Kalendari Mjedisor

Banorët e Laknasit fitojnë gjyqin për “Plepat e Brukës” në Gjykatën Administrative

Pas tre vitesh rezistencë dhe përballje gjyqësore, banorët e Laknasit fituan sot betejën ligjore në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.

Citizens Channel Gjykata pranoi padinë e banorëve duke i nxjerrë si të pavlefshme aktet e bashkisë Kamëz dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

By admin

Pas tre vitesh rezistencë dhe përballje gjyqësore, banorët e Laknasit fituan sot betejën ligjore në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.

 

Gjykata pranoi padinë e banorëve duke i nxjerrë si të pavlefshme aktet e bashkisë Kamëz dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

 

“Gjykata sot vendosi pranimin e padisë që ne kishim bërë, pra si të banorëve si të banorëve ashtu edhe të shoqatës “Bujqësia Organike”, duke pranuar të gjitha argumentet që ne kishim dhënë se këto akte, leja e zhvillimit, leja e ndërtimit dhe vlerësimi i ndikimit në mjedis të nxjerra përkatësisht nga Bashkia Kamëz dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit ishin akte absolutisht të pavlefshme“,-argumenton avokatja Dorina Ndreka Asllani, e cila ka ndjekur nga afër çështjen bashkë me kolegë të tjerë.

 

Bashkia Kamëz me një vendim të fillim vitit 2019 i dha me qira kompanisë “BioProducts” hapësirën e gjelbërt të quajtur “Plepat e Brukës” për ta shfrytëzuar për një afat kohor prej 20 vjetësh. Sipas planit të miratuar, në këtë hapësirë do të ndërtohej një ambient agroturizmi, i cili përmbante edhe një thertore.

 

Dëshira Tatoshi, banore e Laknasit shprehu përmes Citizens Channel emocionet e përjetuara përgjatë gjithë këtij rrugëtimi gjyqësor.

 

“Mbrëmë njëherë s’kam vënë gjumë në sy. Kemi hequr një stres, kemi hequr një siklet, linim fëmijët mënjanë, punët mënjanë, gjërat mënjanë, planet e përditshme mënjanë dhe rrinim mbronim pyllin. E bënim me orar. Kjo është një stres i paparë. U letuam dhe sinqerisht jemi shumë të gëzuar”,-tha Dëshira.

 

Për Hamit Gjokmelin, ky vendim është një shpërblim kundrejt protestave 3 vjeçare të tyre kundër ndërhyrjes në pyll.

 

“Është vetëm një gëzim i madh për ne banorët në rradhë ta parë që gjatë gjithë 3 vjetëve gjetëm një drejtësi që komuniteti këtu eci me të vetën ka tre vjet. Jam shumë i kënaqur që me këtë ajrin e pastër unë i mbrojta fëmijët e fëmijëve të mi. Jo fëmijët e mi, por edhe fëmijët e fëmijëve të mi. Për këtë jam shumë i kënaqur dhe faleminderit drejtësisë. Drejësia le të vazhdojë kështu se edhe shqiptarët i kanë mbrapa”,-shprehet i emocionuar Gjokmeli.

 

Banorët janë kujdesur për këtë hapësirë të gjelbër për 30 vite me radhë, duke mbjellë pemë dhe duke e pastruar atë. Së fundmi, për shkak të procesit gjyqësor të nisur, ata nuk mundën më të vinin dorë mbi të, mirëpo me vendimin e sotëm, ata shprehen të lumtur se do mund ta mirëmbajnë sërish.

 

“Ne pyllin tonë tani e kemi lëne sot e tre vite pa e pastruar. Ka arrit ferra mbi 10 metra pa e pastruar se ishim në proces gjyqësor. Tani ne do ta bëjmë atë baçe me lule, me kënd lojërash për ne dhe fëmijët tanë sidomos”-shprehet për Citizens Channel, Bukurie Balliu.

 

Kjo hapësirë e gjelbërt është e vetmja në Laknas, ndërsa përbri saj shtrihet edhe lumi i Lanës.

 

“Pyll apo zallishte” – historia e procesit gjyqësor

Banorët e Laknasit janë njohur me vendimin për të ndërtuar në “Plepat e Brukës” vetëm përmes tabelës së vendosur për nisjen e punimeve dy vite më herët.

 

Pa asnjë konsultim publik nga bashkia Kamëz dhe asnjë informacion edhe kur tentuan t’i drejtohen këtij institucioni me këtë kërkesë.

 

Banorët iu drejtuan më vonë Gjykatës Administrative për të kërkuar pezullimin e punimeve. Gjykata pranoi kërkesën e banorëve duke pezulluar punimet. Por për shkak të ankimimit nga kompania në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit e konsideroi të gabuar vendimin e Gjykatës Administrative duke rrëzuar masë ne sigurisë.

 

Referuar lejes së dhënë nga Bashkia Kamëz toka në të cilën pritet të ndërtohet thertorja dhe agroturizmi konsiderohet si zallishte. Mirëpo banorët, të cilët janë kujdesur për 30 vite për “Plepat e Brukës”, duke i mbjellë vetë pemët në tokën publike, insistojnë se kjo tokë është një pyll.

 

Ekspertët e ngarkuar nga gjykata për të bërë verifikimin në terren u gjobitën dy herë për mos veprim, duke bërë që seancat pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë të shtyhen.

 

Ndërsa në seancën e 28 shkurtit të vitit 2022 u provua eksistenca e një pylli në Laknas përkundrejt pretendimeve më herët si zallishte. Grupi i ekspertëve, dorëzoi pranë gjykatës një akt-ekspertizë ku konfirmohej ekzistenca e pyllit, me 22% të hapësirës me pemë.

 

Ligji 57/2020, e përcakton qartë se kur një territor quhet pyll. Sipas pikës 48 të nenit 3 të këtij ligji, “Pyll është sipërfaqja e tokës më e madhe se 0.5 ha, e mbuluar me drurë më të lartë se 5 metra dhe me shkallë mbulimi mbi 10 për qind, ose me drurë të aftë për të arritur këto pragje”.

 

Tanimë pritet që vendimi të ankimohet në Gjykatën e Apelit nga palët e paditura. Por sipas avokates Asllani deri në përfundim të procesit gjyqësor pylli nuk mund të preket.

 

“Faktin që ne kemi një vendim të Gjykatës së Lartë që ka pezulluar ndërtimin, pra çdo veprim nga ana e shoqërisë dhe gjykata e shkallës së parë sot e legjitimoi masën e sigurimit, pra e konfirmoi edhe njëherë, kështu që deri sa çeshtja të mbyllet në apel, për ne nuk ka ndonjë nxitim që të trajtohet si çështje sepse firma nuk ndërton dot, pasi gjykata e ka të ndaluar që të kryejë çdo lloj veprimi deri sa të përfundojë gjykimi në apel”,-sqaron avokatja Asllani./