“Zonat e heshtura”: Rreziku që i kanoset ligatinave dhe zonave bregdetare

Në librin e saj të mirënjohur “Pranvera e heshtur” biologja detare dhe gazetarja amerikane Rejçëll Karson vuri në dukje rreziqet e përdorimit të pesticidit sintetik DDT në zinxhirin ushqimor, përfshirë zogjtë. Shqetësimet e saj patën jehonë dhe i dhanë shtysë lëvizjeve pro mjedisore kudo në Botë. 

By admin

Në librin e saj të mirënjohur “Pranvera e heshtur” biologja detare dhe gazetarja amerikane Rejçëll Karson vuri në dukje rreziqet e përdorimit të pesticidit sintetik DDT në zinxhirin ushqimor, përfshirë zogjtë. Shqetësimet e saj patën jehonë dhe i dhanë shtysë lëvizjeve pro mjedisore kudo në Botë. 

Gjendur përballë realitetit eko-distopik vendas, një grup përfaqësuesish akademikë dhe  organizatash mjedisore kundërshtuan dy vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave më 26 Janar 2022 lidhur me Zonat e Mbrojtura.

Bazuar në deklaratën e shpërndarë për mediat, vendimet e mësipërme synojnë të ligjërojnë shkatërrimin e zonave të mbrojtura bregdetare dhe ligatinore të Shqipërisë.

Konkretisht, ato prekin Liqenin e Shkodrës, ekosistemin Bunë-Velipojë, ligatinat Kune-Vain, Tale dhe Patok, Parqet Kombëtare të Divjakë-Karavastasë dhe të Butrintit, si dhe zonat Vjosë-Nartë e Pishë-Poro.

Ndër të tjera, vendimet bien ndesh me funksionet e përcaktuara të Zonave të Mbrojtura duke kërcënuar dhe dëmtuar larminë biologjike vendase.

Profesor Ferdinand Bego, ekspert i biodiversitetit dhe zv/dekani në Fakultetin e Shkencave të Natyrës u shpreh se “Rëndësia e ligatinave dhe zonave bregdetare është thelbësore jo vetëm për ruajtjen e biodiversitetit në Shqipëri, por edhe në kontekstin më të gjerë mesdhetar dhe evropian. Ato janë pjesë e korridorit të shtegtimit të shpendëve, të njohur me emrin “Adriatik Flyway”, pjesë e rrjetit ekologjik Emerald, zona me rëndësi të veçantë për shpendët “IBA-Important Bird Areas” dhe zona kandidate të rrjetit ekologjik Natura 2000 që Shqipëria duhet të ngrejë në një të ardhme të afërt, si vend që aspiron të jetë anëtare e BE-së”. 

“Vendimet e janarit të këtij viti prekin pikërisht integritetin ekologjik dhe funksionin e të gjitha këtyre zonave të mbrojtura ligatinore dhe i hapin rrugë zhvillimeve të papërshtatshme që bien ndesh me statusin ligjor vendas dhe ndërkombëtar të tyre,”- përfundoi Bego. 

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh në llogarinë e saj në Twitter se sipërfaqja e zonave të mbrojtura në vendin tonë është rritur me 21% të të gjithë territorit dhe se kishte nisur puna për krijimin e modeleve të qëndrueshme zhvillimi në këto territore. 

Qasjet dhe modelet e qëndrueshme të zhvillimit në zonat e mbrojtura synojnë ruajtjen e natyrës dhe biodiversitetit dhe konceptohen në terma afatgjatë.

Profesor Mihallaq Qirjo, ekolog dhe drejtor i REC Shqipëri u shpreh se “Zonat e mbrojtura natyrore janë ndër burimet natyrore të vendit që duhen parë si potenciale afatgjatë të zhvillimit, përmes ruajtjes dhe menaxhimit të tyre duke respektuar natyrën dhe biodiversitetin. Fatkeqësisht, ato janë edhe atraksioni kryesor për zhvillimin turistik të vendit, kryesisht në zonën bregdetare të vendit, duke investuar në projektet e infrastrukturës që kërcënojnë habitatet natyrore dhe botën e egër që jeton në to. Për shumë vende të Mesdheut, koha ka treguar se kjo mënyrë zhvillimi dhe urbanizimi ka sjellë përfitime afatshkurtra, ndërkohë që kanë humbur përgjithnjë pasuri natyrore të pazëvendësueshme”

Procesi i rishikimit të kufijve të zonave të mbrojtura nisi në gushtin e vitit 2019 dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) e finalizoi procesin në shkurt të vitit 2020.

Asokohe, Zamir Dedej, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë pohonte se “procesi përfshinte një diskutim shumëpalësh dhe gjithpërfshirës por krahas zvogëlimit do të kemi edhe shpallje të reja të zonave të mbrojtura”. 

Zonat e reja të mbrojtura ishin Parku Detar i Gjirit të Porto Palermos në bregdetin Jonian, Mali i Munellës, në kufirin që ndan Mirditën me Pukën dhe Lumi Vjosa në rrjedhën e sipërme të shtratit.

Dr. Ermelinda Mahmutaj, kërkuese shkencore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe drejtore e Qendrës EDEN u shpreh se “I gjithë procesi për rishikimin e kufijve dhe zonimit të zonave të mbrojtura, nisi në mënyrë të papritur dhe të pajustifikuar, dukshëm i diktuar nga lartë poshtë”. 

“Ai u realizua si një proces fiktiv me emra të ndryshëm në faza të ndryshme të tij dhe me protesta dhe kundërshti të forta nga akademikët dhe shoqëria civile mjedisore”,- shpjegoi Mahmutaj.

Këto ishin disa nga arsyet që një grup përfaqësuesish akademikë dhe i organizatash mjedisore protestuan në marsin e vitit të kaluar para Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Ata vunë alarmin tek fakti që projekt-vendimi linte jashtë mbrojtjes sipërfaqe të tëra të zonave të mbrojtura aktuale.  

Mahmutaj theksoi se “Procesi shkeli thuajse të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore bazë si: ligji për mbrojtjen e biodiversitetit, për zonat e mbrojtura, për të drejtën e informimit, për njoftimin dhe konsultimin publik, parimet e qeverisjes së hapur etj”. 

“Paligjshmëria e procesit vijon edhe tani, VKM-të nuk i janë nënshtruar konsultimit publik dhe me palët e interesit”,- përfundoi ajo.

Vendimet e 26 janarit të këtij viti janë në vazhdën e fragmentimit të zonave të mbrojtura. Me shumë gjasë, i hapin rrugë veprimtarive që bien ndesh me ruajtjen e integritetit dhe funksionalitetit ekologjik. Në ligatinat dhe zonat bregdetare, zogjtë do të heshtin, mbase përgjithmonë.

*Antropologe