Landfill-e ilegale mbetjesh spitalore në lumin Shkumbin, institucionet mbyllin sytë

Shqipëria prodhon rreth 630 tonë mbetje spitalore në vit, nga të cilat 20% e tyre kategorizohen si mbetje të rrezikshme, por që përfundojnë në koshat e mbetjeve të qytetit dhe buzë lumenjve. 50 tonë mbetje spitalore, që prodhohen në qarkun e Elbasanit, në pjesën më të madhe të tyre përfundojnë në brigjet e lumit Shkumbin. Ekspertët ngrenë alarmin për menaxhimin e mbetjeve spitalore, për të cilat jepen miliona lekë, por askush nuk mban përgjegjësi.

By admin

Shqipëria prodhon rreth 630 tonë mbetje spitalore në vit, nga të cilat 20% e tyre kategorizohen si mbetje të rrezikshme, por që përfundojnë në koshat e mbetjeve të qytetit dhe buzë lumenjve. 50 tonë mbetje spitalore, që prodhohen në qarkun e Elbasanit, në pjesën më të madhe të tyre përfundojnë në brigjet e lumit Shkumbin. Ekspertët ngrenë alarmin për menaxhimin e mbetjeve spitalore, për të cilat jepen miliona lekë, por askush nuk mban përgjegjësi.

Vaibe Bylykbashi vuan nga astma kronike. Së bashku me një grup shoqesh del çdo ditë për ecje të lirë në pedonalen e qytetit të Librazhdit, që kalon buzë lumit Shkumbin, por në vend të ajrit të pastër Vaibja thotë se iu duhet të ecin mbi mbetjet spitalore.

“Njëherë eca mbi një kuti dhëmbësh porcelani. Sheh çdo ditë age e shiringa spitali. Më duket se klinikat dentare nuk i dërgojnë në vende të caktuara, por thjesht i hedhin në lumë”, – tregon ajo për Investigative Network Albania dhe shton se pak kohë më parë iu desh ta ndalonte ecjen për shkak të erës së rëndë të ujërave të zeza dhe mushkonjave.

Vaibja nuk është e vetmja e shqetësuar.

Pirgje masive plastikash, kanoçesh, qelqurinash dhe mbetjesh spitalore, është kjo panorama e brigjeve të lumit Shkumbin. Sipas të dhënave të Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, përgjatë vitit 2017 në qarkun e Elbasanit u prodhuan 49.8 tonë mbetje spitalore.

Investigimi i INA MEDIA-s ka zbuluar se shumica e tyre nuk përpunohet sipas rregullave, por hidhet në brigjet e lumit Shkumbin.

Grykëderdhja e tij në Vilë-Bashtovë, në detin Adriatik, është shndërruar në vendgrumbullimin e plehrave. Rreth 2 km vijë bregdetare në të dyja anët e saj janë kthyer në destinacionin përfundimtar të mbetjeve spitalore të qyteteve të Librazhdit, Përrenjasit dhe Elbasanit.

Grykëderdhja e lumit Shkumbin në Vilë-Bashtovë

Mbetje spitalore buzë lumit Shkumbin, Përrenjas

Hedhja e tyre në lumin Shkumbin rrezikon një pandemi për 500.000 banorët që jetojnë në luginën e tij. Komunitetet e banorëve përgjatë lumit janë të shqetësuara nga kjo “minë me sahat” në portat e qyteteve të tyre.  Vaçe Karaj, një tjetër banore e Librazhdit, thotë se situata bëhet edhe më alarmante, pasi qentë i shpërndajnë këto mbetje të rrezikshme nëpër lagje.

Ndërsa Arjana Novaku e ka pësuar mbi kurriz një rast shqetësues për shëndetin e fëmijëve të saj.

“Një herë vajza ime e vogël pati një kalvar me probleme, pasi iu krijua infeksion në vesh. Unë nuk kam mjaftueshëm pará për të shkuar në plazhe dhe gjithmonë shfrytëzoj mundësinë e lumit Shkumbin, por nuk shkohet më, sepse ka lloj-lloj sëmundjesh për shkak të ujit të ndotur nga plehrat”, – shprehet ajo.

