Menaxhimi i burimeve natyrore kërkon së pari njohjen dhe zgjidhjen sa më të shpejtë dhe të duhur të problemeve mjedisore. Duke marrë informacionin e saktë për çështjet mjedisore, njerëzit arrijnë të kuptojnë jo vetëm ndikimin e degradimit mjedisor në jetën e tyre, por edhe si mund të mbrojnë dhe mirëpërdorim burimet natyrore. Këtë proces e ndihmon përdorimi efektiv i teknikave dhe mjeteve të komunikimit dhe gazetarisë, si dhe pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje.
“Comm-On Environment”- programi online i komunikimit mjedisor, i cili po zhvillohet nga Instituti i Studimeve të Komunikimit nga Shkupi, Departamenti i Biologjisë dhe Ekologjisë në Universitetin e Novi Sadit, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Arkitekturës Detare në Universitetin e Zagrebit, Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës dhe Departamenti i Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës do të përcjellë një pjesë të njohurive dhe aftësive që duhen për të mundësuar komunikimin efektiv dhe zgjidhjen e konflikteve lidhur me cështjet mjedisore.
Njëzet e dy profesorë dhe profesionistë të mjedisit dhe komunikimit nga Maqedonia, Kroacia, Serbia, BiH dhe Shqipëria morën pjesë në një takim njëjavor në Zagreb në Qershor 2022, ku bashkuan njohuritë dhe përvojën e tyre në krijimin e kurrikulave për pesë kurse dhe një veprimtarie “hackathon” në përfundim të këtij kursi.
Kurset do të trajtojnë sfidat e menaxhimit të burimeve natyrore dhe mbrojtjes së biodiversitetit, retorikën e problemeve mjedisore dhe përfaqësimin e saj në kulturën e komuniteteve. Në të do të trajtohen metodat e komunikimit që duhet të zbatojnë shkencëtarët në epokën e krizave mjedisore, si një mënyrë për të paralajmëruar publikun dhe ngritur zërin në kohë për problemet mjedisore. Më tej kurset do të paraqesin mënyrat se si institucionet shtetërore duhet të vlerësojnë rreziqet dhe t’i komunikojnë ato me publikun, dhe si biznesi të shtojë përpjekjet për një aktivitet të gjelbërt dhe menaxhim të qëndrueshëm.
Programi online do të ndihmojë për zotërimin e aftësive gazetareske lidhur me mbledhjen dhe verifikimin e informacionit mjedisor nga burime të besueshme, shkrimin dhe tregimin e lajmeve, si dhe teknikat e marketingut social dhe avokimit për fushata mjedisore. Kurset do të sjellin informacion mbi mënyrat se si publiku mund të marrë pjesë aktive në vendimmarrje dhe zgjidhjen e konflikteve të lidhura me burimet natyrore.
Përveç përmbajtjes, lektorët e ndryshëm nga rajoni do të përdorim metoda të larmishme të mësimdhënies dhe të nxënit online, detyrat interesante dhe materiale shtesë në çdo kurs.
Programi online është zhvilluar në kuadër të projektit “Mainstreaming Environmental Communication through Online Learning and Virtual Mobility”, i mbështetur financiarisht nga programi ERASMUS+ i Bashkimit Evropian.
Për më shumë informacion:
Mihallaq Qirjo
Departmenti i Biologjisë
Kordinator i projektit