Rrjeti AFP shkruante sot se mijëra zogj emigratorë mungonin këtë vit në ndalesën e tyre të përvitshme në parkun kombëtar të Divjakës.
Teksa mbikëqyrte pelikanët dalmatianë dhe flamengot rozë, drejtori i parkut Ardian Koci thotë se mungojnë “rreth 9,000 zogj në krahasim me vitin e kaluar”.
“Kemi zbuluar se rreth 9,000 zogj uji mungojnë në krahasim me vitin që shkoi,” tha Koci, duke shtuar se vjet u numëruan rreth 25,000 zogj emigratorë.
Në 2021 sipas tij ishin 34,000 zogj të ardhur në këtë sezon në lagunën e Divjakës, që është nga vendet e preferuara të shpendëve emigrues. Edhe eksperti i zogjve Mirjan Topi tha se disa specie zogjsh si çafka gri mungonin këtë vit, për shkak të zhvillimit të urbanizimit, mbipeshkimit, si dhe shumë faktorë të tjerë.
Nexhip Hysolokaj, një tjetër ekspert thotë se një rënie e numrit të shpendëve emigratorë në Shqipëri është vërejtur prej disa vitesh. Disa shkencëtarë përmendin faktorët e mësipërm për fenomenin, ndërsa të tjerë theksojnë se zogjtë mund të emigrojnë në të tjera rajone./ Top Channel