“Në kurriz i kemi ne dhe brezat e ardhshëm këto ndotje. Mbase ata shkojnë nëpër resorte me pushime, por ne jetojmë çdo ditë në pasiguri”, – thotë Luljeta Bylykbashi, një tjetër banore e irrituar me situatën ndër vite.

Referuar Strategjisë Kombëtare për Menaxhimin e Mbetjeve, përllogaritet se vendi ynë prodhon çdo vit rreth 630 tonë mbetje spitalore, nga të cilat 20% e tyre konsiderohen të rrezikshme, pasi janë inde të dala nga ndërhyrjet e ndryshme, kirurgjikale.

Më pas ato duhet të merren nga kompani të specializuara për trajtimin e tyre dhe të digjen, por realiteti tregon se për shkak të kostos së lartë këto mbetje përfundojnë të hedhura buzë lumenjve apo në koshat e mbeturinave urbane.

Vaibe Karaj, Arjana Novaku dhe Luljeta Bylykbashi

Mbetje spitalore në lumin Shkumbin, në Librazhd dhe në Përrenjas

Dentistët e pranojnë: I hedhim në lumë

Verifikimet në terren të INA MEDIA-s zbulojnë se mbetjet e rrezikshme “zhduken” dhe përfundojnë në lumin Shkumbin. Vetë bizneset private pranojnë se i hedhin në koshat e mbeturinave të qytetit ose buzë lumit Shkumbin për shkak të kostove të larta të trajtimit.

“Këtej janë të gjithë pa kontrata për transferimin e mbetjeve. Të gjithë i hedhin në lumë, – thotë për Investigative Network Albania një stomatolog i ri në Librazhd. – Kur t’i lidhin të gjithë kontratat, do e lidh edhe unë”, – pohon i riu, i cili është gjobitur disa vite më parë pikërisht për këtë gjë.

“Kushton shumë shtrenjtë të lidhësh kontratë me kompani nga Tirana për t’i transportuar e asgjësuar mbetjet”, – tha një tjetër stomatologe në Librazhd.

Një punonjëse e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Librazhd pranoi në kushtet e anonimatit se sidomos gjatë pandemisë “pati dhe raste, ku ata i hidhnin mbetjet në koshat e spitalit jashtë godinës dhe se Ndërmarrja e Pastrim-Gjelbërimit i merrte”.

E kontaktuar nga INA MEDIA, Drejtoria e Shëndetit Publik, Librazhd na adresoi pranë Institutit të Shëndetit Publik, pasi vetë ky institucion nuk ka përfaqësues për mediat.

Instituti i Shëndetit Publik nuk i dha një përgjigje specifike INA MEDIA-s për këtë çështje, por u mjaftua me një përgjigje shumë të përgjithshme, duke na vënë në dispozicion dy studime që kanë lidhje me indikatorët e cilësisë së ajrit dhe shëndetit.

“Studimet për mbetjet spitalore mungojnë”, – thotë në përgjigjen e tij ISHP.

Referuar të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në qytetin e Elbasanit ushtrojnë aktivitetin 126 institucione shëndetësore, nga të cilat 80 farmaci, 48 klinika dentare, 9 laboratorë, 2 spitale etj.

Si pasojë e mosrespektimit të kritereve strikte të trajtimit të mbetjeve spitalore, shiringa, medikamente apo pjesë të trupit, të dala nga ndërhyrjet kirurgjikale përfundojnë në koshat e mbeturinave urbane ose buzë lumenjve, duke kontaminuar çdo gjë që ato prekin.

Ligji për Administrimin e Mbetjeve Spitalore, i pasuruar me akte nënligjore në vitin 2010, detajon mënyrën se si bëhet përpunimi i mbetjeve spitalore dhe ngarkon Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mjedisit me përgjegjësinë e monitorimit të procesit të asgjësimit të mbetjeve të rrezikshme, spitalore.

