Kalendari Mjedisor

Programi i Komunikimit Mjedisor bën bashkë mbi 180 pjesëmarrës

Programi i Komunikimit Mjedisor bën bashkë mbi 180 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës

By admin

Programi i Komunikimit Mjedisor pritet që në gjashtë muajt e ardhshëm, të ndiqet nga më shumë se180 pjesëmarrës, nga 10 vende të ndryshme të botës. Muaji Janar shënoi fillimin e këtij programi ndërkombëtar, i cili ofrohet në bashkëpunim, nga pesë institucione, IAL – Instituti i Studimeve të Komunikimit (Maqedoni), Universiteti i Zagrebit (Kroaci), Universiteti i Novi Sadit (Serbi), Universiteti i Sarajevës (Bosnjë – Hercegovinë) dhe Universiteti i Tiranës (Shqipëri).

Në kursin e parë të këtij programi, pjesëmarrësit do të mësojnë si të komunikojnë dhe interpretojnë saktë dhe qartë të dhënat dhe faktet mjedisore. Ata do të fitojnë njohuri dhe aftësi për të njohur vlerat e biodiversitetit dhe burimeve natyrore, do të kuptojnë shkaqet e humbjes dhe kërcënimet që i kanosen biodiversitetit, duke përdorur retorikën dhe terminologjinë bashkëkohore mjedisore.

Pesë kurset do të jenë sa teorike, aq edhe praktike dhe do të përfshijnë të mësuarit bashkëpunues, online. Pjesëmarrësit do të punojnë në mënyrë ndërvepruese përmes angazhimit në raste të ndryshme studimore dhe përgatitjes së një detyre të përjavshme në grup, që do të udhëhiqet nga profesorë që janë njohës të fushës.

Kurrikula përfshin sfera të ndryshme, të tilla si qeverisja mjedisore, pjesëmarrja e publikut, zgjidhja e konflikteve, komunikimi i rrezikut, gazetaria, marketingu social dhe advokimi. Në këtë mënyrë, programi i specializuar online do të krijojë mundësi për karrierë dhe punë kërkimore, në sektorë të ndryshëm të shoqërisë siç janë shoqëria civile, media, sektori i inovacionit, akademia, qeveria dhe industria.

Programi Online për Komunikimin Mjedisor realizohet në kuadër të projektitv “Përfshirja e Komunikimit Mjedisor përmes Mësimit Online dhe Lëvizshmërisë Virtuale” i financuar nga ERASMUS+.