112 milionë euro për impiantet, por ujërat e ndotura derdhen në det të patrajtuara

Mbi 112 milionë euro, të investuara në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura, nuk kanë mjaftuar për të pastruar ujërat në vendin tonë. Edhe pse aktualisht numërohen 16 impiante të trajtimit të ujërave të ndotura, vetëm 10% e popullsisë e merr këtë shërbim, ndërsa ujërat e zeza dhe industriale vijojnë të shkarkohen në lumenj […]

By admin

Mbi 112 milionë euro, të investuara në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura, nuk kanë mjaftuar për të pastruar ujërat në vendin tonë. Edhe pse aktualisht numërohen 16 impiante të trajtimit të ujërave të ndotura, vetëm 10% e popullsisë e merr këtë shërbim, ndërsa ujërat e zeza dhe industriale vijojnë të shkarkohen në lumenj e dete, duke krijuar dëme të pallogaritshme për mjedisin dhe shëndetin e popullatës.

Lungomare në Vlorë, një nga projektet më të kushtueshme të Rilindjes Urbane, bëhet “pis” nga kanalet e hapura të ujrave të zeza e të bardha, që përfundojnë në det të patrajtuara.

Investigative Network Albania identifikoi së paku dy pika të tilla, që mbledhin ujërat e zonës përreth dhe i derdhin në det, duke u kthyer në një burim të rrezikshëm infeksioni.

Kanalet e ujrave të bardha e të zeza, që derdhen në det të patrajtuara

Kjo vërtetohet edhe nga rezultatet e raportit vjetor të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, që mat cilësinë e ujërave bregdetare, ku lahen shqiptarët. Sipas këtij raporti, ujërat pranë Shkollës së Marinës janë të kategorisë D, pra të një cilësie shumë të keqe, ndërsa ato të Plazhit të Ri janë të kategorisë B ose pak të ndotura.

Kjo situatë ndodh, edhe pse tri vite më parë u inaugurua impianti që kushtoi 21 milionë euro, të financuara nga Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare. I vendosur në Pyllin e Sodës ai parashikonte që të përmirësonte dukshëm cilësinë e ujërave detare në plazhet e Vlorës dhe ka një rreze të trajtimit deri tek Uji i Ftohtë.

“Impianti është në funksion të plotë këtë sezon veror dhe do të bëjë të mundur që filtrimi i ujërave të ndotura të shkojë në 70%, duke bërë që ujërat në det të jenë më të pastra. Ky impiant do të bëjë të mundur që të mos ketë më derdhje të ujërave të ndotura në det, ndërsa do të përfshihen në këtë projekt edhe banesat që janë ndërtuar në zonat kodrinore, deri te tuneli në Ujë të Ftohtë, të cilat nuk kanë qenë të përfshira ndonjëherë në rrjetin e kanalizimeve”, – garantoi në prag të nisjes së sezonit turistik në vitin 2020 drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve, Vlorë, Dorian Xhelili.

Por, tri vite pas premtimeve me doza të shumta optimizmi, aktualisht ky impiant është pjesërisht në punë, pa mundur t`i pastrojë ujërat. Vlora nuk është i vetmi qytet, i cili, ndonëse ka impiant filtrimi të ujërave të përdorura, sërish ato përfundojnë në lumë e më pas në det të hapur. Miliona euro investime, shumë pak përfitime!

Të dhënat e hulumtuara nga INA MEDIA tregojnë se në vendin tonë janë investuar rreth 13 miliardë lekë të reja ose 105 milionë euro për të ngritur sistemin e filtrimit të ujërave të ndotura.

Aktualisht, një impiant ndodhet në Shirokë; një në Velipojë; një në Lezhë (pjesërisht në operim), një në Lalëz; një në Durrës, një në Kavajë (nuk është plotësisht në operim, pasi ka defekt), një në Vlorë (pjesërisht në operim), një në Sarandë (pjesërisht në operim), një në Pogradec, si dhe një tjetër në Korçë. Impiante po ashtu janë ndërtuar edhe në Orikum, në Palasë dhe në Dhërmi.