Problemi është kapilar dhe sa më thellë të shkosh, aq më i pamundur duket trajtimi i mbetjeve spitalore. Qendrat shëndetësore nëpër fshatra nuk kanë mjaftueshëm burime financiare për t’i sjellë mbetjet në qytet, as deri te inceneratori në Elbasan.

Ndërsa në qytetin e Librazhdit ka patur raportime për zjarrvënie të landfill-eve ilegale për të fshehur gjurmët.

Enxhi Albrahimi, aktiviste e Nismës për Mbrojtjen e Lumit Shkumbin, thotë se nga 126 subjekte shëndetësore, të regjistruara në Tatime, vetëm 2 prej tyre kanë leje mjedisore.

“Inspektorati i Mjedisit deri më tani ka pasur më shumë tendencën e dhënies së rekomandimeve në përmirësim të situatës, sesa masa ndëshkimore, konkrete. Ende nuk dihet se ku depozitohen mbetjet e këtyre subjekteve, por ato mbeten shqetësim për impaktin negativ në shëndet dhe mjedis”, – thotë ajo.

Klubi Ekologjik i Elbasanit ka raportuar se në periferi të qytetit të Elbasanit për fat të keq bashkë me mbetjet e tjera vazhdojë e hidhen edhe mbetjet spitalore.

Ata kishin shpresuar që së paku në Elbasan ky problem të shkonte drejt zgjidhjes, sa kohë që kishin një eksperiencë të mëparshme në trajtimin e këtyre mbetjeve dhe po ashtu me vënien e inceneratorit në punë.

Të njëjtën situatë ata e kanë konstatuar edhe në Përrenjas dhe në Librazhd.

“Është makabre, por kemi parë dhe pjesë organesh të hedhura, shishe, fasha të përgjakura, stetoskopë, të cilat, kur hidhen në lumë, janë një rrezik i madh i përhapjes së sëmundjes”, – thotë Ahmet Mehmeti për Investigative Network Albania.

“Qyteti i Elbasanit është problem, sepse pas një përvoje që kishte për trajtimin e tyre me djegie, djegia ishte ndërprerë dhe mbetjet po hidheshin vend e pavend, madje dhe në konteinerët e thjeshtë. Edhe farmacitë, klinikat dentare e spitali i hidhnin në këta konteinerë. Madje kemi parë dhe vetë njerëz duke i hedhur”, – thotë Mehmeti, ekspert mjedisor pranë Klubit Ekologjik të Elbasanit.

“Shohim aty aparatura, shishe, shiringa e gjëra të tilla, që janë materiale që përdoren te pacientë me sëmundje të ndryshme”, – vazhdon më tej ai për Investigative Network Albania.

Sipas tij, mbetjet nuk trajtohen, siç duhet.

“Nuk grumbullohen në veçanti, madje është thënë se kemi incenerator, por nuk dimë, nëse ky incenerator djeg apo përpunon deri më tani mbetje spitalore. Unë personalisht kam bërë edhe matje të ajrit jashtë inceneratorit të Elbasanit dhe nuk kam parë mbetje. Po të ishte në funksion, do kisha parë mbetje”, – sqaron më tej ai.

Ai ngre alarmin se këto mbetje mund të kthehen në një bombë ekologjike, pasi gjatë dekompozimit ato infektojnë çdo gjë.

Mehmeti evidenton se lumi Shkumbin e ka shtratin zhavorrishte dhe nëpërmjet ujit i shpërndan plehrat në gjithë rajonin.

“Mos harrojmë që shumë fermerë kanë tokat e tyre, bujqësore buzë lumit dhe këtu rrezikohet shëndeti i konsumatorëve! Mbetjet spitalore janë si armë biologjike”, – përfundon ai.

Eksperti i mjedisit, Artan Manushaqe, shkon edhe më tej, kur thotë se asnjë spital nuk e respekton VKM-në për mbetjet spitalore.

“Çdo spital duhet të ketë dhoma të caktuara, të cilat quhen furra e që duhet të djegin mbetjet që prodhojnë. Efektivisht, nuk e kanë. Në këtë rast pyetja është: Ku shkojnë këto mbetje?

