Kalendari Mjedisor

Ndryshimet ekstreme të motit: A është njerëzimi në kufi të vijës së kuqe?

I nxehti, zjarret e vazhdueshëm, shirat e rrëmbyeshëm, tajfunet dhe urraganet janë disa prej fenomeneve natyrore të cilat faktojnë se pjesa më e madhe e hemisferës veriore, përgjatë verës së vitit 2023, është goditur nga moti ekstrem. Megjithatë nuk mund të vërtetohet se të gjitha këto ngjarje lidhen drejtpërsëdrejti me ndryshimin e klimës

By admin

I nxehti, zjarret e vazhdueshëm, shirat e rrëmbyeshëm, tajfunet dhe urraganet janë disa prej fenomeneve natyrore të cilat faktojnë se pjesa më e madhe e hemisferës veriore, përgjatë verës së vitit 2023, është goditur nga moti ekstrem. Megjithatë nuk mund të vërtetohet se të gjitha këto ngjarje lidhen drejtpërsëdrejti me ndryshimin e klimës.

Do të nevojitet pak kohë që shkencëtarët të kuptojnë se çfarë po ndodh saktësisht, shtuar këtu faktin që sistemet klimatike të planetit janë të fuqishëm dhe ndikojnë në përkeqësimin e motit. Pavarësisht kësaj, në javët e fundit të gushtit, janë thyer rekorde domethënëse meteorologjike, gjë e cila i ka shqetësuar ekspertët e ndryshimeve klimatike. Por ndërsa vera po i afrohet fundit, le të shohim në të shkuarën se çfarë ka ndodhur në tokë dhe si lidhet kjo me ndryshimin e klimës.

Në Mbretërinë e Bashkuar, ditët e ngrohta që sinjalizojnë fillimin e verës, konsiderohen një kujtim i largët pas disa javësh moti të paqëndrueshëm, por duket se këtë vit diçka ka ndryshuar dhe Mbretëria e Bashkuar ka parë qershorin më të nxehtë në gjithë historinë e saj.

74% e zonave në Mbretërinë e Bashkuar kanë thyer rekordin e të nxehtit 

Temperatura mesatare, duke llogaritur ditët dhe netët më të ftohta, ishte 15.8 gradë Celsius. Kjo eklipsoi rekordin e mëparshëm me 0,9  gradë Celsius dhe përbënte kërcim domethënës në terma të klimës. Nga të dhënat e mbledhura mbi temperaturën, u evidentuan temperatura rekord në 72 nga 97 zona të Mbretërisë së Bashkuar

Shkencëtarët në Met Office (Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar) thanë se ndryshimi i klimës rriti dy herë më shumë mundësinë për të tejkaluar rekordin e mëparshëm të temperaturave. Në javën e parë të korrikut, planeti pa ditën e tij më të nxehtë të rregjistruar ndonjëherë kur temperatura mesatare globale arriti në 17.23 gradë Celsius duke thyer në këtë mënyrë rekordin e vitit 2016 prej 16.92 gradë Celsius. Në Mesdhe, miliona njerëz ndjenë nga afër se si është të jetosh në nxehtësi ekstreme. Dy valë të gjata dhe tepër të nxehta, të quajtura Cerberus dhe Caronte goditën të gjithë rajonin.

1 megatonn CO2e (dioksidi kabonit ekuivalent që është një llogaritje për emetimet e karbonit që përfshin gazrat serrë si metani) u emetua nga zjarret në Greqi

Në Itali, të gjitha qytetet ndezën alarmin e kuq. Në Romë, turistët përjetuan temperatura mbi 40 gradë Celsius. Në Athinë, Akropoli – atraksioni më i njohur turistik i Greqisë – u detyrua të mbyllej për të mbrojtur vizitorët nga nxehtësia potencialisht fatale. Në Algjeri dhe Tunizi, temperaturat shkuan deri në 48 gradë Celsius.

