Kalendari Mjedisor

Dita botërore e pyjeve tropikalë. Rëndësia e tyre për botën

Lufta në Evropë, trazirat ekonomike dhe pasojat e COVID-19 kanë qenë kryefjala e vitit 2022. Por kriza e trefishtë e ndryshimeve klimatike, humbjes së biodiversitetit, ndotjes dhe mbetjeve, është akoma prezente. Në të vërtetë, konflikti në Ukrainë, rritja e çmimeve të energjisë dhe mallrave dhe epidemia e vazhdueshme, të gjitha theksojnë nevojën për një botë […]

By admin

Lufta në Evropë, trazirat ekonomike dhe pasojat e COVID-19 kanë qenë kryefjala e vitit 2022. Por kriza e trefishtë e ndryshimeve klimatike, humbjes së biodiversitetit, ndotjes dhe mbetjeve, është akoma prezente. Në të vërtetë, konflikti në Ukrainë, rritja e çmimeve të energjisë dhe mallrave dhe epidemia e vazhdueshme, të gjitha theksojnë nevojën për një botë më të qëndrueshme.Një element kyç i transformimit në një botë më të qëndrueshme është ndalimi i humbjes së biodiversitetit dhe rikuperimi i ekosistemeve. Të pakta janë ato ekosisteme të cilat janë aq të rëndësishme sa pyjet tropikalë.

Gabriel Labbate, kreu i Njësisë së Zbutjes së Klimës në Programin e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), shpjegon pse ruajtja e pyjeve tropikalë është kaq urgjente si dhe cilat mund të jenë pasojat e pakonceptueshme të humbjes së tyre.

Pse pyjet tropikalë janë kaq të rëndësishëm?

Pyjet si Amazona ose pellgu i Kongos janë rezervuarë gjigantë të biodiversitetit, ku banojnë xhaguarët, shimpanzetë dhe Slothët. Ato kanë një rol të rëndësishëm gjithashtu, në rregullimin e disponueshmërisë së ujit në nivelet rajonale dhe largimin e karbonit nga atmosfera dhe për rrjedhojë zbutjen e ndryshimeve klimatike. Për shembull, pellgu i Kongos arrin të ndikoj deri në modelet e reshjeve të Afrikës së Veriut. Ndërsa nga ana tjetër, për njerëzit që jetojnë brenda këtyre ekosistemeve, pyjet shërbejnë si burim të ardhurash, ushqimesh apo ilaçesh.

Sa të kërcënuara janë ekosistemet e pyjeve tropikalë?

Ka shenja shqetësuese që tregojnë se disa nga këto sisteme mund të jenë në një pikë kritike. Një studim i realizuar së fundi, dokumentoi fakte të qarta se si Amazona po pëson ndryshime të mëdha. Amazona është si një “riciklues gjigand” ose një “pompë uji”. Uji mund të riciklohet deri në pesë herë ndërsa udhëton nga juglindja në veriperëndim të Amazonës. Kur shiu bie mbi pemë dhe bimësi, një pjesë e tij përdoret nga bimët dhe pjesa tjetër kthehet përsëri në ajër nëpërmjet procesit të avullimit. Në qoftë se ky cikël do të ndalojë qarkullimin, i gjithë sistemi mund të transformohet në një savanë, sepse uji do të ishte i pamjaftueshëm për ruajtjen e një pylli tropikal. Por, pas zhdukjes së një ekosistemi të tillë, pasojat do të jenë të shumta dhe ndoshta këto pasoja do të jenë më të rënda se ato çfarë shoqëria jonë mund të përballojmë.

Cilat aktivitete njerëzore janë aq kërcënuese saqë mund të na çojnë deri në shkatërrimin e ekosistemeve të pyjeve tropikalë?

Një kërcënim i rëndësishëm në Azinë Juglindore dhe Amerikën Latine janë sistemet e prodhimit ushqimor. Zgjerimi plantacioneve të sojës apo fermave të gjedhëve apo mallrave të tjera, ka ndikuar në rritjen e sipërfaqeve të shpyllëzuara dhe humbjen e pyjeve vendase. Ky është problemi kryesor. Por kjo nuk do të thotë se sistemet e prodhimit ushqimor nuk mund të zgjerohen. Ato duhet të zgjerohen sepse popullsia globale do të vazhdojë të rritet për disa kohë përpara se të stabilizohet. Por sistemet e prodhimit ushqimor do të duhet të zhvillohen në lloje të tjera tokash. Kjo është diçka e arritshme, edhe ekonomikisht është e realizueshme.

Infrastruktura është një tjetër faktor dhe një ndër aktivitetet që ka një impakt të konsiderueshëm në pyjet tropikalë, dhe më konkretisht, në ndërtimin e rrugëve në sipërfaqet pyjore të paprekura më parë.

Një tjetër kërcënim i rëndësishëm janë edhe zjarret. Për më tepër ata janë tregues të mirëfilltë të ndryshimit të klimës dhe rritjes së temperaturës globale që, nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm të transmetimit, rezultojnë në një rritje të shpeshtësisë dhe intensitetit të zjarreve. Si rrjedhojë këto zjarre pompojnë më shumë karbon në ajër i cili forcon më shumë ndryshimin e klimës, duke rritur temperaturat, e kështu me radhë.

Çfarë duhet të bëjmë për të mbrojtur pyjet tropikalë?

Nga ana e korporatave, kompanitë e përfshira në prodhimin e mallrave duhet të pastrojnë zinxhirët e tyre të furnizimit. Presioni publik mund të shërbej si shtysë, në mënyrë që këto kompani ta bëjnë këtë. Ka tashmë shenja se blerësit kryesorë të mallrave, si Bashkimi Evropian, po mendojnë seriozisht rreth vendosjes së kushteve për blerjen e mallrave, që do të thotë se këto mallra nuk mund të jenë të lidhura në asnjë lloj forme me shpyllëzimin.

Qeveritë gjithashtu duhet të ndërmarrin veprime për të frenuar shpyllëzimin, për të forcuar ruajtjen dhe për të shkuar përpara me restaurimin. Brazili, për shembull, provoi në të kaluarën se është krejtësisht e mundur që shpyllëzimi të ndalet pa dëmtuar industritë bujqësore. Nga 2004 në 2012, shpyllëzimi ra me rreth 80 përqind, ndërsa vendi vazhdoi të ishte një eksportues i madh i mallrave.

Si mund të kontribuojnë individët në përpjekjet për të mbrojtur pyjet?

Në nivel individi kontributet mund të jenë në forma të ndryshme. Për shembull, nëse do të zhvillohen zgjedhje në një vendi të caktuar, cdo person që do të votojë duhet të shoh se çfarë propozojnë forcat e ndryshme politike për ruajtjen e mjedisit.

Kur konsumoni, zbuloni se nga vijnë produktet, mund të gjeni informacion të mirë në internet nëse produktet janë të lidhura me shpyllëzimin.

Bisedoni me fëmijët për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit. Dhe nëse ka një shoqëri lokale të ruajtjes në qytetin tuaj, fshatin ose kudo që jetoni, bashkohuni me ta, investoni pak nga koha juaj dhe njihuni me problemet.klima.al