Kolonia e Pelikanit Kacurrel në Shqipëri po rimëkëmbej, por tani ajo po kërcënohet nga ndërtimi aeroportit të ri

Pelikanët kaçurrelë të lagunës së Nartës u shpëtuan nga zhdukja, por tani qeveria po ndërton një aeroport në peizazhin e mbrojtur të Vlorës.

By admin

Pelikanët kaçurrelë të lagunës së Nartës u shpëtuan nga zhdukja, por tani qeveria po ndërton një aeroport në peizazhin e mbrojtur të Vlorës.

Gjashtë pelikanë kaçurrelë janë në fluturim teksa i afrohemi lagunës së Nartës, një lagunë pranë Vlorës, në Shqipërinë jugperëndimore. Është një pamje madhështore – gjashtë shpendë që fluturojnë në mënyrë elegante, me qafë të anuar mbrapa dhe hapje krahësh pothuajse të ngjashme me atë të një albatrosi. “Ata janë juvenil”, thotë Taulant Bino, drejtor i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare (AOS). “Ata mund të krijojnë familjen e tyre në vitet e ardhshme.”

Edhe pse pelikani kaçurrel (Pelecanus crispus) nuk riprodhohet këtu, laguna shërben si një vend i rëndësishëm ushqimi për shpendët dhe shumë lloje të tjera, duke përfshirë flamingot, dallëndyshen e detit këmbëzezë dhe vrapuesin gushëbardhë. Shpendët shtegtarë përdorin lagunën si ndalesë gjatë udhëtimit të tyre të gjatë nga Afrika drejt Evropës qendrore dhe veriore. Ato janë ligatinat kryesore mesdhetare. Ky lloj i habitatit mbulonte pjesën më të madhe të të gjithë bregdetit shqiptar ,derisa regjimi diktatorial i Enver Hoxhës thau një pjesë të madhe të tyre, në vitet 1950 dhe 60, në një përpjekje për të zhdukur malarien dhe për të shfrytëzuar dhe përdorur fushat e ultësirat për bujqësi.

Pelikani kaçurrel shtrihet në pjesën më të madhe të Euroazisë – nga Mesdheu në perëndim deri në ngushticën e Tajvanit në lindje – por ka pësuar një rënie në shekullin e 20-të. Një kombinim i zhvillimit të tokës, tharjes së kënetave, shqetësimit nga njerëzit dhe gjuetisë së paligjshme, bëri që ky shpend të konsiderohet “gati i kërcënuar” nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Këtë vit, gripi i shpendëve ka vrarë rreth 2,000 shpendë të rritur në Greqi dhe Rumani.

Në Shqipëri, mbijetesa e pelikanit kaçurrel llogaritet si një nga sukseset më të mëdha të ruajtjes së jetës së egër në vend. Ndonëse habitati i tij shtrihej në të gjithë brezin bregdetat, ky shpend po shkonte drejt zhdukjes në vitet 1990. Kur regjimi totalitar i Hoxhës përfundoi në vitin 1991, pasoi një gjendje anarkie. “Në ato ditë, të gjithë kishin armë, që do të thotë se të gjithë ishin një gjahtar potencial,” thotë Aleksandër Trajçe, drejtor i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA). “Vetëm disa individë të ekzaltuar, por me ide të çmendura mund të shkaktonin shumë dëme.”

“Ndërtimi i një aeroporti do të ndërpresë lëvizjet e shpendëve, që kanë vazhduar për mijëra vjet.”

Deri në vitin 2000, kur Bino filloi të punonte për të shpëtuar shpendët, vetëm 19 fole kishin mbetur në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta – e vetmja koloni riprodhuese në vend, 25 milje në veri të Nartës – nga 81 çifte që kishin qënë në 1984.

Sipas Trajçes, mbrojtja ligjore rezultoi vendimtare në rimëkëmbjen e trendit rënës së individëve të popullatës. “Fillimisht vetëm pylli me pisha i Divjakës ishte zonë e mbrojtur”, thotë ai. “Në vitin 1996, laguna mori statusin e mbrojtur. Dhe në vitin 2007, e gjithë zona, nga lumi Shkumbin në veri deri në lumin Seman në jug, u shpall Park Kombëtar”. Vjosa-Narta u bë Peizazh i Mbrojtur në vitin 2004. Moratoriumi i gjuetisë në vitin 2014, megjithëse u zbatua keq, shtoi një shtresë tjetër mbrojtjeje; ndihmuan gjithashtu përpjekjet ndërkombëtare të ruajtjes.

