Teksa i afrohesh njërit prej parqeve kombëtare më të mëdha të vendit, tingujt e shpendëve që popullojnë hapësirat e ligatinës Divjakë-Karavasta i përngjajnë një simfonie shlodhëse të natyrës. Laguna e Divjakë-Karavastasë është “shtëpia” e qindra specieve, ku më të njohurit janë pelikanët kaçurrelë, flamingot, rosat, pulëbardhat, strucat dhe zogj të llojeve të larmishme.
Prej momentit të parë që hyn në parkun kombëtar të Divjakës vihen re shpendët e shumtë që fluturojnë mbi pyllin e dendur të pishave, në afërsi të lagunës që ngjan sikur nuk ka fund.
Shoqata e Ornitologëve Shqiptarë AOS, organizoi një vizitë në terren në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, ku morën pjesë ornitologë, aktivistë dhe qytetarë për të vëzhguar specie të zogjve dhe shpendëve që janë pjesë e popullatës së një prej ligatinave më të rëndësishmë në Shqipëri.
“Zona e Divjakë-Karavastasë është zona më e pasur përsa i përket larmisë biologjike, ku ndodhen rreth 265 specie të ndryshme, që përbëjnë rreth tre të katërtën e numrit total të specieve në Shqipëri, ku simboli i zonës është pelikani kaçurrel,” i tha BIRN Taulant Bino.
Ai shtoi se në Divjakë ndodhen rreth 25 mijë shpendë dimërues, por gjatë viteve të fundit ka patur një rënie të numrit tyre për shkak të urbanizimit të zonës.
Në Shqipëri ka gjithsej 11 parqe kombëtare, të cilat po rrezikohen dhe po reduktohen prej vendimeve të qeverisë mbi investimet strategjike.
“Do të ketë zënie të habitateve me sera, me impiante frigoriferike, me aeroporte, me parqe fotovoltaike, resorte, etj”, theksoi Bino gjatë një forumi mbi zonat e mbrojtura që u zhvillua më 26 Janar në “Europe House”. “Habitatet po zihen, po humbasin, ose po degradojnë”, u shpreh drejtori i Shoqatës së Ornitologëve Shqiptarë, AOS. “Zënia e habitatit do të thotë largimi i specieve,” shtoi ai.
Gjithashtu, ekspertë të tjerë ngritën alarmin mbi rrezikun që investimet e qeverisë përbëjnë për ruajtjen e zonavë të mbrojtura, edhe pse ligji nuk i lejon ato.
“Kemi 75% të investimeve strategjike që janë planifikuar brenda zonave të mbrojtura,” deklaroi Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i organizatës mjedisore “Eco Albania”, prej vitesh në mbrojtje të lumit Vjosa. Avokati Dorian Matlija gjithashtu theksoi se dëmtimi i habitateve përbën vepër penale sipas legjislacionit shqiptar.
“Parimi i zhvillimit të qëndrueshëm duhet të zhvillohet për aq kohë sa nuk dëmton mjedisin deri në dëm të pakthyeshëm,”tha Matlija, duke nënkuptuar se vendimet e qeverisë shqiptare për projektet në zonat e mbrojura përbëjnë dëme të pakthyeshme.
Bino u shpreh se ngacmimet dhe ndërhyrjet e njeriut mund të ndikojnë edhe në vonesat e folezimit të vezëve për shpendët që i popullojnë këto ligatina.
“Sivjet akoma nuk ka filluar folezimi i vezëve të pelikanëve, gjë që duhet të kishte filluar, në krahasim edhe me vitet e kaluara”, tha Bino.
“Kjo vonesë mund te ketë ardhur prej shkaqeve të ndryshme, të tilla si ndërhyrja e njeriut në këto zona, ngacmimet nga kafshët grabitqare ose shqetësimet nga përmbytjet e foleve nga ngritja e nivelit të ujrave,” shpjegoi eksperti.
Gjithsesi, edhe me vështirësitë e shumta, aktivistët dhe ornitologët shqiptarë vijojnë përpjekjet e tyre për t’i mbrojtur këto shpendë dhe në tërësi ekosistemin e ligatinave.
“Për shkak të ndërhyrjeve tona dhe mirëmbajtjes së foleve gjatë viteve të fundit, numri i pelikanëve kaçurrelë është rritur nga 35 çifte në vitin 2013 në 85 çifte në vitin 2020,” përfundoi Bino./Reporter.al