Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus (C3S ) ka publikuar të dhënat globale të temperaturave për vitin 2022, të cilat tregojnë se ka qenë një vit ekstremesh, me thyerje rekordesh lidhur me temperaturat dhe rritje të vazhdueshme të përqendrimeve të gazit serrë në atmosferë.
Sipas Copernicus, vera e 2022-it, në kontekstin sezonal, rezulton të jetë më e nxehta e regjistruar për Evropën, ndërsa në atë vjetor, përfaqëson vitin e dytë më të nxehtë, në raport me treguesit e përgjithshëm klimatikë. Në nivel global, 2022 ishte viti i pestë më i ngrohtë në histori. Nisur nga të dhënat e 2022 për klimën – të cilat përfshijnë temperaturat e larta, përqendrimet e gazit serë dhe ngjarjet e rëndësishme të motit dhe klimës – shikojmë se kemi thyerje të rekordeve të temperaturës jo vetëm në Evropë, por edhe në botë, shoqëruar me dukuri të tjera ekstreme të motit – si thatësira dhe përmbytjet, që prekën rajone të mëdha.
Valë të gjata dhe intensive të nxehti prekën pjesë të Evropës Perëndimore dhe Veriore. Temperaturat e dimrit ishin rreth 1°C mbi mesataren ndërsa vjeshta ishte e treta më e ngrohta e pas asaj të vitit 2020 dhe 2006. Ndërsa krejt e kundërta ndodhi me temperaturat e pranverës të cilat ishin poshtë mesatares së periudhës 1991-2020. Në vlerësimin e treguesve që lidhen me mesataren mujore të temperaturave, është vërejtur se nëntë nga dymbëdhjetë muajt e vitit 2022 ishin mbi mesataren, ndërsa tre prej tyre (mars, prill dhe shtator), nën mesataren. Kontinenti Evropian përjetoi Qershorin e dytë më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë me vlera që e tejkalonin me rreth 1.6°C mesataren, si dhe Tetorin më të ngrohtë, me temperatura që kapën vlerën e gati 2°C mbi vlerën mesatare.
Në Evropë, temperaturat gjatë 2022 ishin të dytat më të lartat pas 2020-ës, ku u regjistruan rritje të tyre me 0.3°C krahasimisht vitit pararendës (2019). E gjithë Evropa, me përjashtim të Islandës, u përball me temperatura vjetore mbi mesataren e kohorit 1991-2020. Vlerat e temperaturave të regjistruara, ishin shumë mbi mesataren në pjesën perëndimore të kontinentit, me disa prej shteteve që përjetuan vitin e tyre më të nxehtë në histori. Rajonet e tjera të kontinentit përjetuan temperatura vjetore sipas klasifikimit (e nxehtë – e treta më e nxehtë) të paraqitur si në figurë.
I nxehti i pazakontë në fundin e sezoneve të pranverës dhe verës në Evropë, i kombinuar me mungesën e shiut, shkaktuan thatësira, veçanërisht në pjesët Jugore dhe Qëndrore të këtij rajoni. Shumë vende raportuan ndikime negative në bujqësi, transportin lumor dhe menaxhimin e energjisë. Po ashtu, situata krijoi rrezik të shtuar lidhur me vatrat e zjarreve, sidomos në pjesën e Europës Jugperëndimore (Francë dhe Spanjë). 2022-i, ishte viti i ngjarjeve eksteme të klimës për të gjitha rajonet e globit, duke nxjerrë më në pah pasojat negative të ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale.
“Të dhënat më të fundit të klimës për vitin 2022, publikuar nga C3S, ofrojnë evidenca të qarta lidhur me nevojën për të zvogëluar shkarkimet e karbonit” – shprehet Zv.Drejtoresha e C3S, Samantha Burgess
Në 2022, sic është përmendur edhe më lartë bota përjetoi vitin e saj të pestë më të nxehtë. Deri më tani, vitet më të nxehta të regjistruara në shkallë globale janë 2016, 2020, 2019 dhe 2017. Sipas ERA5 , temperatura mesatare vjetore për 2022 ishte 0.3°C mbi vlerën mesatare për periudhën 1991-2020, e cila është afërsisht 1.2°C më e lartë se ajo e viteve 1850-1900 (që zakonisht është përdorur si tregues për epokën para-industriale). Kjo e bën 2022-in vitin e tetë radhaz me temperatura që tejkalojnë me mbi 1°C nivelin para industrial.
Në 2022, në pjesë të Siberisë Qëndrore-Veriore dhe përgjatë Gadishullit Antarktik temperaturat tejkaluan me më shumë se 2°C, mesataren e viteve 1991-2020. Rajonet që përjetuan vitin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, përfshinin zona të mëdha të Evropës Perëndimore, Lindjes së Mesme, Azisë Qëndrore, Kinës, Koresë së Jugut, Zelandës së Re, Afrikës veriperëndimore dhe Bririt të Afrikës. Sipas renditjes së bërë nga ERA5 , Shqipëria – përfshihet në kategorinë e tretë në renditje, të vendeve me temperaturat më të larta, përjetuar gjatë 2022-it/Copernicus Programme