Shoqata e Konvertuesve të Plastikës, ka theksuar se personat që prodhojnë, importojnë ose hedhin në treg qese plastike njëpërdorimshe do të gjobiten me 500 mijë lekë dhe në rast përsëritjeje vlera do të jetë 1.500.000 lekë dhe me sekuestrim të gjithë sasisë së qeseve plastike të ndaluara.
Shoqata thekson se është në anën e ligjit që hyri në fuqi dy ditë më parë dhe do të nxisë zbatimin nga të gjithë, subjekte dhe qytetarë.
“Ne si prodhues të ambalazheve plastike jemi të vetëdijshëm se zbatimi me korrektësi dhe efiҫencë i këtyre ndryshimeve ligjore do të kontribuojnë pozitivisht në ruajtjen dhe garantimin e një zhvillimi të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik në raport me mjedisin.
Referuar ndryshimeve ligjore që ju bënë ligjit Nr.10463 dt.22.09.2011 me ligjin Nr.28 dt.17.03.2022 dhe VKM Nr.367 dt.30.5.2022 e dalë në zbatim të këtyre ndryshimeve për ndalimin e “QESEVE PLASTIKE NJËPËRDORIMSHE” në vendin tonë ju informojmë se:
Nga data 01.06.2022 në vendin tonë do të jetë e ndaluar të importohen, prodhohen dhe hidhen në treg “QESET PLASTIKE NJËPËRDORIMSHE”.
Do të jenë të lejuara, të prodhohen, importohen dhe hidhen në tregun e Republikës së Shqipërisë “QESET PLASTIKE SHUMËPËRDORIMSHE”, të cilat duhet të plotësojnë këto kritere dhe standarte, teknike e mjedisore:
1-GJATËSIA e plotë e qeses e lejuar duhet të jetë jo më pak se 50 cm.
2-GJERËSIA më e vogël e lejuar e qeses duhet të jetë jo më pak se 24 cm.
(Pa përfshire palosjet anësore të qeses)
3-TRASHËSIA e qeses plastike do të duhet të jetë jo më pak se 70 Micron për anë.
4-“QESET PLASTIKE SHUMËPËRDORIMSHE” nuk duhet të kenë në përbërje aditivë oxo-degradues apo oxo-biodegradues.
5-“QESET PLASTIKE SHUMËPËRDORIMSHE” do të duhet të kenë të stampuar “vulën” e gjurmueshmërise së prodhuesit, apo importuesit në vendin tonë.
Në të gjitha rastet kur nga operatorët ekonomikë në vendin tonë do të importohen, prodhohen dhe hidhen në treg qese plastike që nuk përmbushin të gjitha kriteret dhe standartet e sipër cituara do të zbatohen gjoba dhe penalitete si më poshtë vijon:
-Personi fizik/juridik që importon, prodhon, hedh në treg “QESE PLASTIKE NJËPËRDORIMSHE” gjobitet në masën 500.000 lekë dhe i sekuestrohet e gjithë sasia e qeseve plastike të ndaluara që posedon.
-Në rast përsëritjeje, gjoba vendoset në vlerën 1.500.000 lekë dhe me sekuestrim të gjithë sasisë së qeseve plastike të ndaluara.
-Në rastet e përsëritjes edhe pas gjobitjes në vlerën 1.500.000 lekë dhe me sekuestrim të plotë të qeseve plastike të ndaluara, operatori ekonomik dënohet me revokimin e lejes/liҫensës së prodhimit dhe sekuestrimin e të gjitha qeseve plastike të ndaluara që posedon.
Shoqata e Konvertuesve të Plastikës është e gatshme të kontribuojë me informim të publikut apo edhe operatorëve ekonomikë që janë të interesuar për më shumë informacione dhe detaje teknike në lidhje me këtë proҫes.
Ne do të nxisim vazhdimisht zbatimin e ligjit dhe do të kontribuojmë në denoncimin, nëse do të konstatojmë raste kur në treg mund të depërtojnë qese të ndaluara, që futen në rrugë të paligjshme.”/Top Chanel