Në një intervistë për BIRN, një ekolog gjerman paralajmëron se çfarë rrezikon të humbasë Evropa, nëse digat e zaptojnë lumin “unik” Vjosa që kalon nëpër Greqi dhe Shqipëri.
Ulrich Eichelmann thotë se lufta për të shpëtuar një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë po arrin një moment vendimtar.
Ekologu dhe konservatoristi gjerman e ka kaluar dekadën e kaluar duke luftuar për të mbrojtur lumenjtë e Ballkanit, veçanërisht nga përhapja e shpejtë e hidrocentraleve.
Ai thotë se 12 muajt e ardhshëm mund të vendosin fatin e lumit Vjosa që përshkon 270 kilometra nga Malet Pindos të Greqisë deri në bregdetin e Adriatikut të Shqipërisë, një nga lumenjtë e vetëm në Evropë që i shpëtoi efekteve të industrializimit.
Eichelmann po lobon që rrjedha e lumit të caktohet Park Kombëtar dhe mbrojtja e tij të pasqyrohet në ligj. Por në lojë janë interesa më të mëdha, tha ai për BIRN, jo më pak ata që qëndrojnë pas dhjetëra digave të planifikuara përgjatë Vjosës.
“Unë mendoj se vitin e ardhshëm ne ose do ta shpëtojmë njëherë e mirë Vjosën ose do të jetë e vështirë sepse pas kësaj ka kaq shumë interesa”, tha ekologu 58-vjeçar.
“Nëse ai merr fund, s’mund të thoni ‘Oh, kemi edhe një tjetër’”, tha Eichelmann për BIRN, duke e përshkruar lumin si një “laborator natyral”.
“Në fund të fundit, pikërisht për këtë po luftojmë për të, sepse ky lum është tepër unik”, tha ai.
“E kemi një ide ose një pamje të asaj se si ishin dikur lumenjtë në Evropë.”
Rritja e energjisë hidrike “tronditëse”
Pasi ka punuar për 17 vjet për Fondin Botëror të Botës së Egër Austri, Eichelmann ia ka kushtuar dhjetë vitet e fundit të karrierës së tij mbrojtjes së lumenjve të Ballkanit përmes një projekti të quajtur Riverwatch.
“Më kanë pëlqyer gjithmonë lumenjtë. Kam qenë njeri që i doja lumenjtë dhe dija shumë për lumenjtë e Ballkanit. E dija që ata janë ende gjallë, plot jetë dhe tani dëgjojmë që këta lumenj po kërcënohen nga ndërtimi i digave”, tha ai.
Eichelmann zhvilloi një hartë të të gjitha projekteve të hidrocentraleve në rajon dhe një tjetër të koduar me ngjyra për të treguar cilësinë e ujërave të lumenjve, nga Sllovenia në veri deri në Shqipëri në jug, ku bluja tregon cilësinë më të mirë dhe e kuqja cilësinë më të keqe.
Krahasuar me pjesën tjetër të Evropës, në Ballkan mbizotëron ende ngjyra blu. Por kur ai e filloi projektin, në vitin 2013, Eichelmann tha se numri i hidrocentraleve – rreth 1,500 – ishte tronditës.
Përmbledhjet treguan “sa i madh është kërcënimi”, tha ai, “dhe nuk është vetëm tek tuk, por kudo.”
Eichelmann thotë se ai ia vuri syrin për herë të parë Vjosës në vitin 2012. Sot ai është i përfshirë në një fushatë të quajtur #VjosaNationalParkNow që po lobon që lumi të shpallet Park Kombëtar.
“Vetëm një Park Kombëtar i standardeve ndërkombëtare i financuar me para ndërkombëtare do të ishte mbrojtja optimale për lumin”, tha ai, duke shpjeguar se një “park natyror” nuk do të ishte i mjaftueshëm.
Dyer të mbyllura
Aktivizmi mjedisor po shtohet në Ballkan, një prirje që Eichelmann tha se e kishte parë gjatë dekadës.
“Unë shoh një zhvillim të madh”, tha ai. Një dekadë më parë, njerëzit nuk ishin të ndërgjegjshëm se sa ‘jashtëzakonisht të çmuar’ janë lumenjtë e rajonit ose se ishte e mundur të kundërshtohej përhapja e digave.
Por vitet e fundit ka pasur një sërë protestash lokale kundër një sërë kërcënimesh mjedisore, duke filluar nga digat e deri te ndotja e ajrit.
Ai përmendi një protestë në Beograd në prill në të cilën disa mijëra njerëz kërkuan veprime qeveritare mbi ndotjen e ujit, tokës dhe ajrit nga industri të tilla si minierat, si dhe demonstrata të tjera në Kosovë dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.
Por qasja tek ata që janë në pushtet është e vështirë, tha Eichelmann. “Shumicën e kohës ne as nuk morëm asnjë përgjigje, madje as një ‘Me vjen keq, nuk mundemi’”, tha ai./ Reporter.al