Në Shqipëri ndërtimi i impianteve të ujërave të ndotura ka nisur relativisht vonë. Impianti i parë është ai i Kavajës, i ndërtuar në vitet 2003-2007, me financim të KfW-së, Bankës Gjermane për Zhvillim, me vlerë 4.9 milionë euro.

Ky impiant u zgjerua në një fazë të dytë (2012-2018), përmes fondeve IPA 2009 të Komisionit Europian, me vlerë 5.3 milionë euro. Impianti parashikon të ofrojë shërbim për 90 mijë banorë të zonës.

Por, me gjithë investimin, që kap vlerën mbi 10 milionë euro, ky impiant nuk e kryen procesin e plotë të trajtimit të ujërave të ndotura. Në vitin 2021 Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), ka gjetur një sërë problematikash në funksionimin e këtij impianti, të konstatuara në 6-mujorin e parë të vitit 2020.

“Ky impiant nuk kryen proces të plotë të trajtimit të ujërave të ndotura. Kryen procesin paraprak dhe atë primar jo të plotë, kështu që nuk jep rezultatin e pritshmërisë së investimit, nuk plotëson normat dhe standardin e cilësisë që duhet të plotësojë uji i trajtuar, përpara se të derdhet në trupat ujore, pritëse. Ndotja e ujërave të lumenjve pasohet nga një zinxhir efektesh negative me kosto të larta mjedisore dhe të shtrira në kohë”, – thuhet në raportin e KLSH-së.

“Laboratori i analizave fiziko-kimike dhe bakteriologjike pranë Ujësjellës-Kanalizime, Kavajë, nuk funksionon”, – citohet më tej në këtë raport për impiantin e Kavajës.

Impianti nuk ishte plotësisht në funksionim edhe në prill 2022, kur iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Kavajës. “Impianti është pjesërisht në funksion, pasi akoma nuk ka mbaruar projekti i riparimit, zbatimi i të cilit mund të zgjasë edhe 1 muaj maksimumi”, – thotë në përgjigje Bashkia e Kavajës. Projekti i riparimit, të cilit i referohet Bashkia e Kavajës, është tenderuar një vit më parë dhe kap vlerën e 153 milionë lekëve të reja.

Por, krejt ndryshe nga Ujësjellës-Kanalizime, Kavajë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), nuk e di se ky impiant është përkohësisht jashtë funksionit, por i tha INA MEDIA-s se impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në Kavajë është në funksionim. Ndonëse ky impiant do të duhej të shërbente si model për impiantet e tjera, investimi nuk e ka përmbushur këtë qëllim. I dorëzuar në vitin 2007, investitorët janë të pakënaqur me performancën që duhet të kishte një investim i tillë. “Mund të them se nuk është ndër impiantet që ka operuar më mirë. Ajo që ne shohim, kur bëjmë vlerësimin, është se si ka impaktuar në zhvillimin e zonës”, – tha për INA MEDIA-n Bledar Dollaku, koordinator programi pranë KfW.

Impianti i Kavajës është një prej 16 impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura, të ndërtuara në Shqipëri gjatë viteve 2005-2021, me një vlerë totale investimi mbi 13 miliardë lekë. Impiantet janë ndërtuar kryesisht në vijën bregdetare për të reduktuar edhe ndotjen e plazheve e për t’i shërbyer zhvillimit të turizmit. Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e popullsisë merr shërbim të trajtimit të ujërave të ndotura.

