Kalendari Mjedisor

Prenë masivisht sipërfaqe pyjore në zonën e mbrojtur “Liqeni i Zi”, tre në pranga, në kërkim dy vëllezër

Tre persona kanë rënë në prangat e policisë, pasi akuzohen se prenë pyje në zonat e mbrojtura në Bulqizë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se në kuadër të operacionit policor të koduar “Shtegu”, u arrestuan në flagrancë shtetasit: Banush Dedja; Ramadan Basha; Zabit Kola. Ndërkohë u shpallën në kërkim Bajram dhe Ajet Lici. 

By admin

Tre persona kanë rënë në prangat e policisë, pasi akuzohen se prenë pyje në zonat e mbrojtura në Bulqizë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se në kuadër të operacionit policor të koduar “Shtegu”, u arrestuan në flagrancë shtetasit: Banush Dedja; Ramadan Basha; Zabit Kola. Ndërkohë u shpallën në kërkim Bajram dhe Ajet Lici. 

NJOFTIMI I POLICISË 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shtegu”, për goditjen e një rasti të krimeve kundër mjedisit, që kryhej në mënyrë të organizuar nga disa shtetas. Kishin prerë masivisht sipërfaqe pyjore në zonën e mbrojtur “Liqeni i Zi”, me qëllim sigurimin e lëndëve drusore në kundërshtim me ligjin, arrestohen në flagrancë 3 shtetas. 

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të tjerë (vëllezër) që janë identifikuar nga Policia, si organizatorë të kësaj veprimtarie kriminale. Sekuestrohen 3 mjete të rënda (variskë dhe kamion) që shërbenin për hapjen e rrugëkalimeve dhe për transportimin e lëndës drusore, një motosharrë dhe një sasi lënde drusore e prerë ilegalisht, që u gjet në pjesë të ndryshme të zonës së mbrojtur “Liqeni i Zi”. Si rezultat i monitorimit të vazhdueshëm të zonave të mbrojtura, në të gjithë qarkun, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, si dhe me mbështetjen e inteligjencës policore, Strukturat Hetimore të DVP Dibër në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shtegu”.

Në kuadër të këtij operacioni, Policia mbajti në vëzhgim territorin e zonës së mbrojtur “Liqeni i Zi”, dhe si rezultat konstatoi dhe goditi një rast të krimeve kundër mjedisit, që kryhej në këtë zonë, në mënyrë të organizuar nga disa shtetas. Për këtë rast u kapën në flagrancë duke prerë lëndë drusore ilegalisht, dhe u vunë në pranga shtetasi B. D., 38 vjeç, banues në Bulqizë, si dhe shtetasit N. B.,45 vjeç dhe Z. K., 43 vjeç, të dy banues në Dibër. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit B. L., 46 vjeç dhe A. L., 42 vjeç, vëllezër, të dy banues në Fushë Bulqizë.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasit B. L. dhe A. L. kishin punësuar 3 shtetasit e arrestuar, për të prerë në kundërshtim me ligjin, lëndë drusore në zonën e mbrojtur “Liqeni i Zi”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 mjete variskë dhe 1 mjet kamion që shërbenin përkatësisht për hapjen e rrugëkalimeve dhe për transportimin e lëndës drusore, një motosharrë dhe një sasi lënde drusore e prerë ilegalisht, që u gjet në pjesë të ndryshme të zonës së mbrojtur “Liqeni i Zi”. Vijon puna intensive për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale. Monitorimi i territoreve të zonave të mbrojtura, vijon. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksiomit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.