Përmes një studimi shkencëtarët paralajmërojnë se aktiviteti njerëzor po e kthen Tokën në një botë që mund të mos mbështesë më, në mënyrën e duhur, shoqëritë moderne.
Analiza bazohet në një dokument të vitit 2009, i cili fillimisht theksoi nëntë kufizimet planetare që e bëjnë mjedisin e Tokës të ngjashëm me atë të botës ku njerëzit kanë jetuar gjatë epokës paraindustriale të Holocenit. Kjo periudhë zgjati për rreth 10,000 vjet, deri në nisjen e revolucionit industrial, kohë kjo kur njerëzit filluan të përdornin sasi të mëdha të lëndëve djegëse fosile duke prodhuar gazra serë që bllokonin nxehtësinë në atmosferë. Në hulumtimin e ri, të botuar në Science Advances, studiuesit ngrenë alarmin mbi pasojat e mundshme negativemqë mund të kenë aktivitetet njerëzore në mjedis dhe atmosferë.
“Është si presioni i gjakut”, thotë Katherine Richardson, një shkencëtare e sistemeve tokësore në Universitetin e Kopenhagës, e cila drejtoi kërkimin e ri. “Nëse tensioni juaj i gjakut është mbi 120 mbi 80, kjo nuk do të thotë që do të keni një atak në zemër, por rrit rrezikun dhe për këtë arsye duhet të bëhen përpjekje për ta parandaluar atë.”
Studimi i ri sjell përditësimin e dytë të bërë, që nga punimi i vitit 2009 dhe është hera e parë që shkencëtarët kanë përfshirë udhëzues numerikë për çdo kufi, një zhvillim shumë domethënës. “Ajo që është e re në këtë punim lidhet me maturimin e nëntë kufijve”, shprehet Rak Kim, një shkencëtar socio-mjedisor në Universitetin e Utrecht-it në Holandë, i cili nuk ishte drejtpërdrejtë i përfshirë në studimin e ri.
Që nga prezantimi i tij fillestar, Modeli i Kufijve Planetarë ka tërhequr vëmendje për ndërthurjen e faktorëve të ndryshëm – përtej ndryshimeve klimatike – që ndikojnë në jetën në Tokë duke e bërë atë të banueshme. Natyrisht, nivelet e dioksidit të karbonit përfshihen, sikurse edhe humbja e biodiversitetit, ndotja kimike, ndryshimet në përdorimin e tokës, e ujit të ëmbël dhe prania e elementëve thelbësorë të azotit dhe fosforit. Asnjë nga këta kufij nuk qëndron i veçuar p.sh përdorimi i tokës në mënyra të ndryshme mund të ndikojë tek biodiversiteti, ndërsa dioksidi i karbonit ndikon ndër të tjera në acidifikimin e oqeanit.
“Është shumë e lehtë të mendosh se ka tetë apo nëntë kufij – por mendoj se është një sfidë t’u shpjegosh njerëzve se si ndërveprojnë ata me njëri-tjetrin,” thotë politologu Victor Galaz i Qendrës së Rezistencës së Stokholmit, i cili është pjesë e një nisme të përbashkët me fokus qeverisjen e klimës, e Universitetit të Stokholmit dhe Institutit Beijer të Ekonomisë Ekologjike në Akademinë Mbretërore Suedeze të Shkencave. “Ndërrmarrja e veprimeve në një fushë të caktuar dhe jo në një tjetër ka pasoja negative dhe nuk mendoj se njerëzit e kuptojnë vërtet këtë”, vazhdon Galaz.
Megjithëse nëntë faktorët e përgjithshëm janë të njëjtë me ata të identifikuar për herë të parë në dokumentin e vitit 2009, studiuesit kanë bërë disa rregullime përsa u përket detajeve të këtyre kufijve. Sipas Jonathan Foley, drejtor ekzekutiv i Project Drawdown, një organizatë jofitimprurëse që zhvillon udhërrëfyes për zgjidhjet e klimës, ribotimi i përditësuar i dokumentit të vitit 2009 ka të pasqyruar më tepër të dhëna sasiore mbi kufijtë, krahasur me dy botimet e para. Foley ishte bashkëautor në punimin origjinal të vitit 2009, por jo i përfshirë në studimin e ri.
