Komunikata e Varshavës mbi Ndryshimet Klimatike në Evropë

Konferenca e parë Evropiane për Klimën mblodhi së bashku 90 shkencëtarë nga 45 vende nga e gjithë Evropa dhe Azia Qendrore për të vlerësuar ndryshimin e klimës dhe përparimin drejt arritjes së neutralitetit klimatik. 

By admin

Konferenca e parë Evropiane për Klimën mblodhi së bashku 90 shkencëtarë nga 45 vende nga e gjithë Evropa dhe Azia Qendrore për të vlerësuar ndryshimin e klimës dhe përparimin drejt arritjes së neutralitetit klimatik. Nga takimi i datës 23 maj 2023, studiuesit dolën me disa pika kryesore si më poshtë:

1. Ndryshimet klimatike po ndodhin, teksa planeti Tokë ka hyrë tashmë në epokën e Antropocenit. Ngrohja globale dhe pasojat e saj po shfaqen për shkak të aktiviteteve njerëzore, dhe kjo përbën një nga sfidat më urgjente të kohës sonë. Ndryshimet klimatike ndikojnë në jetën e njeriut, tek bizneset, vendbanimet dhe ekosistemet. Asnjë individ apo element i këtij planeti nuk mbetet i paprekur. 

2. Manifestimet ekstreme të ndryshimeve klimatike përfshijnë: valët e të nxehtit, thatësirat, zjarret në pyje, shirat e dendur, përmbytjet, stuhitë e forta dhe ciklonet. Shtuar këtu edhe ndryshimin e sezonalitetit, blloqet më rezistente të presionit atmosferik, humbjen e akullnajave alpine dhe atyre detare, rritjen e nivelit të detit, acidifikimin, ngrohjen dhe ndryshimet në rrymat oqeanike. Të gjitha këto pasoja ka shumë të ngjarë të jenë amplifikuar deri në vitin 2050.

3. Manifestimet kryesore ekologjike përkeqësohen nga ndryshimet klimatike dhe ndikohen kryesisht nga menaxhimi jo i mirë i tokës dhe ujit. Këto përfshijnë: humbjen e biodiversitetit, humbjen e funksioneve dhe shërbimeve të ekosistemit, degradimin e shkretëtirëzimin e tokës, dhe përkeqësimin e cilësisë së burimeve të ujërave të ëmbla.

4. Gama e rreziqeve dhe shkalla e ndryshimeve duhet të merren parasysh në mënyrë sistematike dhe sekuenciale (duke qenë se kemi të bëjmë me një proces ndryshimi gradual). Ndryshimet duhet të jenë të drejta, si brenda dhe ndërmjet shoqërive, megjithatë duket se nuk ka mjaftueshëm vullnet për diçka të tillë. Reagimi përmes veprimit duhet të jetë më i shpejtë dhe më gjithëpërfshirës. Përballimi i ndryshimeve klimatike kërkon harmonizimin e strategjive të zbutjes dhe përshtatjes, gjithmonë përmes një qasjeje ndërsektoriale. 

5. Për sektorin e energjisë dhe industrisë, masat e mëposhtme cilësohen si prioritare: (a) Përshpejtimi i dekarbonizimit në prodhimin e energjisë, kryesisht përmes burimeve të rinovueshme, duke marrë parasysh elektrifikimin në shkallë të gjerë, efikasitetin e kostos dhe konsumit, dhe alternativat e shkarkimeve negative; (b) Zhvillimi i Rrjetit Super Smart (Evropa, Azia Qendrore, Afrika e Veriut), duke kombinuar zgjidhjet inxhinierike dhe ato të tregut me qëllim menaxhimin e ndryshimeve në sektorin e energjisë elektrike, të nxitura nga rritja e përdorimit të burimeve të rinovueshme, përmes menaxhimit të rrjetit bazuar në inteligjencën artificiale; (c) Investimi në magazinimin afatgjatë dhe masiv të energjisë elektrike (p.sh., ruajtja e kimikateve përmes hidrogjenit); (d) Mbështetja e qasjeve inovative për të ulur varësinë e industrisë nga hidrokarburet dhe mundësuar ekonomi qarkulluese me gjurmë të ulët karboni.

6. Për biodiversitetin dhe ekosistemet, masat e mëposhtme janë prioritare: (a) Kufizimi i ndjeshëm i faktorëve që shkaktojnë humbjen e biodiversitetit dhe degradimin e ekosistemit, veçanërisht shpyllëzimi, bujqësia intensive (monokulturat dhe përdorimi i tepërt i pesticideve) si dhe mbipeshkimi, ndotja, fragmentimi i peizazhit, dhe konfliktet mbi përdorimin e tokës; (b) Gjetja e zgjidhjeve të bazuara në natyrë për të mbështetur zbutjen e pasojave të ndryshimeve klimatike dhe përshtatjen e specieve (p.sh. duke rritur diversitetin gjenetik); (c) Zbatimi i Kornizës së Biodiversitetit Global Kunming-Montreal 2022.