Si organikë e kanë të gjitha spitalet, por në 90% të rasteve nuk e zbatojnë dhe ia japin privatit”, – thotë pedagogu i Jurisprudencës, Artan Manushaqe.

“Në spitalet rajonale nuk funksionon mekanizmi i djegies dhe ai i eliminimit. Është e paqartë, ku hidhen këto mbetje, pasi landfill-et nuk kanë një vend të posaçëm për këto mbetje ose gjakrat për shembull”, – denoncon ai.

Sipas tij, bashkitë nuk mund të lajnë duart nga i gjithë ky proces delikat, pasi ligji iu jep një rol të rëndësishëm në grumbullimin e mbetjeve spitalore nga klinikat dentare, estetike etj.

“Ka një protokoll, sa duhet të rrinë këto mbetje. 1 herë në 2 javë duhet të mblidhen nga këto kompani të licencuara, private për asgjësim, por nga gjetje dhe investigime të miat ka ndodhur dhe 1 herë në 3-4 muaj mbledhja e këtyre mbetjeve”, – pohon ai.

Institucionet, pingpong kompetencash

Të gjendura në këtë situatë “bashkitë justifikohen se nuk kanë pará që t’i dërgojnë mbetjet në Elbasan, tek inceneratori”.

Zyrtarë të Bashkisë së Librazhdit pranojnë në kushte anonimati se, si pasojë e mungesës së fondeve për të marrë mbetjet e spitalit dhe për t`i çuar ato tek inceneratori në Elbasan, “ky spital i derdh mbetjet në koshat e qytetit”.

Pas disa kërkesash për informacion dhe përballjesh te Komisioneri për të Drejtën e Informimit, Inspektorati i Mjedisit në Elbasan dha një përgjigje të vakët për INA MEDIA-n në lidhje me situatën e mbetjeve spitalore në këtë bashki.

Referuar përgjigjes së këtij inspektorati, “në qarkun e Elbasanit ushtrojnë aktivitetin dy inceneratorë, që trajtojnë asgjësimin e mbetjeve, Pura Medical dhe EcoRiciklim.”

Aktualisht, spitali rajonal i Elbasanit ka lidhur kontratë me Pura Medical, kontratë e cila është firmosur më 28 shkurt të vitit 2021, me një kohëzgjatje trevjeçare, me një vlerë totale prej 23.700.000 lekësh.

Pavarësisht denoncimeve të shumta dhe faktit që mbetjet janë sheshit, institucionet thonë se nuk kanë parë asgjë.

Bashkia e Elbasanit fillimisht refuzoi të përgjigjej për situatën e mbetjeve spitalore në territorin e saj, por pas ankesës pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit, Inspektorati i Mjedisit pranë Bashkisë së Elbasanit thotë se nuk ka evidentuar depozitim të mbetjeve spitalore në lumin Shkumbin, duke iu referuar monitorimeve të kryera, por pa specifikuar periudhën dhe numrin e monitorimeve të realizuara.

“Nga ana e Inspektoratit të Mjedisit nuk janë identifikuar raste të depozituara në lumin Shkumbin gjatë monitorimeve”, – thuhet në përgjigje e ARM, Elbasan.

Më tej kjo agjenci thotë se momentalisht nuk disponon të dhëna për informacionin e kërkuar. Në përgjigjen zyrtare ata ia hedhin fajin për mungesën e informacionit situatës të Covid-19 dhe mungesës së logjistikës, por procesi i inspektimit rifilloi në muajin qershor 2021.

“Në muajt në vazhdim institucioni ynë do të kryejë inspektime ndaj gjeneruesve të mbetjeve spitalore”, – thotë ARM në përgjigjen e saj, zyrtare.

ARM po ashtu sqaron se gjatë muajve qershor dhe korrik janë kryer inspektime në subjektet Pura Medical sh.p.k., dhe EcoRiciklim, të cilat objekt të aktivitetit të tyre kanë “incenerimin e mbetjeve të rrezikshme në një instalim” dhe të dyja subjektet e inspektuara janë të pajisura me leje mjedisore dhe me licencën përkatëse.

