Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se ndryshimet ligjore nuk janë shoqëruar me masa konkrete dhe ndëshkimet kanë qenë minimale.
E pyetur nga BIRN për zbatimin e ndryshimeve ligjore, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tha se po priste rezultatet e një inspektimi në terren.
“Aktualisht po vijon inspektimi nga Task-Forca në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë nga institucionet e përcaktuara në Urdhër, deri më datë 1 Tetor 2023, në të cilën do të hartohet raporti mbi problematikat dhe progresin e zbatimit të legjislacionit në fuqi,” tha Ministria në një përgjigje me shkrim.
Ndërsa Inspektoratit Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, institucion i ngarkuar nga ligji për zbatimin e ndryshimeve ligjore, bëri me dije se kishte kryer 2584 verifikime në terren dhe kishte gjetur vetëm 4 shkelje.
Sipas Inspektoriatit, katër bizneset janë ndëshkuar me gjobë, ndërsa janë sekuestruar rreth 170 kilogramë qese plastike që prej hyrjes në fuqi të ligjit.
Ndotja e shkaktuar nga plastika është një ndër problemet kryesore mjedisore në Shqipëri, ku sipas Planit Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve, prodhohen 198 ton mbetje plastike në ditë me densitet të ulët dhe 111 ton mbetje plastike në ditë me densitet të lartë. Megjithatë, tregtarë të ndryshëm shprehen se situata nuk ka ndryshuar, për shkak të mungesës së penaliteteve.
“Zbatimi i ligjit u bë vetëm në muajt e parë, pasi pati kontrolle nga instancat përkatëse. Por kur kuptuam se gjobat nuk po vendoseshin dhe kontrolle nuk kishte më, qeset plastike u rihodhën sërish në treg,” tha një tregtar fruta-perimesh.
Ai shtoi se qeset njëpërdorimshme janë të lira në çmim dhe mund të jepen falas duke qenë se qytetarët nuk preferojnë t’i blejnë qeset. Sipas tij, kudo mund të blesh qese, që sipas ligjit janë të ndaluara. Nga ana tjetër edhe qytetarët tregojnë se qeset mund ti gjesh kudo. “Në çdo dyqan të vogël gjen qese, vetëm te marketet e mëdha nuk i japin pa lekë,” tha një pensioniste. Ajo tregoi se blerjen e frutave dhe perimeve e bën në ato dyqane ku ka qese falas.
Qeset plastike janë vetëm një ndër zërat e shumtë të plastikës që kontribuojnë në ndotjen e vendit, por Ministria e Turizmit dhe Mjedisit shprehet për BIRN se deri tani nuk ka asnjë nismë për të vendosur ndalimin e plastikave të tjera.
“Për produktet si shishet e ujit, qumështit apo edhe ambalazhimin e produkteve ushqimore, nuk ka nismë për ndalimin e tyre në vendin tonë,” u përgjigj ministria.
Ndryshe nga Ministria, ambientalisti Lavdosh Ferruni thotë se qeveria duhet të avancojë me ndalimin e produkteve të tjera të plastikës si një vizion afatgjatë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
“Tani do duhet të kishim ndalimin e plastikave njëpërdorimshme, si pjata, pirunj, lugë etj. Fakti është se aktualisht kemi shkuar në pikën zero në betejën me plastikat,” përfundoi ai.