Sipas z.Alberto De Stavola, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Përgjegjës për Qeverisjen Mjedisore dhe Sociale në Intesa Sanpaolo Bank Albania, në Shqipëri po theksohet gjithmonë e më tepër rëndësia e investimit në projektet e profilizuara në ekonominë e gjelbër.
Banka Intesa Sanpaolo Albania (një ndër bankat më të mëdha që operon në Shqipëri), brenda vitit 2025, do të heqë dorë plotësisht nga financimi i industrisë së qymyrit, ndërsa duke nisur nga viti 2030 nuk do të japë më kredi për nxjerrjen e formave jokonvencionale të naftës bruto dhe gazit të lëngshëm të naftës.
Shumë biznese të mesme dhe të vogla (SME) apo korporata, kanë realizuar investime në panele fotovoltaike, duke prodhuar energji të pastër për nevojat e aktivitetit të tyre, ndërsa banka ofron edhe kredi për ndërtesa banimi ekologjike dhe qira financiare për automjete elektrike.
Z.Alberto De Stavola shpjegon se, “Ekonomia e gjelbër” është një koncept i gjerë që shpjegon mënyrën sesi institucionet financiare, kryesisht nëpërmjet financimeve, po mbështesin aktivitete me ndikim pozitiv në mjedis, duke reflektuar një tendencë që po përhapet në nivel global nga bankat tregtare, përfshirë këtu edhe tregun shqiptar.
Në ditët e sotme, arritjet e institucioneve financiare nuk lidhen vetëm me rezultatet e tyre financiare, por edhe me qasjen dhe strategjinë e tyre ndaj parimeve të Qeverisjes Mjedisore dhe Sociale-thotë ai.
Intesa Sanpaolo Bank Albania operon plotësisht në përputhje me përkushtimin e Grupit të Intesa Sanpaolo për qëndrueshmërinë dhe parimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm, të cilat do të jenë një nga shtyllat kryesore të krijimit të vlerës në vitet e ardhshme.
Nisma më e fundit që Grupi i Intesa Sanpaolo ndërmori në këtë aspekt është Aleanca Bankare për shkarkime Neto Zero (ABENZ) – Net Zero Banking Alliance, sipas së cilës bankat duhet të reduktojnë shkarkimet e tyre direkte dhe të tërthorta të dioksidit të karbonit, në mënyrë reduktimin e tyre deri në net zero në nivel global deri në vitin 2050. Në këtë mënyrë, do të mund të ndalojmë rritjen e mëtejshme të temperaturës mesatare globale dhe për rrjedhojë ndryshimet klimatike.
Aktualisht banka ofron produkte dhe shërbime bankare për klientët, të cilat ndikojnë pozitivisht në mjedis, si për shembull: kredi për ndërtesa banimi ekologjike dhe qira financiare për automjete elektrike. Gjithashtu ajo financon sistemet fotovoltaike për vetëprodhim, duke synuar të gjitha segmentet e biznesit nga Korporatat e Mëdha, e deri te Bizneset e Mesme dhe të Vogla (SME).
Qëllimi i Intesa Sanpaolo Bank Albania është të përshpejtojë zhvillimin dhe përdorimin në treg të produkteve dhe shërbimeve të ekonomisë së gjelbër, të cilat kanë ndikim pozitiv në mjedis. Ne jemi të sigurt se investimi i kapitalit në mundësi më premtuese dhe më të qëndrueshme do të kontribuojë në një zvogëlim të konsiderueshëm të gjurmës së ndotjes së partnerëve apo klientëve tanë.
Ndërsa për sa përket sektorëve të ekonomisë që nuk financohen me kredi, për shkak të ndikimit negativ që ato kanë në mjedis apo shoqëri, banka merr parasysh çështjet sociale, mjedisore dhe të qeverisjes që lidhen me aktivitetet e kompanive të klientëve të saj, si dhe kanë miratuar udhëzime specifike për menaxhimin e rreziqeve që mund të lindin në një nga fushat e lartpërmendura gjatë procesit të huadhënies.
Bazuar në ndikimet që sektorë të ndryshëm mund të kenë në mjedis, ata kanë identifikuar një listë të “sektorëve më të ndjeshëm”, për të cilët janë përcaktuar kufizime financimi, të tillë si: nafta dhe gazi, prodhimi i energjisë (qymyri, naftë, gaz) ose minierat e qymyrit. Grupi Intesa Sanpaolo dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania gradualisht dhe brenda vitit 2025 do të largohen nga bashkëpunime me sektorin e minierave të qymyrit dhe brenda vitit 2030, me sektorin jokonvencional të naftës dhe gazit, thekson më tej z.Alberto.
Banka merr në konsideratë të gjitha rreziqet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes që lidhen me aktivitetet e klientëve, biznese në vendimet e huadhënies së projekteve, në përputhje me praktikat më të mira të tregjeve financiare dhe rregullat e grupit Intesa Sanpaolo, duke u treguar shumë të kujdesshëm për respektimin e kuadrit ligjor të vendit dhe standardet ndërkombëtare. Parimet e Ekuatorit (Equator Principles) janë gjithashtu të integruara plotësisht në politikat e huadhënies të Bankës.
Gjithashtu, egzistojnë disa skema që mbështesin “Kreditë e Gjelbra”. Ato bazohen në skemat e financimeve që banka u ofron klientëve, në bashkëpunim me institucionet e BE-së të cilat operojnë në vend.
Këto skema ofrojnë kushte tërheqëse financimi, si norma më të ulëta interesi me mbulim më të ulët kolaterali për klientët, duke nxitur, në këtë mënyrë, përkushtimin ndaj zgjidhjeve të zhvillimit të eficiencës së energjisë në përputhje me standardet e BE-së. Skema të tjera të suksesshme ofrojnë rimbursim, ose grante të një përqindje të caktuar të shumës pas finalizimit me sukses të projekteve me ndikim pozitiv në mjedis. / Revista Monitor