e saj propozonte krijimin e një parku kombëtar të përbashkët me bashkinë Gramsh ku të përfshihen vendburimi i Sinecit së bashku me shpellën e Xhixhilesë dhe zona të tjera piktoreske. “Një gjë e tillë mundëson ruajtjen e këtij burimi dhe kanioneve të tij si dhe shfrytëzimin e tij si një pasuri kombëtare dhe vendore për zhvillimin e turizmit. Promovimin e vendburimit dhe kanioneve të Sinecit si zonë turistike që ofron mundësi argëtimi dhe shplodhjeje”, thuhet mes të tjerash në këtë dokument të vitit 2016.

Sakaq, nga këndveshtrimi i ekspertëve të mjedisit, kjo çështje do duhet parë me seriozitet, pasi nevoja për furnizimin me ujë të banorëve të zonës, nuk mundet që të dëmtojë një pasuri natyrore që mbrohet prej vitit 2002.

Aleko Miho, profesor i Universitetit të Tiranës

Profesori i Universitetit të Tiranës, Aleko Miho u shpreh për ACQJ se krahas vlerave natyrore që ka ky burim, është e çuditshme sjellja e bashkisë, e cila nga njëra anë kërkon që ta shfrytëzojë si aset turistik, dhe nga ana tjetër kërkon ta marrë ujin për ujësjellës. “Zona është me vlera, nga ana hidrogjeologjike, ujëvare, kanion, habitate lumore ripariane të kërcënuara globalisht etj. Për këtë unë mbështes kërkesën e Bashkisë Kuçovë për t’u bërë pjesë e sistemit të Zonave të Mbrojtura, si Park Natyror (Kategoria IV) (2016). Mbështes fortë edhe kërkesat e ligjshme të banoreve, për gjithë shërbimet që ajo zonë u ofron atyre në shekuj. Ajo që më habit si dhe gjetke në Shqipëri, si Bashkia Kuçovë, nga njëra anë propozon që të shpallet Zonë e Mbrojtur (2016), dhe nga ana tjetër lejon investimin për të përdorur ujin e Ujëvarës për ujë të pijshëm për Kuçovën. Investim që është në kundërshtim me mbrojtjen e vlerave natyore, turistike, por dhe shërbimeve të tjera që kjo ujëvarë ofron, si vaditje, larje, shuarje e etjes së bagtisë, pa folur për ruajtjen e florës dhe bimësisë rrethuese, të faunes ujore, zbutjen e klimës, ushqim të burimeve të tjera nëntokësore gjatë rrjedhës etj”, theksoi profesor Miho.

Ahmet Mehmeti, ambientalist

Në të njëjtën linjë mendimi ishte dhe ambientalisti Ahmet Mehmeti, për të cilin në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që Burimi i Sinecit / Ujvara e Saraselit të shkatërrohen. “Burimi i Sinecit / Ujvara e Saraselit ka vlera mjedisore për rrjedhjen ujore shumë interesante, biodiversitetin, shkëmbin si formacion gjeologjik shumë të veçantë, peizazhin unik, interesin shoqëror të komunitetit pranë tij etj etj. Ky monument natyror ruhet me këmbëngulje prej 3 000 (tremijë) vjetësh qytetërim shqiptar i padëmtuar dhe i adhuruar. Pas tremijë vjetësh ja beh një racë shktërrimtarësh arrogantë që për interesat e tyre të pangopura kërkon ta shkatërrojë”, tha Mehmeti, i cili bëri edhe një propozim konkret,  “Të caktohet një roje pyjesh (reinxher) që ta ketë në mbikqyrje të vazhdueshme dhe që duhet të jetë nga kjo zonë, sa më pranë monumentit të natyrës. Atij mund t’i vihen edhe detyra të tjera në kuadrin e Zonave të Mbrojtura”.

Kundërshtitë mbi projektin

Për t’i dhënë zgjidhje nevojës 30-vjeçare për furnizimin me ujë të pijëshëm të fshatrave Lumas, Pëllumbas, Bardhaj, Sheqëz, Vodëz, Krekëz dhe Koritëz, në vitin 2017, Bashkia Kuçovë hartoi një projekt për ndërtimin e një ujësjellësi që ujin e burimit të Sinecit – Saraselit ta çonte në çemzat e banorëve në këto fshatra.  Bashkia Kuçovë në një përgjigje për Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore thekson se janë zhvilluar disa takime konsultuese me banorët e zonës, për të marrë mendimin e tyre për të hartuar një projekt që do të përputhej me kërkesat e tyre.