Referuar përgjigjes së mbërritur nga Bashkia e Elbasanit, Pura Medical ka marrë përsipër incenerimin e mbetjeve të spitalit të Elbasanit, por ajo që vihet re në këtë kontratë (të cilën INA MEDIA e disponon), mes spitalit të Elbasanit dhe kompanisë, që ka marrë përsipër riciklimin e mbetjeve spitalore, nuk ka asnjë pikë penalizuese për subjektin privat.

Ekspertët janë dyshues edhe për sa i përket kontratave me privatët. Sipas tyre, këto kompani nuk kontrollohen dhe procesi nuk monitorohet deri në fund, nëse vërtet asgjësimi i mbetjeve spitalore bëhet sipas protokollove të përcaktuara.

“Këto kompani nuk kontrollohen. E mira është të monitorohet procesi deri në fund. Asnjë kompani private dhe publike nuk ka mjete apo ekspertë për t’i mbledhur dhe transportuar mbetjet spitalore, duke krijuar kështu një dëm më të madh”, – thotë eksperti Artan Manushaqe.

Ai është skeptik edhe për sa i përket djegies në landfill-e, pasi, sipas tij, ata në vendin tonë operojnë me temperaturë shumë më të ulët sesa standardi i BE-së.

“Në Elbasan, për shembull, inceneratori djeg në temperaturën maksimale prej 900 gradësh. Standardi i Bashkimit Europian e ka mbi 2000 gradë procesin e asgjësimit, që do të thotë se në Elbasan procesi i asgjësimit nuk shkon deri në fund. Ky incenerator është gjithashtu në anë të lumit dhe duhen të merren masa, pasi ujërat e tij kullojnë direkt në lumë”, – sqaron eksperti i mjedisit, Artan Manushaqe.

Po ashtu, edhe Këshilli i Basenit Ujor të lumit Shkumbin, i cili administron funksionimin e këtij baseni ujor, nuk ka parë asgjë se çfarë ndodh, madje nuk ka bërë asnjë mbledhje për ndotjen, dhe nuk ka asnjë plan menaxhimi.

Kryetari i këtij këshilli është njëkohësisht prefekti i qarkut të Elbasanit, Spiro Maliqi, në përgjigjen e të cilit pranohet se për shkak të pandemisë ata nuk janë mbledhur asnjëherë.

“Për sa i përket periudhës 2020-2021, duke qenë periudhë pandemie, janë propozuar vetëm çështje, të cilat kanë patur afate dhe раmundësi shtyrjeje”, – thuhet në përgjigjen zyrtare të prefekturës Elbasan.

“Problematikë tjetër, që ka patur në këtë kohë, ka qenë dhe mosarritja e plotësimit të kuorumit të anëtarëve, duke mos bërë të mundur zhvillimin e mbledhjes së planifikuar”, – përfundon përgjigjen prefektura, duke larë kështu duart nga përgjegjësia për situatën e krijuar.

Edhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu kërkua informacion në lidhje me depozitimin e mbetjeve spitalore në qarkun e Elbasanit, vënia në dispozicion e kontratave të mbetjeve spitalore në Librazhd, në Elbasan dhe në Përrenjas. Ministria e Shëndetësisë e delegoi kërkesën tonë tek Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor në Drejtorinë Rajonale, Elbasan, ku kjo e fundit nuk ka kthyer ende përgjigje.

Ndryshe nga verbëria e institucioneve, mjafton një shëtitje e thjeshtë në lumin Shkumbin, për të parë situatën katastrofike, jo vetëm me mbetjet urbane, por edhe me ato spitalore.

Mbetjet spitalore, dëmet e parikuperueshme në mjedis

Ligji e përcakton qartë se mbetjet spitalore duhet të trajtohen në vendin e prodhimit ose të transportohen të izoluara hermetikisht në kompanitë e licencuara vetëm për trajtimin e tyre.

Mënyra më e preferuar është ajo e djegies në autoklava, incenerimi ose inkapsulimi.

Në Shqipëri përdoret më gjerësisht autoklava.