Megjithatë, pavarësisht versionit të përmirësuar të studimit, konkluzioni i përgjithshëm mbetet i njëjtë me atë që ishte gati 15 vjet më parë. “Situata është shumë alarmante, ne po jetojmë në një planet të ndryshëm nga ai që ka qenë më parë”, thotë Foley. (Njerëzit po përpiqen gjithashtu të përmbushin 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, të cilat janë krijuar për të adresuar sfidat mjedisore dhe shoqërore, të tilla si uria dhe pabarazia gjinore).
Hulumtimi i ri vlerëson nëntë kufijtë si më poshtë:
Ndër vlerësimet më shqetësuese të identifikuara janë rrjedhat e fosforit dhe azotit, të cilat përdoren gjerësisht si plehra për bimët dhe derdhen më pas pa kufizime në ekosisteme, duke shkaktuar dëme mjedisore, p.sh. duke mundësuar lulëzimin e algave të rrezikshme. Studiuesit kanë arritur në përfundimin se aktiviteti njerëzor ka bërë që të lëshohen shumë më tepër kimikate që përmbajnë elemente të dëmshëm për mjedisin dhe që i tejkalojnë kufijtë e llogaritur nga shkencëtarët.
Një ndër kufijtë e shkelur qartë është ai për ndryshimin e klimës, të cilin studiuesit e vlerësuan në dy mënyra. Së pari, ata morën parasysh përqëndrimin atmosferik të dioksidit të karbonit, që tani është 417 pjesë për milion (ppm), ndërsa shkencëtarët kishin vlerësuar se para revolucionit industrial ishte vetëm 280 ppm. Ata identifikuan kufirin e sigurt si 350 ppm, i cili u tejkalua në vitin 1987. Shkencëtarët gjithashtu morën parasysh forcën rrezatuese, një masë e balancës së energjisë nga rrezet e diellit që godet Tokën, krahasuar me energjinë termike që planeti humbet. Në të dy frontet, zbulon ekipi, njerëzimi aktualisht po operon jashtë kufijve planetarë të rekomanduar.
Por një nga mesazhet kryesore të hulumtimit është se integriteti i botës së gjallë është po aq i rëndësishëm sa klima, pavarësisht diskutimeve dominuese për klimën dhe të ardhmen e Tokës. “Çdo planet ka një klimë, nuk ka asgjë të veçantë për këtë. Ajo që është e veçantë është të ketë jetë në të”, thotë Richardson.
Richardson dhe kolegët e saj e vlerësuan integritetin e biosferës në dy fronte: diversitetin gjenetik dhe atë që ata e quajnë “integritet funksional”. Për të parën, ata e panë shkallën e zhdukjes si një përafrim dhe vlerësuan në mënyrë konservative se shkalla aktuale e zhdukjes është rreth 100 herë më e madhe krahasuar me shkallën në bazë. Një faktor i ri i marrë në konsideratë në analizën aktuale është niveli total i “prodhimit parësor” (që do të thotë fotosinteza) rreth planetit si një vlerësim i integritetit funksional të ekosistemeve. Ekipi konstatoi se prodhimi primar ishte relativisht konstant gjatë gjithë Holocenit. Sot, vlerësojnë studiuesit, njerëzit kanë zgjedhur rreth 30 për qind të prodhimit primar, për qëllimet e tyre, në mënyrë efektive përmes ushqimit që korrin dhe konsumojnë. Para revolucionit industrial, ishte vetëm 2 për qind.
