Deklaratë për Media: Rasti i pezullimit të ndërtimeve të HEC-it dhe fabrikës së ujit në Thirrë

Gjykata Administrative e Apelit Tiranë pranoi kërkesën e 166 banorëve të fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebë, të përfaqësuar nga avokatët e “Centre for Legal Empowerment” për pezullimin e punimeve në zbatimin e projekteve: – HEC Thirrë për të cilën është miratuar Leja për Përdorim të Burimit Ujor nr. 16, datë 27.04.2017, të Këshillit të Basenit […]

By admin

Gjykata Administrative e Apelit Tiranë pranoi kërkesën e 166 banorëve të fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebë, të përfaqësuar nga avokatët e “Centre for Legal Empowerment” për pezullimin e punimeve në zbatimin e projekteve:

– HEC Thirrë për të cilën është miratuar Leja për Përdorim të Burimit Ujor nr. 16, datë 27.04.2017, të Këshillit të Basenit Ujor Mat dhe VNM paraprake nr. 103, të miratuar me vendimin nr. 07, datë 21.02.2017.

– Fabrika e ujit me destinacion “Ambalazhim në shishe ose enë” për të cilën është miratuar Leja për Përdorim të Burimit Ujor nr. 03, datë 27.02.2017 të Këshillit të Basenit Ujor Mat, ndryshuar me vendimin nr. 10, datë 22.12.2017 dhe VNM paraprake nr. 665, të miratuar me vendimin nr. 56, datë 07.11.2016.

Banorët e zonës e kanë kundërshtuar prej 3 vitesh ndërtimin e HEC-it Thirrë dhe të fabrikës së ujit në burimin Krazhna, për arsye se nga këto projekte dëmtohet mjedisi dhe interesat e ligjshme ekonomike të tyre të lidhura me zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Avokatët e CLE-së arritën që t’i vërtetojnë Gjykatës mundësinë e ardhjes së një dëmi të rëndë, të atëçastshëm dhe të pakthyeshëm për mjedisin dhe interesat ekonomike të 166 banorëve të fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebë nga zbatimi i akteve administrative dhe zhvillimi i projekteve.

Ky vendim i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë është marrë disa muaj mbasi Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka shfuqizuar aktet e mësipërme, sepse ka vlerësuar që janë miratuar në kundërshtim me ligjin. Fitorja e banorëve të fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebë shënon një tjetër sukses të rëndësishëm të “Centre for Legal Empowerment” dhe “EcoAlbania” në mbrojtjen e mjedisit nga veprimet e paligjshme nëpërmjet vendimmarrjes së gjykatës.