Naftëtarët e Ballshit e gjykojnë të pamjaftueshme VKM-në që ju jep një vit pagë

Qeveria publikoi më 2 shkurt Vendimin e Këshillit të Ministrave, përmes të cilit naftëtarët e Ballshit përfitojnë një pagë minimale për vitin 2022.

By admin

Qeveria publikoi më 2 shkurt Vendimin e Këshillit të Ministrave, përmes të cilit naftëtarët e Ballshit përfitojnë një pagë minimale për vitin 2022.  Nga kjo VKM nuk përfitojnë disa kategori, të punësuarit apo të vetëpunësuarit, punëtorët që kanë dalë në pension si dhe invalidët e punës dhe ata që nuk janë rezidentë në Shqipëri. Sakaq, personat që përfitojnë nga kjo VKM duhet të plotësojnë disa të dhëna personale dhe t’i dorëzojnë ato tek zyra e punës.

Vendimi i Këshillit të Ministrave

Për kryetarin e Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar, Sokol Dautaj VKM-ja nuk është e mjaftueshme. Dautaj i tha Citizens se nga ky vendim përfitojnë vetëm pak persona. “Po në fakt, ne kishim kërkuar të shpallet falimenti i Armo, pasi me ligjin e falimentit, në përfitonim për 3 vite pagën 400 mij lekë, por kemi dërguar në Parlament dhe një peticion për të shpallur falimentin. Nga kjo pagë përfitojnë pak persona pasi një pjesë janë në pension”, tha Dautaj për Citizens Channel.

Kriteret për të përfituar pagat

Këto paga janë dhënë nga fondi prej 420 000 000 lekësh nga buxheti i miratuar për vitin 2022 për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për  “Pagesa e papunësisë”. Naftëtarët e Ballshit Fier, përmes një postimi në Facebook kanë shkruar se ata janë paraqitur pranë zyrave të punës për të aplikuar por ato nuk i kanë pranuar t’i regjistrojnë. “Sot naftëtarët janë paraqitur pranë zyrave të punës por zyrat e punës nuk i kanë pranuar ti regjistrojnë. Kjo me arsyetimin se nuk kanë asnjë informacion. Ministrja e Financës na thotë në media paraqituni në zyrat e punës në një kohë kur ajo nuk u ka dërguar asnjë shkresë. Nuk kemi nevojë për propagandë në media”, kanë shkruar ata në Facebook.

 “Naftëtarët në betejë për pagat e prapambetura”

Naftëtarët e Ballshit prej vitesh janë përballur me një situatë të vështirë dhe kanë ndjekur forma të ndryshme të protestave deri në grevë urie për të fituar pagat e tyre të prapambetura. Në tetor të vitit kaluar, naftëtarët u mblodhën në sheshin para uzinës, pas përfundimit të marrëveshjes që kishin me qeverinë. Përfundimi i marrëveshjes, nga e cila ata kishin përfituar për një vit pagë prej 40 000 lekësh, riktheu problemet për naftëtarët. Ndryshe nga sa u paraqit nga qeveria shqiptare, kjo ndihmë sipas naftëtarëve është e mbështetur në “Statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit”, të miratuar më 2017 në Kuvendin e Shqipërisë. Referuar pikës 2 të nenit 8 të statusit të naftëtarit personat, që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që dalin të papunë si rezultat i ristrukturimit të ndërmarrjes apo për shkaqe që nuk lidhen me ta, gëzojnë përparësi në punësim dhe përfitojnë nga punëdhënësi një shpërblim financiar në masë dhe kohëzgjatje, sipas përcaktimeve të kontratës kolektive të punës, por jo më pak se 80 për qind të pagës minimale në shkallë vendi dhe jo më pak se tre vjet.

Mosfunksionimi i Rafinerisë së Ballshit i ka lënë naftëtarët pa punë prej vitesh, e përveç kësaj ata kanë dhe paga të prapambetura për të marrë. Mos dhënia e pagave të prapambetura është një çështje e ndjekur edhe në mënyrë ligjore nga naftëtarët, ndërsa një vendim i shtatorit të vitit 2017 i formës së prerë i Gjykatës së Shkallës së Parë u njohu të drejtën 505 punëtorëve për të marrë 13 pagat e prapambetura. Si për të mos mjaftuar situata në të cilën ndodheshin naftëtarët nga mosfunksionimi i Rafinerisë dhe menaxhimi që i ishte bërë asaj deri më tani, në dhjetor të vitit të kaluar asetet e rafinerisë iu shitën për skrap kompanisë Shijaku shpk.

Shitja e rafinerisë i ka lënë të pashpresë naftëtarët dhe të gjithë qytetin. Citizens ka sjellë zërat e naftëtarëve të Ballshit përmes një poadcast të cilët tregojnë situatën në të cilën ndodhen si dhe lidhjen emocionale që ata kanë me rafinerinë. Sa i takon shitjen së Rafinerisë, Banka Credins i tha Citizens Channel, se banka ka proceduar me ekzekutim kolaterali për pronat bazuar në një kredi problematike, ku më pas Credins ka vijuar me shitjen e këtyre aseteve sipas procedurave ligjore./ Citizens Channel