Tashmë, nga Janari deri në Qershor të çdo viti, kur pelikanët riprodhohen dhe rritin zogjtë e tyre, gardianët i ruajnë foletë ditë e natë, duke penguar turistët, gjuetarët dhe peshkatarët që t’i shqetësonin ata. “Natën, peshkatarët vendas përdorin elektrik dore për të kapur peshk, gjë që i bën pelikanët ndonjëherë të braktisin folenë e tyre,” thotë Bino. “Dhe kur kuptuam se vezët humbën gjatë një përmbytje, krijuam fole më të ngritura me shkopinj, degë dhe bimësi. Kolonia filloi të kthehej përsëri.”

Në vitin 2020, 85 çifte pelikani folezuan në Shqipëri, numri më i lartë që nga fillimi i regjistrimeve.

Megjithatë, tani, pelikanët po përballen me një kërcënim të ri – këtë herë nga buldozerët. Qeveria shqiptare ka miratuar ndërtimin e një aeroporti ndërkombëtar në Vlorë, në përpjekje për të nxitur turizmin në vend.

Vendndodhja e aeroportit të planifikuar është brenda Peizazhit të Mbrojtur që rrethon lagunën e Nartës, dhe mund të sjellë pasoja shkatërruese për shpendët, thotë Trajçe. “Do të reduktojë aftësinë e shpendëve për të lëvizur dhe për t’u ushqyer, dhe, si pasojë, potencialin e tyre për t’u rritur në numër ose për të zgjeruar habitatin e tyre.”

Projekti i aeroportit gjithashtu do të ushtrojë presion mbi korridorin e shtegëtimit midis Afrikës dhe Evropës veriore. “Shqipëria ka laguna të shpërndara përgjatë bregdetit të saj”, thotë Trajçe. “Shpendët shtegtarë i përdorin ato për të pushuar dhe ushqyer. Ndërtimi i një aeroporti pikërisht në mes të tij, do të ndërpresë lëvizjet e shpendëve që kanë vazhduar për mijëra vjet.”

Një konsorcium prej tre kompanish fitoi ofertën për ndërtimin e aeroportit – YDA Group (një konglomerat turk me lidhje me partinë e Presidentit Recep Tayyip Erdoğan), Mabetex dhe 2A Group. Sipas studimit të vlerësimit të ndikimit mjedisor të konsorciumit, efektet negative të aeroportit në jetën e egër përreth mund të zbuten lehtësisht – për shembull, duke mos ndërtuar gjatë sezonit të riprodhimit dhe duke ndryshuar rrugën e fluturimeve të avionave gjatë sezonit të shtegëtimit, të pranverës dhe vjeshtës.

Por më shumë se 40 organizata të ruajtjes, përfshirë PPNEA-n dhe AOS, e venë në dyshim këtë. “Lloje të ndryshme shumohen në kohë të ndryshme, çka do të thotë që ndërtimi do të duhet të ndërpritet për disa muaj”, thotë Trajçe.

“Po ndikimi gjatë fazës operative? A do të ndalojnë fluturimet edhe gjatë sezonit të riprodhimit? Po sezoni i shtegëtimit? Gjithçka duket shumë joreale.”

Organizatat e ruajtjes së mjedisit thonë se kishte mungesë të konsultimit publik dhe një vlerësimi sipërfaqësor të vendeve alternative. “Mund të duket më e shtrenjtë të ndërtosh aeroportin diku tjetër,” thotë Dorian Matlija, një avokat që këshillon organizatat, “por vetëm nëse nuk merr parasysh dëmin e mjedisit.”

Në dhjetor 2020, autoritetet rishikuan rrjetin e zonave të mbrojtura në Shqipëri dhe hoqën, ndër të tjera, vendndodhjen e aeroportit të planifikuar. Konservatorët pretendojnë se, duke rivizatuar kufijtë e parqeve të mbrojtura, qeveria po shkel ligjet kombëtare. Në raportin e tij për Shqipërinë 2020, Komisioni Evropian tha se aeroporti i propozuar “bie ndesh me ligjet e tjera kombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e biodiversitetit që Shqipëria ka ratifikuar”.

Katër nga organizatat e ruajtjes – PPNEA, AOS, EcoAlbania dhe EuroNatur me bazë në Gjermani – tani planifikojnë të çojnë në gjykatë këtë projekt.

“Nëse heqja e një zone nga statusi i mbrojtjes kalon pa pasoja ligjore, kjo do të thotë se qeveria mund ta bëjë këtë për çdo zonë të mbrojtur”, thotë Trajçe. “Çfarë do t’i ndalojë ata të ndërtojnë resorte në zonat e mbrojtura? Apo një central bërthamor? Ky do të ishte fundi i ruajtjes së natyrës.”/ The Guardian