Më shumë se 420 milion njerëz do të kërcënoheshin nga valët e të nxehtit dhe më shumë se 80 milion nga uria. Shumë vende do të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, sëmundjet do të shtohen dhe shumë lloje bimësh e kafshësh do të zhdukeshin. Këto janë disa nga pasojat me të cilat do të përballet bota, në qoftë se nuk merren masat e duhura ndaj ndryshimeve klimatike.
Në raportin më të fundit të OKB-së për klimën, raportohet se bota ndodhet drejt një “rruge katastrofike” dhe se ngrohja globale kërcënon “me humbje masive të jetëve të njerëzve”.
Ekspertët e mjedisit nga ana tjetër, e krahasojnë ngrohjen e klimës me pandeminë e COVID-19, për arsye se është një problem që zgjat në kohë dhe ka prekur të gjithë botën. Madje është vlerësuar se kjo është një problematikë, e cila do të ndikojë edhe në të ardhmen.
Por përveç ekspertëve, tanimë çdo njeri e ka vënë re ndryshimin e klimës. Një banor i qytetit të Kukësit, shprehet se klima në Shqipëri ka ndryshuar shumë dekadat e fundit. Madje ai e krahason klimën aktuale, me atë të viteve ’50 apo ’80, periudha kur dimri ka qenë shumë më i ashpër dhe trashësia e borës arrinte deri në një metër e gjysmë. Ndërsa, gjatë këtij viti, reshjet e dëborës kanë qenë të pakta, duke shënuar një ndër dimrat më të butë të dekadave të fundit.
Eksperti i mjedisit, Mihallaq Qirjo shpjegon se Shqipëria është një ndër vendet evropiane më të rrezikuara ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike. Kryesisht komunitetet më të prekura, janë ato të ndodhura pranë lumenjve (zona e Shkodrës apo Vjosa, etj.) Në fakt të gjithë lumenjtë e Shqipërisë kanë pasur momente të përmbytjes në zona të caktuara.
Dalja e lumit Erzen nga shtrati (Dhjetor, 2021)
Së fundi është vërejtur se gjatë stinës së verës, periudha të gjata thatësire janë prezentë, si pasojë e mungesës së reshjeve. Ndërsa e kundërta ndodh në stinën e vjeshtës dhe të dimrit ku reshjet e shumta shkaktojnë përmbytje dhe nga statistikat më të fundit, rezulton se këto fenomene kanë prekur rreth 560 mijë njerëz në vendin tonë (Ministria e Mjedisit).
Ndër sektorët më të prekur nga ndryshimi i klimës është edhe bujqësia. Fermerët përballen me probleme të shumta sepse thatësira gjatë verës ndikon drejtpërsëdrejti në prodhimet e tyre bujqësore e për rrjedhojë ndikon tek gjithsecili nga ne, në përgjegjësinë për rritjen e çmimeve, në pamundësinë e furnizimit në zinxhirin e furnizimit të produkteve bujqësore e blegtorale.
Por, përveç ndikimit në zinxhirin e furnizimit ushqimor, ndryshimi i klimës ndikon edhe në shëndet.
Vitet e fundit janë shtuar sëmundjet dhe automatikisht edhe numri i vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore. Sëmundjet e tjera infektive apo gripi stinor, vazhdojnë të jenë prezent përgjatë gjithë vitit për shkak të shkallës së lartë të përhapjes tek njerëzit.
Duke kaluar edhe në ekonomi, ku rritja e çmimit të energjisë apo ujit, ndikojnë drejtpërsëdrejti në ekonominë e çdo familjeje shqiptare.
Për këto arsye është e nevojshme të ndërmerrën masa për reduktimin e këtyre pasojave.
Marrëveshja e Parisit është një ndër nismat pjesë e të cilës u bënë rreth 191 vende, dhe të cilat ranë dakord për kufizimin e rritjes së temperaturës në 1,5°C krahasuar me periudhën para industriale. Samiti COP26 i mbajtur në Nëntor 2021, gjithashtu bëri të mundur që shumë vende të botës përshi këtu edhe Shqipërinë, të caktonin targetet për reduktimin e shkarkimeve të gazeve serë. Shqipëria premtoi se do të ulë shkarkimet me 20.9%, shkarkime kryesisht nga sektori i transportit apo menaxhimi i mbetjeve. Kjo për faktin se industria në vendin tonë është e vogël dhe nuk ka shumë shkarkime.
Samiti COP26 (Nëntor 2021)
Ndërkohë që Ministria e Turizmit në bashkëpunim me një sërë institucionesh vendore dhe organizatash ndërkombëtare kanë realizuar kërkime, të cilat janë reflektuar dhe në dokumentin kombëtar të përcaktuar dhe në “Planin Kombëtar për Energjinë dhe Klimën” të miratuar së fundi. Gjithashtu, ajo raporton rregullisht pranë Konventës Kuadër të Ndryshimeve Klimatike dhe aktualisht është duke hartuar komunikimin e katërt kombëtar.
Raporti i OKB-së pas verifikimit të objektivave kombëtare arrin në konkluzionin, se shkarkimet e gazeve serë në fund të kësaj dekade, do të jenë 16% më të larta se në vitin 2010. Ndërkohë, projeksionet e ndryshme të skenarëve të ndryshimeve klimatike parashikojnë rritjen e temperaturave deri në vitin 2029 me 1-1.3 °C dhe deri në vitin 2100 me 1.3-4.4 °C , rritje e cila do ndihet gjatë stinës së verës dhe parashikohet të jetë diku tek 5.8 °C.