Bashkia Kuçovë

“Ky projekt zanafillën e tij e ka pasur që në vitin 2017 periudhë në të cilën janë zhvilluar disa takime me banorët dhe kryepleqtë e fshatrave të kësaj njësie administrative u ngritën shqetësimet për furnizimin me ujë te pijshëm të kësaj zone. Për sa i përket studimit të fizibilitetit ju sqarojmë se nga ky projekt në ketë njësi administrative do të furnizohen me ujë 7 fshatra ose 5800 banorë. Gjithashtu ju bëjmë me dije se nga ana e bashkisë Kuçovë në periudhën Korrik -Gusht ka pasur raste që është dërguar autobot me ujë në fshatrat Krekëz dhe Koritëz pasi këto fshatra kanë vetëm një çezmë furnizimi (burim natyror) i cili furnizon të gjithë fshatin, burim i cili këto 2 muaj shteron në maksimum”, theksohet në përgjigjen e bashkisë Kuçovë dhënë për ACQJ.

Por ky pretendim i bashkisë Kuçovë, kundërshtohet nga avokati Arben Llangozi, përfaqësues i banorëve të Lumasit. Sipas tij nuk ka pasur asnjë konsultim me banorët për të marrë ujin e burimit të Sinecit dhe për ta shpërndarë në 7 fshatra. Ai pretendon se Bashkia Kuçovë, me procedurat që ka ndjekur për të zbatuar projektin ka shkelur një sërë ligjesh.

Punimet për ujësjellësin

“Ne kemi dokumentet dhe të gjithë dosjen e plotë se vendimmarrja e bashkisë Kuçovë nuk është e bazuar në ligj. Analizat e ujit që janë bërë aty, kanë provuar se uji nuk është i përshtatshëm për t’u përdorur si ujë i pijëshëm. Bashkia dhe kompania do duhej të merrnin leje për ujin. Nuk është zbatuar as ligji për konsultimet me publikun. Është edhe neni 16 i ligjit për pushtetin vendor që është shkelur. ‘Për çdo vendimmarrje, pushteti vendor duhet të marrë miratimin e publikut…’. Ironia në këtë histori është se të gjithë ato fshatrat kanë ujësjellësa. Nuk ka pasur asnjë kërkesë të vetme të një qytetari të atyre fshatrave që të kenë kërkuar ndërtimin e një ujësjellësi. Aty është ndryshuar edhe projekti dhe aktualisht ato punime që janë bërë nuk janë bërë në bazë të projektit”, u shpreh avokati Llangozi në një intervistë për ACQJ.

Arben Llangozi, avokat

Kostot e projektit për ndërtimin e ujësjellësit dhe furnizimin me ujë të 7 fshatrave është 361,206,231 lekë. I gjithë financimi mbulohet Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve. Në garë morën pjesë tre kompani,  BAMI sh.p.k me një ofertë prej  358 658 979 lekë pa tvsh, ED KONSTRUKSION sh.p.k, me ofertë 359 403 183 lekë pa tvsh dhe SALILLARI sh.p.k me ofertë 354 143 215 lekë pa tvsh. Firmat “Bami” dhe “Ed Konstruksion” u skualifikuan nga gara për shkak se nuk plotësonin kriterin për numrin e punonjësve dhe për mangësi në dokumentet e dorëzuara për ekspertët dhe inxhinerët që do të merreshin me zbatimin e projektit. Shpallja e kompanisë fituese Salillari, që kishte paraqitur ofertën më të ultë u bë më datë 22-01-2021 dhe fill pas saj nisën procedurat për zbatimin e projektit në terren.

Kanioni i Sinecit/Saraselit

Sipas Bashkisë së Kuçovës ky projekt do t’i japë fund vuajtjes disa vjeçare banorëve të këtyre fshtarve për ujë dhe me një kosto të ultë, pasi rrjeti në 80% gjatësisë së tij do të jetë me rrjedhje të lirë. “Shtysa për ndërtimin e këtij projekti është pamundësia e banoreve të këtyre fshatrave për të pasur një furnizim të rregullt me ujë të pijshëm dhe për këtë arsye ju bëjmë me dije se burimi i Sinecit është e vetmja mundësi që të zgjidhet ky problem. Gjithashtu ju sqarojmë se uji i burimit të Sinecit është 100 % i sigurt pasi në vitin 2017 bashkia ka kryer analizat e këtij uji në Drejtorinë e Shëndetit Publik dhe në një shoqëri private e specializuar. Gjithashtu ju sqarojmë se ky projekt duke marrë ujë nga burimi i Sinecit do të realizohet në 80 % të tij me rrjedhje të lirë, që do të thotë bashkia nuk do të përdorë pompa. Mirëmbajtja e këtij rrjeti thuajse do të ketë kosto zero”, thuhet në sqarimin e bashkisë, dhënë për ACQJ.

