Drejtoria e Mjedisit pranë Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit njoftoi se kishte ngritur një grup punë për të verifikuar rrjedhjen e naftës në puset e Albpetrol në Kuçovë, duke pranua se në dy vjet për këtë zonë nuk kishte pasur kontrolle.
Drejtoria e Inspektimit të Mjedisit njoftoi të premten se kishte ngritur një grup pune për inspektimin e ndikimit në mjedis të veprimtarisë naftënxjerrëse në zonën e Kuçovës. Vendimi erdhi pas publikimit nga BIRN në 6 maj të shkrimit mbi ndotjen e pakontrolluar prej naftës në këtë zonë.
Të premten, 13 maj 2022, Drejtoria e Inspektimit të Mjedisit dhe Ujërave në Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, pranoi mungesën e kontrollit në zonë. “Gjatë dy viteve të fundit nuk ka pasur inspektime të programuara ose rastësore në zonën e Kuçovës për subjekte që ushtrojnë veprimtari naftënxjerrëse duke pasur në konsideratë impaktin që këto të fundit kanë në mjedis”, thuhet në përgjigjen e IKMT-së.
Ndërkohë Drejtoria e Mjedisit njoftoi BIRN në të njëjtën përgjigje se kishte ngritur një grup pune që do të verifikonte situatën. “Kemi ngritur grupin e punës për inspektimin e rastit në fjalë përmes Urdhrit të Brendshëm me nr.150 datë 10.05.2022 “Për inspektimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në nxjerrjen dhe përpunimin e naftës dhe nënprodukteve të saj në qarkun Berat-Kuçovë”, më nr. 2209 prot. dhe datë 10.05.2022.”, thuhet në komunikim.
Aktiviteti naftënxjerrës në zonën e Kuçovës ka qenë plotësisht i pamonitoruar për sa i përket ndikimit në mjedis gjatë dy viteve të fundit. BIRN mësoi nga Agjencia Rajonale e Mjedisit, Instituti i Shëndetit Publik dhe Drejtoria e Hidrogjeologjisë e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar që, gjatë këtyre dy viteve, nuk kishte pasur asnjë inspektim në këtë zonë, për sa i përket gjendjes së ujërave, të ajrit dhe të shëndetit të banorëve. Edhe kompania Albpetrol, që ushtron aktivitetin naftënxjerrës në zonën e Kuçovës, nuk kishte kryer vetëmonitorime mjedisore pas janarit 2020.
Industria nxjerrëse e naftës në Kuçovë operon me një teknologji të vjetëruar dhe pajijse të amortizuara të viteve ’30, të cilat shaktojnë rrjedhe nafte dhe krijojnë pellgje sere rreth puseve. Këtë shqetësim e artikuluan për BIRN kryetari i Bashkisë Kuçovë dhe banorë të lagjes Postbllok dhe komunës Kozare, ku puset me probleme ndodhen pranë shtëpive dhe tokave bujqësore dhe pellgjet e naftës janë lehtësisht të dukshme./Reporter.al