Ekonomia Blu e Mesdheut, 641 mln euro humbje nga ndotja plastike çdo vit, pjesë edhe ekonomia shqiptare

Për fat të mirë, Shqipëria është pjesë e çmuar e Mesdheut dhe përfitimeve ekonomike që ai ofron. Por dëmet e shkaktuara nga ndotja plastike në Mesdhe janë kolosale dhe Shqipëria është pjesë gjithashtu e dëmeve të shkaktuara dhe efekteve të humbjeve në ekonomi.

By admin

Mesdheu është një ndër “rajonet ujore” strategjike më të lakmuara për industrinë detare, sektorin e peshkimit e padyshim turizmin.

Për fat të mirë, Shqipëria është pjesë e çmuar e Mesdheut dhe përfitimeve ekonomike që ai ofron. Por dëmet e shkaktuara nga ndotja plastike në Mesdhe janë kolosale dhe Shqipëria është pjesë gjithashtu e dëmeve të shkaktuara dhe efekteve të humbjeve në ekonomi.

Çdo vit, rreth 1 milion ton plastikë hidhen në ujërat e Mesdheut. Studimet konstatojnë se 80 për qind e ndotjes detare nga plastika në rajonin e Mesdheut kthehet në tokë brenda një dekadë, duke ndotur plazhet dhe vijat bregdetare. Kjo ndodh çdo vit dhe e mbledhur ndër vite situata degraduese përbën një kërcënim për biodiversitetin ashtu si edhe ekonomitë.

Ekonomia Blu e Mesdheut përfaqëson 6% të PBB-së së rajonit, por humbet 641 milionë euro nga ndotja detare e plastikës çdo vit. Turizmi, tregtia detare dhe peshkimi janë drejtpërdrejt dhe negativisht të ndikuar nga ndotja plastike. Shifrat flasin për një situatë që kërkon reflektim të menjëhershëm në politika qeveritare ashtu si edhe ndërgjegjësim qytetar.

Turizmi, humbje deri në 268 milionë euro çdo vit nga ndotja plastike

Kur vera afron, dhe sjell me vete gjithnjë bum turistik e vizitorësh bashkë me të ndotja plastike shumëfishohet. Humbjet ekonomike llogariten deri në 268 milionë euro çdo vit. Turizmi rrit prodhimin mujor të mbetjeve me një të tretën gjatë verës. Bashkitë mund të mbingarkohen nga fluksi shtesë i mbetjeve, duke çuar në mbetje të pambledhura ose në praktika të pasigurta menaxhimi. Si rezultat, industria e turizmit shpesh bart koston e pastrimit për të siguruar që vendet të mbeten tërheqëse për turistët.

Sektori i Peshkimit humbet afër 138 milionë euro në vit

Ndotja plastike vret masivisht peshqit dhe gjallesat e tjera ujore, e njëkohësisht godet sektorin e peshkimit. Është pak por e sigurtë gjithashtu se edhe në rastet kur mbijetojnë, peshqit përmbajnë në organizmin e tyre mikroplastike. Por nga ana tjetër, ndotja plastike është shndërruar më shumë se një sfidë, në një përballje të vërtetë me anijet e peshkimit. Mbetjet masive plastike nga akumulimi masiv mbizotërojnë pjesën nënujore dhe shpesh bllokojnë motorët e varkave dhe rrjetat e peshkimit. Kostot në humbje që shkaktohen janë rreth 138 milionë euro në vit. Kostoja më e madhe për sektorin është e lidhur me dëmtimin dhe mirëmbajtjen e automjeteve, shkaktuar nga mbushja me mbeturinat plastike dhe vonesat e shkaktuara nga mbushja e rrjetave të peshkimit me plastikë.

Industria detare humbet rreth 235 milionë euro në vit

Me rreth 235 milionë euro humbje në vit, transporti detar është veçanërisht i prekur nga përplasjet me objektet plastike, ngatërrimi i objekteve lundruese me tehet e helikave dhe bllokimi i vendeve për hyrjen e ujit për sistemet e ftohjes së motorit. Kostot shkaktohen nga ndërprerja e anijes, vonesat dhe e mirëmbajtjes shtesë. Objektet portuale janë gjithashtu në rrezik nga ndotja plastike, duke përfshirë bllokimin e rrugëve ujore, gjë që krijon vonesa dhe shkakton shpenzimet për pastrimit e tyre.

Zero mbetje në Mesdhe – Alarmi i heshtur ka nxitur qeveritë veprojnë me shpejtësi

Alarmi i heshtur ka bërë që shumë qeveri të veprojnë shpejt dhe të ndërmarrin masa në të gjitha nivelet për të siguruar zero rrjedhje të plastikës në natyrë. Ndërprerja e konsumit të plastikës mbetet një parakusht për reduktimin e sasisë së padurueshme të mbetjeve të rajonit. Modeli i zero mbetjeve për Mesdheun përfshin gjithashtu minimizimin e plastikës në produkte dhe sigurimin e riciklimit plotësisht efikas Këto ndërrime sistemike do të kërkojnë investime të forta publike dhe private. Disa zgjidhje dhe praktikat më të mira janë tashmë të disponueshme në të gjithë rajonin dhe duhet të ndahen dhe të rriten për të maksimizuar ndikimin. / Revista Monitor