Transparenca

Një nga motivet kryesore që projekti për ndërtimin e këtij ujësjellësi ka qenë edhe transparenca.

Me një vlerë rreth 4 milionë euro, projekti për ujësjellësin në vitin 2017 do të financohej nga Banka Gjermane për Zhvillim. Kundërshtitë e banorëve që në atë kohë ndaj këtij projekti çuan në tërheqjen e Bankës Gjermane nga investimi. “Kontaktet me bankën gjermane u zhvilluan në vitin 2017 dhe pasi u bënë disa dëgjesa ishin pikërisht këta banorë që kundërshtuan ndërtimin e këtij ujësjellësi arsye kjo që solli dhe tërheqjen e bankës gjermane. Një arsye tjetër është dhe fakti që Banka Gjermane kërkon si kusht që bashkia të financonte një pjesë të projektit gjë e cila ishte e pamundur nga ana jone. Këto 2 arsye sollën dhe dështimin e këtij projekti në vitin 2017. Këtë radhë ky projekt financohet 100% nga AKUM”, sqaroi bashkia në përgjigjen dhënë për ACQJ. Mirëpo arsyet e largimit të Bankës Gjermane nga financimi i këtij projekti dhe më pas tenderimi i saj me fondet e AKUM, ku fitues u shpall kompania Salillari, është nja nga pikat që nga banorët cilësohet si jo e qartë dhe që lë vend për dyshime. Banorët u shprehën për ACQJ se ata nuk janë kundër faktit që në çezmat e shtëpive t’u shkojë uji i pijëshëm, por kanë shumë pikëpyetje, duke nisur që dyshimi se tokat e tyre mund të mbeten të thara dhe pa ujë. “Ne nuk jemi kundër zhvillimit, por duam që të vijnë dhe të na sqarojnë, se çfarë fitimi dhe çfarë humbjesh kemi nga ky projekt. Ne nuk po shkojmë dot as te tokat tona, se kanë bllokuar rrugën me policat. Policia me ka ndaluar dhe me thotë që nuk mund të kalosh rrugën”, tha Alkida, një banore e Lumasit që proteston për javë me radhë kundër projektit për ujësjellësin.

ACQJ bisedoi me një tjetër banore të Lumasit, e cila u shpreh se si nga bashkia edhe nga kompania Salillari nuk i është treguar projekti. Banorët aludojnë edhe për marrjen e ujit përmes tubave për të ndërtuar një fabrikë uji. “Zbatuesja e projektit, erdhi këtu dhe nuk na tregoi projektin. Iku, u fsheh. Ne kemi paguar 60 mijë lekë çdo famijle dhe kemi të gjithë si komunë Lumas në shtëpinë tonë. Ne e kemi ujësjellësin. Kjo punë, i thonë të ndërtosh ujësjellës mbi ujësjellës. Ata na sjellin këtu policinë dhe shtypin qytetarët që në jemi taksapagues. Këta po na e marrin ujin për ta çuar për tregti, nuk e ka hall se ça pinë ato fshatrat deri tani? Çdo bashki i ka çuar ujin me puse. Ata nuk ka as njërëz për ujësjellësin. Çdo fshat ka ujë me puse. Ne me këtë ujë mbajmë shpirtin. Po u fut ky ujë me tuba, nuk do të ketë më as ujë për bletën, se për njëriun jo e jo. Ne ujin e kemi tonin”, tha Refija një banore e Lumasit.

Në lidhje me dyshimet për ngritjen e një fabrike uji në burimin e Sinecit, bashkia Kuçovë hodhi poshtë çdo aludim, duke nënvizuar: “Lajmi se në ketë zone do të ngihet fabrikë uji është tërësisht i pavërtetë pasi çdo fakt dhe provë është tërësisht e verifikueshme. Në këtë zonë do të ndërtohet një ujësjelles i cili do të furnizojë me ujë 7 fshatra dhe 5800 banorë.”  Aktualisht projekti për ujësjellësin e shtatë fshatrave me ujin e burimit të Sinecit është pezulluar, por kjo gjë nuk i qetëson aspak banorët e Lumasit. Pas këtyre muajve betejë, këta banorë thonë se janë gati që të hyjnë sërish në grevë dhe të japin gjithçka për ta mbrojtur burimin që për shekuj me radhë ka qenë i tyri./ ACQJ.al