“Moti ekstrem që ka prekur miliona njerëz në korrik është, për fat të keq, realiteti i ashpër i ndryshimit të klimës dhe një parashikim i së ardhmes”, shprehet Profesor Petteri Taalas nga Organizata Botërore e Metorologjisë.

Temperaturat ekstreme duket se patën edhe pasoja materiale krahas atyre shëndetësore-njerëzore. Nxehtësia krijoi kushte të favorshme për zjarret që përfshinë Mesdheun. Midis 1-25 korrikut, zjarret e mëdha në Greqi lëshuan një milion ton dioksid karboni. Kjo shifër është maksimumi i rregjistruar në shkallë vendi, krahasimisht me Londrën, një nga qytetet më të populluara në botë, e cila e lëshon në pothuajse dy javë, sipas shifrave të 2019-ës.

Të dhënat e rregjistruara dhe analizuara për muajin korrik nga shkencëtarët në bashkëpunim me World Weather Attribution Group (të cilët shikojnë ndikimin e ndryshimeve klimatike në ngjarje specifike ekstreme të motit) çuan në përfundimin se valët e të nxehtit do të kishin qenë “praktikisht të pamundura” në qoftë se nuk do të ishin prezente ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu.

“Ngrohja e atmosferës nga djegia e lëndëve fosile ka nxitur agravimin e valës së të nxehtit në Evropën Jugore me 2.5 gradë Celsius”, shprehen shkencëtarët. 

Shkencëtarët besojnë se fenomeni El Niño, i cili filloi në qershor, mund të ketë kontribuar në rritje të temperaturave në nivel global. Ndërkohë që një pjesë e botës përballej me të nxehtin ekstrem, më 26 korrik shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta goditën Kinën dhe Filipinet. Tajfuni ‘Doksuri’ goditi për një javë, qytetet dhe vijat bregdetare në Azinë Lindore, i shoqëruar edhe me humbje ekonomike të mëdha. 

Më shumë se një milion njerëz u evakuuan pasi erërat arritën shpejtësinë 240 km/h (149m/h). Në Pekin, kryeqytetin kinez, sasia e shiut që ra, theu rekordin 140-vjeçar. Përmbytjet dëmtuan rrugë dhe ura, zhytën makina dhe shkatërruan kantiere ndërtimi.

Në Filipine, të paktën 26 pasagjerë të një trageti vdiqën pranë Manilës kur shkuan në njërën anë të një varke ndërsa ajo u anua nga erërat, duke e përmbysur atë. Temperaturat e larta përbëjnë një ndër faktorët favorizues për këto lloj stuhish. 

Para tajfunit, Kina, Koreja e Jugut dhe pjesë të tjera të Azisë Lindore ishin përballur me nxehtësi të padurueshme dhe temperatura rekord. Shkencëtarët dhe World Weather Attribution Group thanë se ndryshimet e klimës shtuan me 50% mundësitë që Kina të përballej me një të nxehtë të padurueshëm, reflektuar qartazi në temperaturat e larta. 

Më 8 gusht, ishulli Maui në Hawaii u përball me një zjarr vdekjeprurës. Në qytetin bregdetar të Lahaina, njerëzit pohuan se dëgjuan rënien e sirenave paralajmëruese, ku disa prej tyre u hodhën në oqean në përpjekje për të shpëtuar veten nga flakët që lëviznin me shpejtësi.                                                                        Duke qenë se pjesa më e madhe e ishullit ishte në thatësirë flakët u përhapën më me lehtësi të ndihmuara edhe nga erërat e furishme. Shkencëtarët e klimës dhe ekspertët e zjarreve thonë se ndërthurrja komplekse e sistemeve njerëzore dhe menaxhimit të tokës në Hawaii mund të ketë kontribuar në zjarret e rëna, megjithatë kjo mbetet në kuadër të hipotezës.