Njësia e Monitorimit pranë AKUM në vitin 2019 konstatoi se aksesi në këtë shërbim është 4 herë më i vogël sesa objektivi. “Vetëm 10.45% e popullsisë urbane është e lidhur me impiant trajtimi të ujërave të ndotura, shifër e cila mbetet shumë e ulët, ndërkohë në zonat rurale shpesh mungon edhe sistemi i kanalizimeve. Këto nivele të mbulimit janë shumë mbrapa objektivit të përcaktuar në Strategjinë Kombëtare të FU&K, 2011-2017, që synonte të arrihej në 40% të mbulimit të trajtimit të ujërave të ndotura deri në fund të vitit 2017”, – thuhet në raportin e AKUM.

E njëjta situatë konfirmohet edhe nga një raport i Entit Rregullator të Ujit përgjatë vitit 2021, i cili konstaton se, pavarësisht një rritjeje të lehtë të mbulimit me impiante të trajtimit të ujërave të ndotura, sërish vendi mbetet larg objektivave të vendosura. “Për vitin 2021 kanë raportuar të dhëna 7 shoqëri, ku numri total i popullsisë së shërbyer me ITUN është rreth 497,960 banorë, me një rritje prej 33,563 banorësh krahasuar me vitin 2020. Ky tregues gjithsesi mbetet në nivele jo të kënaqshme”, – citohet në raport.

Pavarësisht lumit të parave të hedhura për trajtimin e ujërave të ndotura, ekspertët vlerësojnë se ato nuk kanë qenë eficiente.

“Ajo që bie në sy gjatë këtyre viteve është mungesa e eficiencës në investime. Projektet nuk ndjekin një cikël të nevojshëm, ku përfshihet studimi i fizibilitetit, nuk ka oponencë, nuk ka ekspertizë. Të gjitha këto janë të nevojshme për të patur investime të suksesshme”, – argumenton Avni Dervishi, ekspert i çështjeve të ujësjellës-kanalizimeve.

Aleko Miho, biolog, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, thotë se këto impiante nuk janë efikase dhe nuk punojnë, sa kohë që niveli i ndotjes, në zonat ku ato funksionojnë, vazhdon të jetë i lartë. “Ndotja urbane vazhdon të jetë e lartë në këto mjedise. Kjo do të thotë se, ose impiantet nuk punojnë rregullisht, ose shumë nga ujërat e shkarkimit nuk mblidhen dhe nuk përpunohen, po derdhen direkt nëpër kanale kulluese në rrugën e tyre drejt lumit, liqenit apo detit”, – sqaron profesor Aleko Miho.

“Impiantet e Trajtimit të Ujërave janë ndërtuar kryesisht me grante, kredi të buta. Që nga momenti i marrëveshjes qeveritare është nevojitur një periudhë 4-5-vjeçare për ndërtimin e impiantit, ku përfshihet studimi i fizibilitetit, që kërkon 10-12 muaj. Pastaj kalohet në procedurat e tenderimit dhe më pas duhen rreth 18-20 muaj kohë për zbatimin”, – tha për INA MEDIA-n Bledar Dollaku nga KfW.

Impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura në Shqipëri

Strategjia kombëtare e sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, 2022-2030 parashikon që në vitin 2030 mbulimi me impiante të trajtimit të ujërave të ndotura të shkojë në 33%. Plani duket më shumë se ambicioz, kur llogarit që në 17 vite është mbuluar me ITUN rreth 1/3 e parashikimit të synuar për 8 vitet e ardhshme.

Tiranë, shpenzohen 40 milionë euro, por ende s`ka impiant

Tirana është i vetmi kryeqytet në Europë, ku ujërat e zeza derdhen në lumin që përshkon qytetin mes për mes.

“Kështu ka qenë Lana gjithmonë. Këtu janë derdhur gjithmonë ujërat e zeza”, – thotë Violeta, një zonjë 56-vjeçare që banon në zonën e Shallvareve, fare pranë Lanës. Sipas saj është e pamundur që të vijë një ditë, kur në Lanë nuk do të derdhen ujërat e zeza.

