Organizatat e shoqërisë civile kundërshtojnë dy vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave më 26 Janar 2022 lidhur me Zonat e Mbrojtura. Vendimet e mësipërme reduktojnë me 11% sipërfaqen e Zonave të Mbrojtura Ligatinore, heqin prej tyre habitate të vyera, i hapin rrugë zhvillimeve të paqëndrueshme në brendësi apo në afërsi të tyre, rrisin ndikimet negative mbi zonat qendrore të Zonave të Mbrojtura, varfërojnë habitatet dhe speciet, godasin larminë biologjike të këtyre zonave dhe të gjithë Shqipërisë.
Vendimet synojnë të ligjërojnë shkatërrimin e zonave të mbrojtura bregdetare dhe ligatinore të Shqipërisë duke prekur Liqenin e Shkodrës, ekosistemin Bunë-Velipojë, ligatinat Kune-Vain,_Tale dhe Patok, Parqet Kombëtare të Divjakë-Karavastasë dhe të Butrintit, si dhe zonat Vjosë-Nartë e Pishë-Poro. Pas tyre fshihen zhvillime të paqëndrueshme, si urbanizim, aeroporte, bujqësi intensive, sipërfaqe habitatesh të mbuluara nga parqe industriale me panele fotovoltaike dhe turbinat ere etj. Këto investime bien në kundërshtim me funksionet ekologjike të Zonave të Mbrojtura bregdetare. Për pasojë vendimet janë fillimi i fundit të Zonave të Mbrojtura ligatinore të Shqipërisë dhe njëkohësisht përbëjnë dëmtim të gjithë larmisë biologjike të vendit.
Procesi i ndjekur për të miratuar këto vendime është i mbushur me shkelje ligjore të njëpasnjëshme. Përmbajtja e vendimeve mbart paligjshmëri. Për pasojë vetë vendimet janë të paligjshme dhe do të kundërshtohen në gjykatë. Veҫ kësaj përmbajtja e vendimeve do të ankimohet dhe në konventat për mbrojtjen e natyrës ku Shqipëria është palë.
OJF-të janë të vendosura për të luftuar jo vetëm reduktimet e sipërfaqes, por edhe planet famëkeqe për shkatërrimin e Zonave të Mbrojtura Ligatinore.