Sipas OKB, Shqipëria është një nga vendet më të rrezikuara në planet nga ndryshimet klimatike.
Gati 20% e ekonomisë sonë është e varur nga bujqësia dhe prodhimi i saj, ndërsa edhe tek energjia 98% e saj prodhohet nga burime ujore. Thatësira e tejzgjatur në vitin e shkuar i shkaktoi buxhetit 500 milionë euro dëm për shkak të importit të energjisë, ndërsa këtë vit rrebeshet e pazakonta të shiut dëmtuan të mbjellat e fermerëve.
Parandalimi i rreziqeve klimatike ishte tema në fokus e konferencës së nivelit të lartë organizuar nga Qendra për Ekselencë Financiare me bankën e Shqipërisë dhe ministrinë e financave. Dy institucionet publike u shprehën se kriteret mjedisore do jenë në krye të agjendës për sistemin financiar dhe investimet publike
“Sistemi financiar ka rol të rëndësishëm në financimin e investimeve të gjelbra. Në këtë mënyrë kreditimi duhet të marrë gjithmonë e më shumë parasysh kriteret mjedisore, si dhe të edukohen klientët me mundësi të reja në financimin e gjelbër.”- shprehet Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
“Në investimet publike do të jetë gjithmonë e më shumë fokusi tek ato që kanë impakt të ulët në mjedis.”- shprehet Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj.
Si pjesë e procesit integrues në Bashkimin Europian, rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të kontribuojë që kontinenti të arrijë objektivin për të ulur në zero emetimet e karbonit deri në vitin 2050.