Premtimet për ndërtimin e një impianti të trajtimit të ujërave të ndotura për Tiranën datojnë 20 vite më parë, por u desh një dekadë deri në momentin e sigurimit të financimit nga JICA, Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, përmes një kredie të butë me vlerë rreth 100 milionë dollarë, por punimet nisën 5 vite më pas. Në vitin 2014 ministri i asaj kohe i Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, lajmëroi nisjen e punimeve për ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave në Kashar, që do të kushtonte 79 milionë dollarë (nga kredia e marrë nga JICA).

Punimet parashikohej të zgjasnin dy vite dhe impianti duhet të kishte përfunduar në vitin 2016, por në vitin 2016 ministri i asaj kohe i Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, dha një tjetër afat për përfundimin e punimeve. Sipas tij, ato do të përfundonin në vitin 2018.

Por, në fakt, historia u ndërlikua në vitin 2018, kur pas disa shtyrjesh të afatit të kryerjes së punimeve, AKUM ndërpreu kontratën me kompaninë italo-japoneze “Dondi & Kubota”, që po kryente punimet, për shkak të vonesave. Në të njëjtin vit kompania iu drejtua Gjykatës së Arbitrazhit në Londër, ku kërkonte dëmshpërblim për paligjshmëri të ndërprerjes së kontratës. Kjo kontratë ka qenë subjekt auditimi edhe nga KLSH, që konstaton “se kompanisë i janë vonuar pagesat për një periudhë 3-vjeçare, ndërkohë që i janë vonuar edhe lejet e nevojshme për punime”, ndaj rekomandon gjetjen e gjuhës së përbashkët me kompaninë.

“Për prishjen e kësaj kontrate, Kontraktori ka hapur çështje në Gjykatën pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, Londër dhe ka shumë gjasa që këtë çështje ta fitojë dhe, në rast se e fiton, buxheti i shtetit do të paguajë një shumë tepër të madhe, që mund të shkojë mbi 90 milionë euro”, – vë gishtin në plagë KLSH.

E ndërsa projekti ka mbetur në dyert e gjykatës, AKUM pranon se janë shpenzuar 43.9 milionë euro, ndërsa punimet janë të pezulluara prej 4 vitesh. Pas një kërkese nga INA MEDIA, AKUM detajon punimet që janë kryer deri në korrik të vitit 2018, kryesisht punime gërmimi për ndërtimin e vaskave. Fondi është shpenzuar për rreth 50% të punimeve të planifikuara.

Veç deklaratave publike të para disa viteve nga kryetari i Bashkisë së Tiranës për rifillim të punimeve, nuk ka ende asgjë konkrete.

“Ndërtime të tilla, që nuk vihen në punë, prishen dhe dalin jashtë përdorimit më shpejt se sa po të ishin në punë; shpërdorime të tilla nuk janë të mençura për një vend me ekonomi të brishtë si Shqipëria”, – thotë Aleko Miho për INA MEDIA-n.

Vetë AKUM pranon se nuk ka një plan konkret për përfundimin e impiantit. “AKUM është në proces të përpjekjeve për riaktivizimin e kontratës së supervizionit. Objektivi i parë i Konsulentit/Supervizorit do të jetë përgatitja e një vlerësimi të situatës fizike, aktuale dhe më pas të anës ekonomike, të nevojshme për përfundimin dhe vënien në punë të kësaj vepre”, – shprehet AKUM, një përgjigje kjo që dëshmon se nuk ka ende një vlerësim të situatës fizike dhe as të nevojave ekonomike për ndërtimin e këtij impianti.

Tirana, ku është përqendruar më shumë se 1/3 e popullsisë së vendit, nuk dihet se kur do të ketë një impiant të trajtimit të ujërave të ndotura, por po aq të paqarta janë edhe nevojat që ka vendi për të ndërtuar impiante të tilla. “Në kuadër të përfundimit të projektit “Planifikimi i sektorit të ujit për negociatat me BE”, do të përcaktohen dhe nevojat për ITUN në rang vendi”, – thotë Ministria e Infrastrukturës, e pyetur nga INA MEDIA.

