Përmes një studimi të realizuar kohët e fundit nga Universiteti Sheffield në Angli, është zbuluar se disa kërpudha mund të thithin 36% të ndotjes vjetore botërore të ajrit. Këto gjetje janë të rëndësishme dhe do të kenë ndikim të madh në luftën kundër ndryshimeve klimatike në shkallë globale. Po ashtu gjetjet kanë bërë që kërpudhave tu kushtohet rëndësi më e madhe dhe të shihen si një zgjidhje e mundshme, e lënë jashtë vëmendjes në të shkuarën, por potencialisht jetike për moderimin e shkallës së ndotjes së ajrit.
Diplomacia me rrënjë të thella e kërpudhave mikorizale
Kërpudhat mikorizale të pranishme në çdo kontinent, kanë ekzistuar prej kohësh. Këto kërpudha formojnë rrjete të gjera nëntokësore ndërsa nxisin një marrëdhënie simbiotike me bimët. Por si kontribuon kjo marrëdhënie nëntokësore në ajrin që thithim?
Bimët thithin dhe i kthejnë elementët ndotës të ajrit në sheqerna. Kërpudhat, të ndërthurura në mënyrë të ndërlikuar me rrënjët e bimëve, ushqehen me këto sheqerna. Në këmbim, ato ofrojnë lëndë ushqyese thelbësore që u duhen bimëve për të lulëzuar. Universiteti Sheffield e përshkroi këtë marrëdhënie si një cikël harmonik të dhënies dhe marrjes.
Megjithatë kjo marrëdhënie harmonike nuk është diçka e pasqyruar nga njerëzit në sipërfaqe të tokës. Studiuesit janë në fillimet e tyre përsa i përket të kuptuarit të shkallës dhe origjinës së lashtë të kësaj lidhje unike nëntokësore.
Rrjeti natyror i ruajtjes së karbonit
Një rrjet masiv kërpudhash që shtrihet në 91 hektarë është identifikuar në Michigan, siç detajohet në një raport nga ‘The Hill’. Ndoshta edhe më befasues është fakti që këto kërpudha veprojnë si kasaforta karboni, duke ruajtur nën tokë 13 gigatonë ndotje të ajrit çdo vit. Për ta parë këtë në perspektivë, kjo shifër është e krahasueshme me gjithë sasinë vjetore të ndotjes të prodhuar nga Kina.
“Duhet të ndryshojmë mënyrën sesi i shohim ndryshimet klimatike me qëllim që më pas të gjejmë zgjidhje për trajtimin e tyre. Kërpudhat mikorizale përfaqësojnë një element, ndikimi i të cilave në modelimin, ruajtjen dhe restaurimin e karbonit, nuk dihet me siguri. Por, ndërsa mendojmë për zgjidhjet e problemeve tona klimatike, është e domosdoshme të shqyrtojmë përdorimin e asaj që tashmë ekziston brenda ekosistemit tonë.” shprehet një studiues i Universiteti Sheffield.
Kërcënimet Mbi & Nën tokë
Nëntoka kërcënohet shumë nga aktivitetet mbitokësore. Bujqësia, urbanizimi dhe përpjekjet e tjera njerëzore po shkatërrojnë ekosistemet e tokës. Ekspertët i japin zë paralajmërimit drithërues të bërë nga Kombet e Bashkuara, i cili parashikon se nëse tendencat aktuale vazhdojnë, 90% e tokave mund të përballen me degradim nga mesi i shekullit XXI.
Diçka e tillë kërkon veprim të menjëhershëm dhe të fuqishëm. Studiuesit po u bëjnë thirrje udhëheqësve globalë të ndërmarrin masa mbrojtëse për tokat, duke siguruar ruajtjen e këtij mekanizmi antik të pastrimit të ajrit.
Dr. Heidi Hawkins, autori kryesor i studimit nga Universiteti i Cape Town, tha: “Gjithmonë e dinim se sasitë e karbonit në ajër ishin të mëdha dhe nuk po ndërmerreshin masat e duhura për ti ulur këto sasi. Jemi të vetëdijshëm që një fokus shumë i madh i është kushtuar mbrojtjes dhe restaurimit të pyjeve si një mënyrë natyrale për të zbutur ndryshimet klimatike, por pak vëmendje i është kushtuar faktit se ku shkonin sasitë e mëdha të dioksidit të karbonit që lëvizin nga atmosfera gjatë fotosintezës nga bimët duke i dërguar nëntokë tek kërpudhat mikorizale”.
Ruajtja e tokës është diçka që shkon përtej teorisë drej marrjes së praktikave vepruese dhe të prekshme. Field, një nga studiuesit nga Universiteti Sheffield, paralajmëron kundër marrjes së këtyre proçeseve nëntokësore si të mirëqenë. “Kur prishim sistemet e lashta të mbështetjes së jetës në tokë, ne po luajmë një lojë të rrezikshme sepse rrezikojmë të sabotojmë përpjekjet tona globale për të frenuar ngrohjen dhe gjithashtu rrezikojmë ekosistemet e brishta mbi të cilat mbështetemi shumë.” tha ai në raportin e Sheffield.
Në luftën globale kundër ndotjes së ajrit dhe ndryshimeve klimatike, njerëzimi duhet ti kthejë sytë nga nëntoka. Duke kuptuar, respektuar dhe mbrojtur tokën dhe një mori jetësh të saj, ne mund të shfrytëzojmë një aleat që ka punuar në heshtje prej shekujsh. Ndërsa hidhet më shumë dritë mbi rolin e kërpudhave, rëndësia e praktikave të qëndrueshme bujqësore dhe ruajtjes së tokës bëhet në mënyrë të pamohueshme evidente. Aleatët tanë të lashtë nëntokë (kërpudhat mikorizale) mund të jenë shpresa jonë më e mirë për një të ardhme të qëndrueshme.