Kalendari Mjedisor

Temperaturat ekstreme: Ndikimi i valëve të të nxehtit tek shoqëritë e botës moderne

Rekorde temperaturash gjatë muajit Korrik në disa qytete të vendit. A është ky një tregues i ndryshimeve klimatike?

By admin

Sipas një studimi shkencor valët e të nxehtit që kanë prekur Evropën dhe SHBA-në gjatë muajit korrik 2023 janë rezultat i ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu dhe aktiviteti i tij. Djegia e lëndëve fosile ka ndikuar negativisht në përshpejtimin e ngrohjes globale duke rritur mundësitë në 50% që vala e të nxehtit të prekë pjesë të ndryshme të Kinës. Studimi zbulon se ndryshimet klimatike nënkuptojnë shtimin e temperaturave me 2.5 gradë Celsius në Evropën Jugore dhe rrjedhimisht edhe valët e të nxehtit. Ekspertët shprehen se pothuajse të gjitha shoqëritë janë të papërgatitura për përballimin e të nxehtit ekstrem, madje vdekjeprurës. Autorët e studimit thonë se gjetjet e tij theksojnë rëndësinë e përshtatjes së botës ndaj temperaturave më të larta, sepse ato nuk janë dhe nuk do të jenë më “të rralla”.

“Nxehtësia është ndër llojet më vdekjeprurëse të fatkeqësive,” thotë Julie Arrighi nga Qendra Klimatike e Gjysmëhënës së Kuqe të Kryqit të Kuq, dhe gjithashtu një nga autorët. Ajo shton se vendet duhet të ndërtojnë shtëpi rezistente ndaj temperaturave të larta dhe të gjejnë mënyra për të freskuar qytetet përfshirë këtu mbjelljen e më shumë pemëve.

Në Shqipëri, 25 Korriku është cilësuar si dita më e nxehtë e rregjistruar ndonjëherë. Në qytetin e Kuçovës temperaturat kanë arritur 44 Gradë Celsius.

 

Ndërkohë,

 

Tirana 43 Gradë Celsius

Vlora 42.2 Gradë Celsius

Durrësi 41 Gradë Celsius

Peshkopia 38.8 Gradë Celsius


Ekspertët thonë se nxehtësia ekstreme mund të jetë një kërcënim shumë serioz për jetën, veçanërisht për të moshuarit. Sipas një studimi, më shumë se 61,000 njerëz në Evropë, u vlerësua të kenë vdekur nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë gjatë periudhave të valëve të të nxehtit të vitit të kaluar.

“Ky studim konfirmon atë që ne e dinim më parë. Ai tregon përsëri se sa ndryshimi i klimës luan një rol në atë që po përjetojmë aktualisht,” tha Friederike Otto nga Imperial College London.

Shkencëtarët e klimës thonë se pompimi i gazeve serrë në atmosferë po shkakton rritjen e temperaturave globale. Por jo të gjitha ngjarjet ekstreme të motit duhen lidhur menjëherë me ndryshimin e klimës, duke qenë se edhe modelet natyrore të motit mund të luajnë gjithashtu një rol domethënës.

Shkencëtarët e grupit ‘World Weather Attribution’ në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Holandë studiuan valët e fundit të të nxehtit për të identifikuar se deri në çfarë niveli kishin lidhje me të ndryshimet klimatike.

Përmes përdorimit të modeleve kompjuterike të motit, ata simuluan një botë të pandikuar nga emetimet në atmosferë, në temperaturat e botës reale të matura gjatë valëve të të nxehtit. Shkencëtarët arritën në konkluzionin se vala e të nxehtit në Amerikën e Veriut ishte 2 gradë Celsius (3.6°F) më e nxehtë dhe vala e të nxehtit në Kinë ishte 1 gradë Celsius më e nxehtë për shkak të ndryshimeve klimatike. Krahasimisht me periudhën para-industriale përpara se njerëzit të fillonin djegien e lëndëve fosile bota është ngrohur me1.1 gradë Celsius më tepër.

“Nëse rritja e temperaturave bëhet me 2 gradë Celsius, gjë që shumë ekspertë paralajmërojnë se ka shumë të ngjarë pasi vendet nuk po arrijnë të reduktojnë me shpejtësinë e duhur emetimet e tyre, këto ngjarje do të ndodhin çdo dy deri në pesë vjet”, thonë shkencëtarët. Studimi gjithashtu mori në konsideratë rolin e fenomenit natyror El Niño që çoi në temperatura më të larta globale. Studimi arriti në përfundimin se El Niño ndoshta luajti një rol të vogël dhe se rritja e temperaturave nga djegia e lëndëve fosile ishte shtytësi kryesor në valët më intensive të të nxehtit.

Një seri rekordesh klimatike janë shënuar gjatë javëve të fundit, duke përfshirë rritje të temperaturave mesatare globale dhe temperaturave në sipërfaqen e detit, veçanërisht në Atlantikun e Veriut. Ekspertët thonë se shpejtësia dhe koha janë “të paprecedentë” dhe paralajmërojnë se më shumë rekorde mund të regjistrohen në javët dhe muajt e ardhshëm. Rast konkret janë zjarret e rrezikshme në Greqi të cilët detyruan mijëra njerëz të largohen nga banesat e tyre. Ekspertët thonë se moti i nxehtë dhe i thatë ka krijuar kushte të favorshme që zjarri të përhapet më lehtë.