Ekspertët pohojnë se raporti i OKB që i referohet 2.7 ° ka të bëjë me atë ç’ka vendet kanë premtuar vullnetarisht për uljen e shkarkimeve. Nëse ne do të jemi të suksesshëm të ulim shkarkimet deri aq sa vendet kanë premtuar, temperatura do të ketë 2.7 ° më shumë, ndërkohë opinioni publik, ekspertët shpresojnë që të mos jetë më shumë se 1,5. Kjo diferencë nga 2.7 në 1.5 është ai detyrim shtesë që të gjitha vendet duhet të kenë për të ulur edhe më tej shkarkimet përndryshe efektet mund të jenë katastrofike. Për shembull, do të shfaqen problematika me ujin e pijshëm, meqë me rritjen e temperaturave një pjesë e mirë e ujit avullon, thatësirat do të rriten, do ketë problematika të shtuara në lidhje me erozionin bregdetar, rritja e nivelit të detit e cila ndikon edhe në rritjen e shkallës së erozionit, siguria ushqimore etj. Mund të ketë problematika të shtuara edhe me zjarret sikundër edhe gjatë verës së 2021 ishin shumë të pranishme edhe në Shqipëri edhe në vende të tjera të globit.
Gjithashtu, rritja e temperaturës intensifikon ato që quhen situata ekstreme të motit, rrebeshe të mëdha që sjellin përmbytje apo periudha shumë të nxehta që sjellin problematika në ushqim apo në shëndet.
Një gazetar bullgar i çështjeve mjedisore përmend një tjetër problem madhor siç është edhe injorimi i vendimmarrësve dhe politikanëve ndaj paralajmërimeve të mëparshme mbi pasojat e ngrohjes globale dhe duket se ka rezistencë të madhe dhe pamundësi të madhe veprimi mbi këtë sfidë nga vendimmarrësit dhe industritë. Njerëzit duhet të kuptojnë se jeta duhet të ndryshojë. Ne duhet të heqim dorë prej disa të mirave materiale, të cilat i përfitojmë nga natyra edhe shfrytëzimi i tepërt i saj. Shoqëritë në Vendet e zhvilluara dhe atyre në zhvillim duhet të ‘përmirësojnë trupin e tyre’. Kjo është sfida dhe njëkohësisht mundësia më e madhe. Ne duhet të zgjedhim materiale më pak të ndotshme dhe më pak konsumuese për zhvillimin e shoqërisë-thotë gazetari.
Tashmë është vërtetuar se burimet më të mëdha të ndotjes që shkaktojnë efektin serë janë qymyri, nafta dhe gazi, që origjinojnë nga aktivitetet antropogjene dhe ekonomike. Pyetja më e madhe tani është nëse qeveritë dhe industritë tona do të përshtaten dhe ndryshojnë në mënyrë shmangien e pasojave katastrofike.
Në këtë drejtim Shqipëria ka arritur të hartojë dhe miratojë legjislacionin e duhur për mbrojtjen e mjedisit duke renditur edhe sektorët më kryesorë që duhet të marrin masa për shkarkimin e gazeve serë. Këtu përfshihen:
Sektori i energjisë dhe transportit të cilët janë edhe ndotësit kryesorë:
- Bujqësia
- Menaxhimi i mbetjeve
- Industria
- Përdorimi i tokës dhe pyjet.
Pyllëzimet janë ndër kontribuesit kryesorë në absorbimin e dyoksidit të karbonit. Masa të tjera janë fillimi i përdorimit të makinave elektrike. Përmendim këtu, flotën e autobuzave elëktrikë në Tiranë. Masa të tjera të marra apo në proces janë edhe përkrahja që qeveria po i bën përfitimit të energjisë nga burimet e rinovueshme, siç janë sistemet fotovoltaike. Këto janë të gjitha ato masa me të cilat ne synojmë që deri në vitin 2030 të ulim shkarkimet e gazeve serë deri në 20,9 % në vend (Ministria e Mjedisit).
Ekspertët gjithashtu japin disa sugjerime si prsh:
- Rritja e sipërfaqeve të gjelbëra në qytete,
- Përmirësimi i termo-izolimit të banesave rrit jo vetëm cilësinë e jetesës së familjes brenda një banese, por ul edhe konsumin e energjisë.
- Trajtimi i mbetjeve, me uljen e sasisë së mbetjeve që gjenerojmë në banesë apo në mjedisin e punës, ulet edhe sasia e atyre mbetjeve që kur dekompozohen rrisin gazet serë në atmosferë”, sugjeron ekperti i mjedisit M.Qirjo.
- Ndryshimi dhe zëvendësimi i llambave në shtëpi, me llamba led që përdorin 75% më pak energji se llambat e zakonshme.
Pastrimi i filtrave të kondicionerëve sepse kondicionerët me filtër të papastruar kanë nevojë për më shumë energji për të funksionuar si duhet.
Jeta në tokë po ndryshon, për shkak të klimës dhe të ngrohjes globale, e cila, nëse rritet më shumë se 1,5 gradë të parashikuar nga Marrëveshja e Parisit, do të kishte ndikime të pakthyeshme në sistemet njerëz. /Report TV