7. Për bujqësinë dhe ujin, masat e mëposhtme shihen si prioritare: (a) Të shmanget degradimi i tokës dhe të zbatohen praktika për mirëmbajtjen e saj; (b) Të kryhet menaxhimi i tokës dhe ujit, duke përfshirë ruajtjen e burimeve ujore, ujitjen efikase, si dhe mbjelljen e kulturave bujqësore rezistente ndaj paqëndrueshmërisë klimatike dhe gjallesave që mund t’i dëmtojnë ato; (c) Të kufizojë prodhimin e produkteve bujqësore që konsumojnë shumë burime, veçanërisht të atyre që përdoren për blegtorinë (gjithashtu, për të reduktuar shkarkimet e metanit dhe për të minimizuar humbjen e burimeve ushqimore dhe mbetjet e këtyre produkteve).

8. Për infrastrukturën dhe lëvizshmërinë, masat e mëposhtme janë prioritet: (a) Ndjekja e parimeve të reja të planifikimit të integruar, të përshtatur dhe të përgjegjshëm të infrastrukturës, duke e lidhur atë me rrjetet inteligjente, lëvizshmërinë efikase pare në këndvështrimin e burimeve, dhe ndërtimin me gjurmë të ulët karboni; (b) Investimi në makinat elektrike për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, njëkohësisht të bëhet zgjerimi i transportit publik; (c) Konsiderimi i klimës dhe ndryshimeve klimatike si faktor risku në fushën e biznesit dhe politikës industriale, si dhe në administratën publike dhe mbrojtjen civile.

9. Diversitetit rajonal të klimës (dhe për pasojë, edhe diversitetit në manifestimin e ndryshimeve klimatike) duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje dhe të përdoret si forcë në veprimet zbutëse dhe përshtatëse. Njohuritë lokale dhe rajonale duhet të përkthehen në veprime të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar me qëllim që të kenë efekt maksimal. Përdorimi i burimeve të pandikueshme nga ndryshimet e klimës në Evropë, Azinë Qendrore dhe Afrikën Veriore, veçanërisht në fushën e energjisë dhe sistemeve ushqimore, duhet të kenë përparësi dhe të bëhen në mënyrë të drejtë dhe bashkëpunuese.

10. Politikat dhe instrumentet e bazuara te tregu – veçanërisht ato me ndikim shumë të madh, të tilla si Marrëveshja e Gjelbër Evropiane, paketat kombëtare për investimet në politikat e gjelbra dhe politikat kombëtare ose ndërkombëtare të fokusuara tek CO2 – nuk duhet të punojnë kurrë kundër njëra-tjetrës. Politikat e klimës dhe biodiversitetit nuk duhet të shihen si të shkëputura. Ligjet dhe rregullat duhet të përdoren në mënyrë të zgjuar për të nxitur dhe zhvilluar inovacionin teknologjik dhe social drejt arritjes së rezultateve të dëshirueshme. Komunikimi i bazuar në kërkime dhe transparent ndërmjet politikanëve, qytetarëve dhe shkencëtarëve duhet të bëhet normë për të rritur pranueshmërinë dhe për të zvogëluar negativitietin dhe mohimin. Barazia dhe politikëbërja pjesëmarrëse duhet të jenë natyrshëm të zbatueshme.

PËRFUNDIME

Shkencëtarët që morrën pjesë në Konferencën Evropiane përuruese për Klimën dhe që përfaqësojnë 45 vende evropiane, pranojnë se këshillat shkencore të bazuara në fakte dhe prova duhet të jenë baza për vendimet politike dhe personale lidhur me neutralitetin klimatik dhe se studiuesit duhet të angazhohen më shumë për të rritur njohuritë e qytetarëve të shteteve të tyre rreth ndryshimeve klimatike. Veprimet efektive për neutralitetin klimatik nënkuptojnë transformime të thella në aspekte të caktuara të ekonomisë, sistemit energjitik, tregjeve ndërkombëtare dhe kornizës globale të bashkëpunimit.

Shtetet në masat e ndërmarra duhet të ndërthurin strategjitë e zbutjes dhe përshtatjes sikurse edhe të bëjnë kompromise në nivel ndërkombëtar, kombëtar dhe rajonal. Në fokus të tyre duhet të jenë më tepër ndryshimet klimatike në shkallë rajonale dhe marrëdhënia globale-lokale. Nuk mjaftojnë as shkenca, as politika, as veprimi kolektiv civil, as arsimi, as investimet publike apo private për ta arritur këtë gjë. Dritarja e mundësive për arritjen e objektivit të Marrëveshjes së Parisit po mbyllet duke lënë në horizont shumë pak opsione realiste.

Rekomandimi kryesor është përshpejtimi i masave zbutëse në përputhje me kornizën e Parisit, duke zbatuar njëkohësisht masa përshtatëse. Rregulloret dhe instrumentet financiare të tilla si kostimi i CO2, duhet të përdoren për të nxitur neutralitetin klimatik. Kjo përfshin gjithashtu incentivizimin e përdorimit të teknologjive të gjelbra, për reduktimin rigoroz të shkarkimeve të gazeve serë dhe për të luftuar ndotjen e mjedisit dhe degradimin e ekosistemit, veçanërisht shpyllëzimin dhe humbjen e biodiversitetit.

Evropa dhe Azia Qendrore duhet të përdorin më mirë potencialin e tyre (burimet e rinovueshme, lidhjet, ekonominë e tregut, njerëzit, njohuritë dhe risitë) për të menaxhuar ndryshimet klimatike. Vetëm përmes përdorimit të potencialeve të tilla mund të përshpejtohet ritmi i transformimit dhe të shkohet drejt një të ardhmeje “neutral” ndaj ndyshimeve klimatike për kontinentin dhe planetin tonë/ Klima.al