Ditën e sotme Kryeministri Rama ishte në qytetin e Korçës, aty ku ka realizuar disa ngalesa. Ndalesa e parë ishte në parkun e Korçës, aty ku po ndërtohet Parku japonez.
Parku japonez në qytetin e Korçës, i pari i këtij lloji në Shqipëri, është një prej projekteve të suksesshme të Bashkisë së qytetit për hapësirat e gjelbra, i cili shtrihet në vendin ku dikur ishte shtrati i lumit të Korçës dhe njëkohësisht vendgrumbullimi i inerteve.
Sot, falë një donacioni të qeverisë japoneze është transformuar në një park me funksion çlodhës dhe argëtues për banorët, rrëzë kodrave të qytetit.
Kryetari i Bashkisë Korçe, Sotiraq Filo, duke shpjeguar projektin, tha se shumë elementë përbërës të parkut, siç është p.sh., kopshti urban, janë modele që prezantohen për herë të parë në Shqipëri dhe që duhet të përhapen edhe në qytete të tjera.
“Ky është projekti i fundit i Bashkisë për hapësirat e gjelbra. Është kopshti japonez dhe kopshtet komunitare. Kjo hapësirë që deri dje ka qenë ish-shtrati i lumit të Korçës shërbente si vend për të hedhur intertet. Tani është transformuar rrënjësisht. Nga ana e arkitektit janë vendosur elementë të parqeve japoneze. Është i pari park japonez në Shqipëri. Është një hapësirë, e cila lidh disa institucione, Muzeun e Artit Mesjetar, një prej godinave të universitetit, Gjykatën e Shkallës së Parë dhe Prokurorinë. Gjithë këto institucione tani kanë këtë hapësirë të sistemuar. Kopshti urban është një model që prezantohet për herë të parë në Shqipëri. Janë parcela, hapësira që ne mendojmë t’ia ndajmë një grupi banorësh që mund të vijnë këtu që të punojnë tokën, të kultivojnë perime, por edhe të shoqërizohen në një lloj mënyre. Janë modele që mund të përhapen edhe në qytete të tjera. Godina e universitet është bashkuar me parkun me qëllim që ky park të shfrytëzohet, jo vetëm nga banorët, por edhe nga studentët”, – u shpreh Filo.