Kalendari Mjedisor

Autoritetet bëjnë një vesh shurdh ndaj gjuetisë së paligjshme në Kune-Vain

Të shtënat mbi shpendët shtegtarë në zonën e mbrojtur të lagunës së Kune-Vainit oshëtinë edhe këtë dimër, por Policia e Shtetit dhe Administrata e Zonave të Mbrojtura mohojnë t’i kenë dëgjuar.

By admin

Erald Xeka nuk është hetues me profesion por kjo nuk e ndalon të bie në gjurmët e gjuetisë së paligjshme – apo vrasjeve siç u referohet ai, sa herë që viziton zonat e mbrojtura ligatinore në bregdetin verior të detit Adriatik gjatë dimrit.

Kur ornitologu nga Tirana udhëtoi të dielën e tretë të Janarit – në ditën e dytë të Censusit Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë që u zhvillua në Shqipëri si në 142 vende të botës, në lagunën e Kune-Vainit në Lezhë, Xeka e kuptoi se fauna ndjehej e rrezikuar nga gjahtarët.

“E kuptoj nga distanca që mbajnë shpendët”, tha ai, nërsa shtoi “shqetësimi i tyre është evident”.

Ndërsa numëronte shpendët në lagunë për ti radhitur numrat e tyre në census sipas specieve, Xeka dëgjoi të paktën 10 të shtëna me armë gjahu.

Ndërkohë fshehur mes kallamishteve, ai pa edhe dy fushejza – vende fshehje për gjuetarët e paligjshëm. Ornitologu, i cili punon pranë Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë, AOS, zbuloi dhe një kurth të ngritur për të kapur shpendë të gjallë. Të gjitha shkeljet e moratoriumit të gjuestisë iu raportuan Administratës së Zonave të Mbrojtura, ADZM.

Xeka, i cili ka marrë pjesë në censusin e shpendëve që prej vitit 2015, thotë se ky ishte viti i parë që shikonte një situatë të tillë alarmuese në lagunën e Kune-Vainit.

“Në Shkodër çdo vit ka pas shenja të vrasjeve të paligjshme, por në Kune-Vain nuk kisha hasur më parë”, tha ia.

Shtimin e rasteve të gjuetisë së paligjshme e konfirmoi edhe një burrë nga Ishull Lezha që bisedoi me BIRN ndërsa kulloste bagëtinë në afërsi të lagunës, por që nuk donte të identifikohej me emër.

“Nuk mungojnë rastet që dëgjoj krisma armësh, kryesisht gjatë orëve të pasdites dhe sidomos në kohë me shi”, tha bariu, i cili shtoi se nuk e dinte nëse krismat vinin nga brenda apo jashtë lagunës.

“Thjeshtë kam dëgjuar krisma”, theksoi ai.

Të njëjtën dëshmi dha edhe Faiku, një peshkatar nga Fushë Kruja. Ai tregoi se vinte shpesh me grep në afërsi të lagunës dhe sëfundmi krismat ishin shtuar.

“Të them të drejtën gjatë kohëve të fundit krismat janë të shpeshta,” tha ai. “Nuk i kam parë, por vetëm dëgjuar krismat”, shtoi peshkatari amator.

E kontaktuar për këtë çështje, Drejtoria e Policisë Lezhë deklaroi se nuk ka patur asnjë sinjalizim për gjueti të paligjshme në lagunë.

“Ne monitorojmë dhe vetë, por kryesisht vihemi në lëvizje kur kemi indicie dhe njoftime”, tha zyra e shtypit e policisë.

Edhe Administrata e Zonave të Mbrojtura në Qarkun e Lezhës mohoi të kishte gjueti brenda rezervateve natyrore.

“Përsa i përket gjuetisë në lagunë është e ndaluar dhe nuk ka sezon për të”, tha Besiona Simoni Specialiste e ADZM Lezhë.

Simoni po ashtu dha edhe një shpjegim të saj për krismat.

“Në lidhje me krismat duke qenë se gjatë kësaj periudhe kapaciteti i ujit ka qenë jashtë normativave, ka bërë që të dalë në toka bujqësore dhe shpendët lëvizin nuk është se rrinë gjithë kohës në lagunë dhe për këtë mund të jenë dëgjuar krisma, por asnjëherë brenda lagunës” , tha ajo.

Që të shtënat të mos konsiderohen brenda lagunës mund të kenë kontribuar edhe kufizimi i sipërfaqes së mbrojtur me Vendim të Këshillit të Ministrave të janarit 2022.

Vendimi uli sipërfaqen e mbrojtur të ekosistemeve natyrore “Kune – Vain – Tale – Patok – Fushëkuqe – Ishëm”, shpallur rezervat natyror i menaxhuar (kategoria IV e zonave të mbrojtura), me më shumë se 1 mijë hektarë tokë.

Xeka tha se ky kufizim dhe tjetërsimi i habitateve ishin një prej shqetësimeve kryesore të aktivistëve mjedisorë dhe organizatave për mbrojtjen e faunës së egër dhe biodiversitetit.

“Shqetësim kryesor mbetet edhe tjetërsimi i habitateve dhe ndërtimi i pakontrolluar në zonën e Kunes, Tales po ashtu edhe në lagunën e Patokut”, tha ai.

Që prej gati një dekade në Shqipëri ekziston një moratorium ndaj gjuetisë. Moratoriumi për ndalimin e gjuetisë u miratua fillimisht në mars të vitit 2014 për 2 vite, në vitin 2016 u zgjat edhe me 5 vite dhe më verë të vitit 2021 moratoriumi u shty edhe për pesë vite të tjera, deri në vitin 2025. Qëllimi i këtij ligji është ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, për përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie.

Megjithatë moratoriumi, siç ka gjetur BIRN edhe më herët pas intervistave me ekspertë e aktivistë të mjedisit, nuk i ka ndaluar vrasjet e paligjshme të shpendëve.

Xeka tha se ndalimi i gjuetisë ka sjellë vetëm ndalimin e atyre gjuetarëve që respektojnë ligjin, por jo ata që angazhohen në “vrasje të paligjshme”. Ai theksoi se me kalimin e viteve masat e marra për të zbatuar moratoriumin u zbutën dhe vrasjet e shpendëve dhe kafshëve të egra janë shtuar.

“Vetëm moratoriumi nuk mjafton”, tha Xeka, ndërsa shtoi se ndalimi i gjuetarëve profesionistë u kishte lënë rrugë të lirë atyre që nuk zbatonin as ligjin dhe as rregullat etike të gjuetisë./Reporter.al