Organet e drejtësisë në Shqipëri, shpërfillin krimet mbi jetën e egër, madje edhe për llojet tejet të rrezikuara si Rrëqebulli i Ballkanit

Prokuroria e Elbasanit kërkon pushimin e çështjes së rrëqebullit të Ballkanit, të vrarë në mënyrë…

By admin
Prokuroria e Elbasanit kërkon pushimin e çështjes së rrëqebullit të Ballkanit, të vrarë në mënyrë të paligjshme në qarkun e Elbasanit, në vitin 2020.
Pas njoftimit nga rrjeti i banorëve lokalë, për një individ të rrëqebullit të Ballkanit (Lynx lynx balcanicus), të vrarë, të balsamosur dhe të ekspozuar në ambientet e restorantit “Ke Rrema” në qytetin e Elbasanit, PPNEA denoncoi këtë rast të gjuetisë së paligjshme në Prokurorinë e Tiranës në qershor të vitit 2020. Tashmë, pas rreth 2 vitesh hetime me hapa të ngadaltë, çështja e rrëqebullit të Ballkanit të vrarë në mënyrë të paligjshme në qarkun e Elbasanit nuk u zbardh nga 
Prokuroria e Elbasanit, por përkundrazi Prokuroria i kërkoi Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan të pushojë këtë çështje. Prokuroria pretendon që ka përfunduar të gjitha hetimet lidhur me çështjen dhe i kërkon gjykatës pushimin e saj për mungesë provash konkrete. Sipas këtij dokumenti, në analizën e provave të mbledhura lidhur me këtë çështje penale, është konstatuar se njëra nga fotot ka datën dhe vitin 2017, ndërsa fotot e tjera nuk kanë datë. Bazuar në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, ligji i parashikuar në nenin 202/a është botuar në fletoren zyrtare në vitin 2019 dhe nuk ka fuqi prapavepruese, por ky konkluzion i Prokurorisë nuk ka marrë në konsideratë provat e paraqitura nga PPNEA për individin e rrëqebullit të vrarë në periudhën Prill/Maj 2020, i cili më pas u ekspozua në ambjentet e restorantit. Pas vlerësimit nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, u konfirmua që individi i vrarë ishte i njëjti individ i fotografuar në vitin 2018 nga 
kamerat kurth nga Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Elbasan. Kjo provë qartazi është marrë pas hyrjes në fuqi të ligjit. Po ashtu, sipas prokurorisë, thuhet se në ambientet e lokalit janë kryer hetime dhe nuk janë gjetur kafshë të balsamosura për të cilat ligji i ndalon, ndaj nuk ka asnjë fakt penal që duhet ngritur kallëzim. Fatkeqësisht, ky nuk ishte një rast i izoluar i gjuetisë së paligjshme të rrëqebullit të Ballkanit në vitet e fundit. Gjithsej, në të gjithë shtrirjen e këtij nënlloji në Ballkanin Jugperëndimor, partnerët e Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit, dëshmojnë 14 individë të vrarë ilegalisht që nga viti 2006. Duke marrë parasysh madhësinë jashtëzakonisht të vogël të popullatës (<50) 
dhe se zakonisht numri i rasteve të njohura të gjuetisë së paligjshme është vetëm ‘maja e ajsbergut’, ky numër është tronditës dhe konfirmon se ky faktor është një kërcënim i madh për mbijetesën e rrëqebullit të Ballkanit në natyrë.
Ndaj, u bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të rishqyrtojnë këtë çështje duke marrë në konsideratë të gjitha provat e përmendura në këtë deklaratë dhe të denoncuara në Prokurorinë e Tiranës më 5 qershor 2020 dhe Prokurorisë së Elbasanit, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe me konventat ndërkombëtare që Shqipëria ka nënshkruar. Statusi kritik i rrëqebullit të Ballkanit tregon që humbja e qoftë edhe një individi të vetëm mund të rrezikojë mbijetesën e të gjithë popullatës. 
Nevojiten përpjekje maksimale që ligji të trajtojë në mënyrë të duhur dhe të përshtatshme rastet e gjuetisë së paligjshme në mënyrë që të minimizohet rreziku i përsëritjes së rasteve të tilla në të ardhmen, raste të cilat po çojnë rrëqebullin e Ballkanit një hap më afër zhdukjes. Gjithashtu, është e rëndësishme të theksohet, se mos-marrja në konsideratë dhe seriozisht nga autoritetet e drejtësisë në Shqipëri për të zbardhur krimet mjedisore, bie ndesh me legjislacionin 
ndërkombëtar, konkretisht me Konventen e Bernës e cila është ratifikuar nga shteti shqiptar. Komisioni Evropian ka theksuar në mënyrë specifike rastin e vrasjes së rrëqebullit të Ballkanit në raportin e 2021 për Shqipërinë dhe mos-ndjekja me seriozitet e rasteve te tilla flagrante të krimit mbi jetën e egër cënon përmbushjen e kritereve mjedisore për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian. Në botë ka më pak se 50 individë që e klasifikojnë rrëqebullin e Ballkanit si të rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje (CR) sipas listës së kuqe të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Ky lloj është listuar në Aneksin II të Konventës së Bernës (Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitateve natyrore europiane), e cila parashikon një mbrojtje më të rreptë të këtij nënlloji në vendet e përhapjes, si dhe nxit bashkëpunimin ndërkufitar për ruajtjen e tij. Listimi i tij në këtë konventë nënkupton që këto vende duhet të bëjnë përpjekje maksimale për të siguruar mbijetesën dhe përmirësimin e statusit të popullatës së rrëqebullit të Ballkanit, preut si dhe habitatit të tij./ PPNEA