Kufiri i katërt, “entitete të reja”, përfaqëson kimikatet artificiale që mbushin aq shumë jetën moderne të tilla si plastika, diklorodifeniltrikloretani (DDT), i cili mund të hollojë në mënyrë të rrezikshme lëvozhgat e vezëve të zogjve si shqiponjat dhe substancat perfluoroalkil dhe polifluoroalkil (Polifluoroalkil), “Kimikatet e përhershme” që shkencëtarët kanë kuptuar se janë pothuajse të kudogjendura. Për herë të parë, shkencëtarët vendosën sasinë e këtij kufiri. Ata vlerësuan lëshimin në mjedis vetëm të kimikateve që janë testuar. Situata aktuale shkon përtej këtij kufiri, vëren Richardson: “Vetëm në Bashkimin Evropian, rreth 80 për qind e kimikateve të prodhuara nga njeriu janë përdorur pa u testuar më parë, për më shumë se një dekadë”.
Një kufi tjetër i tejkaluar përfshin përdorimin e tokës. Në mënyrë të veçantë, studiuesit përcaktuan sasinë e humbjes së pyjeve dhe zbuluan se vetëm 60 përqind e tokës, dikur të pyllëzuar, mbetet e tillë. Ata shprehen se 75 për qind shënon avantazhin e sigurisë për shkak të rolit të pyjeve në moderimin e klimës.
Kufiri i kaluar, që nga versioni i mëparshëm i kësaj analize, është ai i përdorimit të ujërave të ëmbla, një kategori që pasqyron ndryshimet në mënyrën se si studiuesit iu afruan këtij kufiri. Analizat e mëparshme identifikuan vetëm atë që shkencëtarët e quajnë “uji blu”, i cili përfshin ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore. Në vlerësimin e ri, ekipi konsideroi gjithashtu “ujin e gjelbër”, i cili nuk hyn në akuiferë, por është ende i arritshëm për bimët. Richardson thotë se ky është një dallim i rëndësishëm. “Unë mendoj se ishte e drejtë të ndryshohej metrika dhe metrikat që ne zgjedhim tani tregojnë se jemi në anën e gabuar,” thotë ajo. “Unë do të jem e sinqertë duke thënë se nëse do të kishim përdorur matjet e vjetra, atëherë ende nuk do ta kishim kapërcyer atë.”
Tre kategoritë e fundit përfaqësojnë zonat ku njerëzit nuk i kanë tejkaluar ende kufijtë planetarë siç përcaktohet nga studiuesit: acidifikimi i oqeanit, ngarkimi i aerosolit atmosferik dhe varfërimi i ozonit. Vetëm e fundit prej tyre është në drejtimin e duhur, falë suksesit të Protokollit të Montrealit, një marrëveshje ndërkombëtare. Sipas tij, vendet kanë reduktuar përdorimin e kimikateve që shkatërrojnë ozonin, duke lejuar që shtresa e lartme mbrojtëse e ozonit në atmosferë të rikuperohet.
Që nga prezantimi fillestar i kufijve planetarë, studiuesit kanë diskutuar jo vetëm detajet e matjeve, por edhe meritat e një sistemi të tillë në tërësi. Për Richardson, kufijtë planetarë janë një mënyrë për të kuptuar lehtësisht se sa shumë po marrin njerëzit nga Toka. “Unë e shoh shumë pozitivisht në kuptimin që është një lloj llogarie bankare dhe të kuptuarit e marrëdhënies sonë me planetin është fuqi, duke na krijuar mundësinë për të zhvilluar shoqëri të qëndrueshme”, thotë ajo. “Shoqëria ka nevojë për diçka të tillë.”
Nga ana tjetër, sipas Foley shkencëtarët janë vërtet të mirë në identifikimin dhe përshkrimin e problemeve, por duhet të bëhen akoma edhe më të mirë përmes fokusimit në hartimin e zgjidhjeve dhe të tregojnë se si ato mund të jenë tërheqëse dhe të dobishme jo vetëm për ata njerëz që kujdesen për mjedisin, por për të gjithë.”