Ujërat e ndotura i kthejnë lumenjtë në kolektorë

Pa impiante filtrimi ujërat e ndotura shkarkohen të patrajtuara në basenet e vendit, duke i shndërruar ata në kolektorë. Si pasojë ata janë kthyer ndër ndotësit kryesorë të mjedisit. Ky evidentim bëhet vit pas viti në raportet e monitorimit të mjedisit, të cilët matin cilësinë e ujërave në të gjithë basenet e vendit. “Shkarkimi i ujërave urbane, të patrajtuara në dete, lumenj, liqene përbën një nga problemet më serioze, si nga pikëpamja e ndotjes së mjedisit ujor, ashtu edhe nga pikëpamja e shëndetit publik”, – thuhet në këtë raport.

Rekordet e ndotjes kryesohen nga Lana, Ishmi, të cilët kategorizohen në klasën V ose gjendje e keqe. Baseni Ishëm-Erzen klasifikohet në klasën V – gjendje e keqe. “Kjo dhe për arsye se afër zonave të banuara ndikojnë shkarkimet urbane, të cilat derdhen direkt të patrajtuara, duke shkaktuar një ndotje të lartë”, – saktëson raporti. Ujërat e basenit të Drinit klasifikohen në klasën IV – gjendje e varfër, ndërsa ato të Matit, si të moderuara; ndërsa Semani është një tjetër lumë shumë i ndotur dhe ujërat e tij klasifikohen si të kategorisë V ose gjendje e keqe. Në gjendje më të mirë paraqitet baseni i Vjosës, që është vlerësuar në klasën II në Raportin e Monitorimit të Mjedisit 2020, i fundit i publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Profesor Seit Shallari, i cili drejton Departamentin e Mjedisit dhe Burimeve Natyrore në Fakultetin e Agrikulturës dhe Mjedisit, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, thotë se dëmet që vijnë si pasojë e shkarkimeve të ujërave të ndotura dhe atyre urbane në basene kanë efekte negative, afatgjata. “Akumulimi i ndotësve në sedimentet e lumenjve ka krijuar një magazinë, e cila kthehet në burim kontaminimi për ujërat nëntokësore për një kohë të gjatë. Vështirë të gjesh një basen, nga 6 që ka Shqipëria, ku nuk shkarkohen ujërat e zeza ose ato urbane. Të gjithë e dimë se në Tiranë, ku është e përqendruar pjesa më e madhe e popullsisë, ujërat e ndotura nuk trajtohen”, – tha për INA MEDIA-n profesor Seit Shallari. “Këto shkarkime janë burim infeksioni dhe sëmundjesh për botën e gjallë ujore dhe drejtpërdrejt ose tërthorazi, edhe për njeriun. Ato janë shkak për dukurinë e eutrofikimit, lulëzimit të algave, shpesh atyre helmuese, gjithashtu me pasoja të rënda në botën e gjallë ujore dhe vetë njeriun; pa folur për aspektet pamore, çlodhëse, dhe shëmtim peizazhi”, – sqaron më tej profesor Aleko Miho.

Mjedisi, kushti i Bashkimit Europian, i papërmbushur

Impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në Pogradec, i cili është në funksion që prej vitit 2009, konsiderohet pozitiv, edhe për shkak se është i vetmi impiant në vend, i cili trajton fosforin dhe nitratet, sipas standardeve europiane.

Ky impiant, i cili parashikohet të ketë jetëgjatësi 40-vjeçare, është financuar nga KfW, Banka Gjermane për Zhvillim, me një fond prej rreth 3.5 milionë dollarësh dhe ofron shërbim për rreth 50 mijë banorë të qytetit të Pogradecit dhe Njësisë Administrative, Buçimas.

