Kalendari Mjedisor

Trafiku i ri Shqipëri-Itali po lulëzon në heshtje, breshkat e tokës shiten nga 60-2000 euro në tregun e zi

Një furgon i nisur nga Shqipëria është ndaluar në Portin e Brindizit disa ditë më parë pasi po kontrabandonte dy ekzemplarë të rritur të breshkave të llojit “Testudo Hermanni”, tregtia e të cilave është e ndaluar sipas ligjeve ndërkombëtare pasi janë specie në rrezik zhdukje. Ato ishin fshehur me kujdes, por kjo nuk ka lejuar që shoferi përgjegjës, shtetas shqiptar, banues në Itali, t’i shpëtojë kontrollit.

By admin

Një furgon i nisur nga Shqipëria është ndaluar në Portin e Brindizit disa ditë më parë pasi po kontrabandonte dy ekzemplarë të rritur të breshkave të llojit ” Testudo Hermanni “, tregtia e të cilave është e ndaluar sipas ligjeve ndërkombëtare pasi janë specie në rrezik zhdukje. Ato ishin fshehur me kujdes, por kjo nuk ka lejuar që shoferi përgjegjës, shtetas shqiptar, banues në Itali, t’i shpëtojë kontrollit.

Trafiku i breshkave të rralla nga vendi ynë matanë Adriatikut është kthyer në fenomen shqetësues. Sipas mediave të vendit fqinj ky nuk është rasti i parë. Trafiku bëhet me mënyra nga më të ndryshme, të futura në kuti në bagazhet e makinave, në valixhe madje edhe me çanta shpine.

Shqiptari i kapur tashmë është nën hetim, teksa legjislacioni parashikon gjoba të konsiderueshme me karakter monetar, për të kufizuar qarkullimin e faunës dhe florës së kërcënuar nga njeriu.

Çifti i breshkave iu besua më pas përkujdesjes së autoriteteve përgjegjëse italiane, me synimin për një rifutje të shpejtë në habitatin e tyre natyror në Shqipëri.

Breshka e tokës (Testudo hermanni) ose breshka e zakonshme është një ndër llojet e rrezikuara të faunës shqiptare. Testudo Hermanni ka një cikël jetësor të ndarë në dy pjesë: periudhën e gjumit letargjik (nëntor-mars/prill) dhe periudhën aktive (mars/prill-nëntor). Mosha mesatare për pjekurinë seksuale është mbi tetë vjeç për meshkujt dhe mbi nëntë vjeç për femrat. Breshkat femra lëshojnë 3-5 vezë në vit.

Kjo lloj breshke është e pranishme kudo në territorin shqiptar, por në Itali dhe vendet evropiane është shumë e rrallë. Mesatarisht çmimet e një breshke Testudo Hermanni variojnë nga  60/80 euro kur është e vogël deri në 600 euro një breshkë femër e rritur.

Mesatarisht, çmimet e breshkave të tokës (kryesisht foshnjat) sipas llojit janë:

Testudo hermanni     60/80 euro

Testudo marginata     70/80 euro

Centrochelys sulcata   80/100 euro

Testudo horsfieldi      60/100 euro

Breshkat e rritura që janë në moshën riprodhuese kushtojnë shumë më tepër:

Testudo hermanni mashkull   150/400 euro

Centrochelys sulcata              500/2000 euro

Testudo hermanni femër        300/600 euro

Breshke Horsfield e rritur      300 euro

Testudo marginata e rritur     300/1000 euro