Ermelinda Mahmutaj, biologe, njëkohësisht drejtuese e qendrës EDEN, nënvizon se, kur derdhen në lumë, dëmet e mbetjeve spitalore janë të pamatshme, deri tek AIDS-i apo tuberkulozi.

“Duke qenë se uji i lumit ka kontakt me njeriun, ndikon në një sërë sëmundjesh, si infeksionet e mushkërive, infeksionet e lëkurës e deri te përhapja e sëmundjeve virale, si HIV, hepatiti B dhe C, kolera apo tuberkulozi”, – shpjegon ajo.

Sipas saj, mbetjet më të rrezikshme janë garzat e kontaminuara, gjaku dhe lëngje të tjera të trupit, gjilpërat, dorezat, pjesë të trupit, vaksinat, medikamentet.

“Burimet janë të ndryshme, që nga laboratorët, sallat e operacionit, farmacitë etj.”, – shpjegon ajo.

Pedagogia e Shkencave të Natyrës, Ermelinda Mahmutaj, megjithatë është pesimiste për gjetjen e një zgjidhjeje, pasi, sipas saj, mbetjet spitalore mbeten sfida më e madhe.

“Mbetjet, të cilat nuk janë të dëmshme dhe infektuese, që përbëjnë rreth 85% të mbetjeve spitalore, mund të riciklohen. Megjithatë, është e vështirë që të ketë një balancë midis sigurisë së pacientit, kostos dhe qëndrueshmërisë së mjedisit”, – thotë ajo.

Mahmutaj thotë se bota ka ecur mjaft përpara dhe kateterat, elektrodat kirurgjike, tubat, matësit e presionit të gjakut etj., riciklohen.

Raporti i KLSH: Ministria e Mjedisit nuk ka raportuar asnjëherë për menaxhimin e mbetjeve

Çështja e mbetjeve spitalore është një minë me sahat për të gjitha institucionet shëndetësore në vend. Një raport i KLSH-së në vitin 2018, pranë QSUT-së, spitalit të Fierit dhe atij të Kukësit, si dhe Ministrisë së Shëndetësisë e asaj të Mjedisit, dokumentoi se mbetjet spitalore “zhduken”. Më konkretisht, KLSH konstatoi se në adresën e deklaruar nga njëra kompani koncesionare për asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme, spitalore nuk rezulton të kryhet asnjë veprimtari trajtimi/asgjësimi e mbetjeve spitalore. Sipas KLSH-së, bëhet fjalë për një skemë mashtrimi dhe mbetjet nuk dihet se ku zhduken. Raporti po ashtu citon se nuk ka të dhëna ku përfundojnë mbetjet nga djegia ose hiri që përftohet nga procesi i trajtimit të mbetjeve spitalore nëpërmjet incenerimit.

Më absurdi konstatim i KLSH-së është fakti se, as Ministria e Turizmit dhe as ajo e Shëndetësisë nuk kanë miratuar as “Programin për Monitorimin e mbetjeve spitalore”, të detyrueshëm për zbatim nga prodhuesit e këtyre mbetjeve.

Impianti 1 milion euro i Rrogozhinës, jashtë funksionit

Në vitin 2016 Ministria e Mjedisit akordoi më shumë se 1 milion euro për ndërtimin e një impianti për kullimin e ujërave të lumit Shkumbin, si dhe do të pastronte mbetjet plastike dhe ato spitalore nga lumi. Media raporton se që nga fillimi i vitit 2019 nuk funksionon.

INA MEDIA kreu një vëzhgim pranë këtij impianti dhe vuri re se pritat lumore, që duhet të ishin të vendosura nga të dyja anët e lumit, ishin mbuluar nga ferrat dhe shkurret. Një peshkatar i gjendur aty pranë na tha se, sa herë që lumi ka prurje, në grykëderdhjen e Shkumbinit vijnë tonelata mbetjesh plastike dhe mbetjesh spitalore.

“Impianti ka funksionuar sa për inaugurim, por tani është jashtë funksionit dhe si rrjedhojë e gjithë vija bregdetare është e mbushur me mbetje nga të dyja anët e lumit”, – tregon peshkatari me inicialet F. S.