“Impianti i Pogradecit mund të merret si shembull, sa i përket operimit. Sigurisht që ka kosto shtesë, që duhet të përballohen përmes tarifës. Duke qenë se është afër liqenit, ky impiant filtron edhe fosforin dhe nitratet, ndërkohë që impiantet e Sarandës dhe Vlorës, për shembull, janë deficitare në pastrim, pasi nuk trajtojnë fosforin dhe nitratet”, – tha Bledar Dollaku, koordinator programi pranë KfW.

Por, edhe për këtë rast ka dyshime sa i përket mënyrës së menaxhimit. Eksperti i mjedisit, Arian Meroli, thotë se Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, Pogradec po përballet me një sërë sfidash e problematikash. Sipas tij, ndonëse impianti parashikon largimin e fosforit dhe të nitrateve, faktikisht ky proces jo gjithmonë kryhet.

“Keqmenaxhimi reflektohet te humbjet e larta në rrjet, pavarësisht se është një investim totalisht i ri, si dhe te problemet që kanë ujërat pas trajtimit dhe që derdhen në liqen, të cilat në jo pak raste kanë përmbajtje të nitrateve, të fosforit apo të elementeve të tjera mbi normën e lejuar”, – shprehet Meroli për INA MEDIA -n.

Edhe impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në Korçë nuk e filtron fosforin dhe azotin, por në raportin e vlerësimit të KfW parashikohet që teknologjia e tij të përmirësohet me kalimin e viteve.

“Impianti mund të plotësohet gradualisht me teknologjinë e përshtatshme, që të jetë në gjendje të përmbushë kërkesat e BE, nëse Shqipëria bëhet anëtare e BE”, – thuhet në raportin e vlerësimit të KfW.

Në rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, në maj 2022, iu kërkohet autoriteteve shqiptare që të rrisin masat për mbrojtjen e biodiversitetit, ujit, ajrit, klimës dhe menaxhimit rajonal të mbetjeve, duke përfshirë vlerësimet e ndikimit mjedisor dhe strategjik, konsultimet e duhura publike, procedurat transparente dhe ndjekjen rigoroze të krimit mjedisor.

“Është e rëndësishme që të respektohet ligji, i cili është përafruar me atë të BE në vitin 2011. Edhe impiantet, që janë sot në punë, duhet të përafrohen me standardet e BE”, – thotë profesor Seit Shallari për INA MEDIA-n.

Sipas profesor Aleko Mihos, për të vënë në zbatim legjislacionin, nevojiten financa të shëndosha. Nuk mjafton vetëm të ndërtosh një impiant trajtimi, por duhen mjetet e duhura, financiare që sistemi të punojë; por edhe për përmirësimin e teknologjisë dhe kualifikimin e stafit; por dhe për rritjen e përgjegjshmërisë së pushtetit vendor”, – tha profesor Miho.

“Që të krijohet një rrjet i plotë kanalizimesh dhe të sigurohet trajtimi i ujërave të ndotura në të gjithë vendin, do të duhej të shtoheshin investimet, të kishte më shumë transparencë në menaxhimin e projekteve, si dhe të kishte auditime të vazhdueshme”, – thotë Avni Dervishi.

Aktualisht, 3 impiante të tjera të trajtimit të ujërave të ndotura, në Shkodër, në Berat dhe në Himarë, janë në fazë tenderimi. Përveç investimeve të kufizuara, në vend mungojnë edhe burimet njerëzore.

“Vështirësia qëndron në kapacitetet për t’i menaxhuar siç duhet impiantet. Për shembull, në rastin e impiantit të Himarës do ta mbështesim edhe për 2 vite operimin. Në Shqipëri ekspertiza teknike është e limituar”, – përfundon koordinatori i KfW, Bledar Dollaku, duke parashikuar një të ardhme të zymtë, sa iu përket kapaciteteve që do të administrojnë impiantet pas ndërtimit./ INA