Ditë më vonë, më 19 gusht, një zjarr që kishte nisur në mënyrë të pazakontë herët në Kanadanë lindore u përhap edhe në provincën perëndimore të vendit në British Columbia. Pesëmbëdhjetë mijë familje u urdhëruan të evakuoheshin, ndërsa qindra milje në veri, një zjarr i madh kërcënoi qytetin Yellowknife në territoret veriperëndimore. Deri më tani 15.6 milionë hektarë tokë janë djegur në të gjithë Kanadanë, një zonë më e madhe se shteti i New Yorkut ose Anglia. Të paktën 1,000 zjarre janë ende aktiv ndërsa Kanadaja përjetoi sezonin e saj më të keq të zjarreve në histori.

Njerëzit mund të konsiderohen si kontribuesit kryesorë të zjarreve, kjo për shkak të aktiviteteve të tyre ekonomike fitimprurëse por edhe të mënyrës sesi menaxhojnë pyjet. Megjithatë edhe ndryshimet klimatike luajnë rolin e vet në formësimin e kushteve për përhapjen e flakëve duke tharë bimësinë, duke shkaktuar shkrirjen e hershme të borës dhe ngrohjen e tokës, e cila në periudhat më të hershme ishte shumë e ftohtë.

Shkencëtarët parashikojnë që ndërsa ngrohja globale intensifikohet, zjarret do të bëhen më të fuqishme. Një studim i World Weather Attribution Group zbuloi se ndryshimet klimatike krijuan deri në 50% kushtet e nevojshme (nxehtesia, thatësira, erërat) për zjarret në Quebec, në Kanada në muajin qershor. 

Nga ana tjetër më 21 gusht, një shtet amerikan që zakonisht është i përgatitur në terma financiaro-logjistikë për përballimin e zjarreve – Kalifornia – pa stuhinë e parë tropikale në 84 vjet.

Stuhia Hilary, me prejardhje nga një uragan, arriti në tokë në veri të Meksikës, përpara se të shkonte në Kaliforni. Stuhia rrezikoi që 26 milionë njerëz të përballeshin me përmbytjeje dhe 25,000 familje në të gjithë Los Anxhelosin të humbnin energjinë pasi stuhia kaloi nëpër qytet dhe shkaktoi përmbytje të shpejta. Sipas guvernatorit të Kalifornisë, Palm Springs pa orët më të shumta të shiut të rregjistruara ndonjëherë në këtë qytet.

Në Luginën e Vdekjes, ujërat e përmbytjeve mbushën peizazhin historikisht të thatë, duke i kthyer shumë shpejt luginat e tij në lumenj.

Është shumë herët të thuhet nëse ndryshimet klimatike përshpejtuan ose jo stuhinë, por shkencëtarët theksojnë se përballja me temperatura më të larta, do të shkaktojë uragane më të fortë në të ardhmen, pasi më shumë nxehtësi në oqeane krijon më shumë energji për stuhitë.

Ujërat e planetit ishin më të nxehtë se kurrë këtë verë ndërsa valët e nxehta detare thyen rekordin në aspektin e temperaturave mesatare globale. Nxehtësia e krijuar në sipërfaqen e oqeaneve mund të kishte ndihmuar në fuqizimin e uraganeve të forta në Atlantik në fund të gushtit.

Stuhia Hilary është një kujtesë se viti nuk ka përfunduar ende dhe se sezoni i uraganeve në Atlantik sapo ka filluar dhe parashikohet të jetë më i fortë se zakonisht.

“Nuk është diçka që pritet në të ardhmen, ne jemi duke e përjetuar atë”, shprehet Lizzie Kendon nga Zyra Meteorologjike e Mbretërisë së Bashkuar.

Ndikimi i motit ekstrem në vende të ndryshme është një kujtesë se mënyra se si njerëzit reagojnë është jetike. Këtë verë, OKB-ja dhe shkencëtarët e klimës u kërkuan përsëri qeverive të mbajnë premtimet e tyre për të trajtuar urgjentisht ndryshimin e klimës. Shkencëtarët thonë se kjo verë është një këmbanë alarmi për situatat e papritura që do të vijnë në të ardhmen pasi ndryshimet klimatike të përkeqësohen.